Fluturon nafta, çmimi arrin në 140 dollarë për tonë
Karburantet
6 maj
6 qershor
Rritja%
Benzina (95r)
1026
1165
13.5
Diezel (Htg)
1108
1277
15.3
Nafta (d2)
918
1070
16.6
Në rast se çmimi i naftës vijon të qëndrojë në nivele të tilla, në tregun shqiptar një litër mund të arrijë në 175 lekë për litër
Nënproduktet janë rritur me 15% në tregun ndërkombëtar vetëm gjatë muajit të fundit
Çmimi i naftës në tregun ndërkombëtar mbërriti në rekordin historik prej 140 dollarësh për fuçi, por ekspertët mendojnë se dita kur çmimet do të rrëzohen nuk është e largët. Nafta u rrit me afro 11 dollarë për fuçi, kryesisht si paralajmërim për rënien e mëtejshme të vlerës së dollarit amerikan. Parashikimi për dollarin u përkeqësua gjatë ditëve të fundit kur u pa se SHBA-të mund të hyjnë në recesion ekonomik për shkak të papunësisë së lartë që do të sjellë konsum më të ulët. Gjithsesi, në rast se çmimi i naftës mbetet në këtë nivel në tregun ndërkombëtar, muajin e ardhshëm ekziston mundësia që nafta të kushtojë në Shqipëri 170-175 lekë për litër. Çmimet e produkteve të gatshme si benzina apo diezeli u rritën në tregun ndërkombëtar me më shumë se 50 dollarë për tonë brenda ditës së premte, sipas të dhënave të raportuara nga “Financial Times”. Në krahasim me një muaj më parë, çmimet e nënprodukteve janë rritur me mesatarisht 15% në tregun ndërkombëtar. Në tregun shqiptar kjo është përkthyer në një rritje prej 7-8%, kryesisht për shkak se në koston totale të naftës që paguajmë, akciza është taksë fikse dhe nuk rritet së bashku me rritjen e çmimit.
Arsyet e rritjes
Kolpoja e fundit u dha nga ekonomia e keqe amerikane si dhe nga kërcënimet e Izraelit se do të bombardojë Iranin për ta parandaluar prodhimin e bombës atomike. Por media ndërkombëtare vëren edhe shkaqe “teknike” pas rritjes. Tregtarët që kishin shitur naftë me letra me shpresë për ta riblerë kur çmimi të ulej, u detyruan të mbyllin pozicionet e tyre, pra të paguanin humbjet. Në bursa shkëmbimet elektronike bëjnë të mundur që tregtarët të blejnë dhe të shesin mallra që nuk i shohin kurrë me sy, por që kanë për detyrë të mbulojnë me kapitalet e veta humbjet e mundshme. Kjo lloj tregtie që mund të bëhet përmes internetit nga çdo cep i botës ka futur në bursa një numër jashtëzakonisht të madh investitorësh të vegjël, të cilët në raste të tilla dalin me humbje. Pasojat e rritjes së çmimit u ndjenë në të gjitha bursat ndërkombëtare, të cilat pësuan humbje të rënda.
Sytë nga Azia
Ekspertët ndërkombëtarë fajësojnë qeveritë e Indisë, Kinës e vendeve të tjera në zhvillim si përgjegjëse për çmimet e larta të naftës. Kjo, jo vetëm për shkak të konsumit në rritje, por edhe për shkak se konsumatorët e këtyre vendeve nuk e kanë ndjerë shumë rritjen e çmimit të naftës për shkak se qeveria subvencionon këtë sektor. Dje, përfaqësues nga pesë vendet më të rëndësishme konsumatore të naftës, Japonia, SHBA-të, Kina, India dhe Koreja e Jugut, diskutuan për situatën. Indisë dhe Kinës iu kërkua heqja e subvencionimeve si mënyrë për të reduktuar konsumin, por që të dyja këto vende refuzuan. Kina shpenzon rreth 25 miliardë dollarë në vit për të furnizuar me karburant të lirë traktorët, termocentralet e transportin publik, ndërkohë që India shpenzon për të njëjtën gjë 20 miliardë dollarë të tjera.