Dëshmitë e qeverisë
Guro Zeneli kishte dje një zijafet për të festuar dhe kë takonte e daroviste me kafe. Edhe “Spiuni” e piu kafenë e shokut Guro, siç e thërrasin gazetarët ish-kancelarin e grupit parlamentar të PS-së. Ai kishte marrë dëshminë e penalitetit. Sukses i paparë! Shoku Guro, që deri në fundvitet ’80 ishte vartës i presidentit Ramiz Alia, ka dhënë dorëheqjen dhe do të dalë në pension. Por nuk mund të bëjë letrat për pensionin, sepse duhet një mal me vërtetime. I duhej edhe vërtetimi i dëshmisë së penalitetit, pra që nuk kishte qenë i dënuar. Dhe shkoi serbes ta marrë te Posta e Lagjes Nr.8, ku banon. -Për çfarë e do?- e pyeti punonjësja e postës.- Ma duan ata të Sigurimeve Shoqërore, se do të dal në pension,- u përgjigj Guroja i shkretë.
-Epo ne nuk japim dëshmi penaliteti për të dalë në pension, ne japim vetëm për ambasada,- e sqaroi nëpunësja. Guroja u mërzit shumë dhe mbas shumë rekomandimesh, gjeti një njeri që e ftilloi. “Si i the ti? E dua për pension! Duhet t’i kishe thënë se e do për ambasadë, ndryshe nuk ta japin. Nuk duhet të jesh i ndershëm në këto punë”,- e këshilloi nëpunësi. Guro u vesh si i pandershëm dhe shkoi sërish te Posta Nr.8. -“Më duhet një dëshmi penaliteti për në ambasadë”. -“Paguaj katër mijë lekë dhe hajde pas një jave ta marrësh”,- i tha punonjësja e postës. Dhe Guro Zeneli, ky sarandjot nga Fterra me nam u bë me dëshmi penaliteti, pra që nuk kish qenë i dënuar gjatë sistemit monist. -Po mirë, o shoku Guro, po pse të duhet ty kjo, ti sikur ke qenë pjesë e administratës civile te Kuvendi i Shqipërisë?!- u habit “Spiuni”.
-“E duan more djalë, e duan. Njëri më tha se e duan këta të PD-së dhe me këtë rast, shohin se kush ka qenë me ta dhe kundër tyre”.
“Spiunit” iu kujtua përurimi që Kryeministri kishte bërë në fillimvit për marrjen online të certifikatave të penalitetit. Te faqja e qeverisë gjeti edhe lajmin: “Ky projekt mundëson tashmë pajisjen e shtetasve me certifikata penaliteti on-line, duke shmangur radhët e qytetarëve në sportelet e Zyrës së Gjendjes Gjyqësore. Dëshmitë e penalitetit janë nga dokumentet më të kërkuara nga institucionet zyrtare shqiptare dhe ndërkombëtare dhe deri para instalimit të këtij sistemi dixhital, qytetarët shqiptarë përjetonin radhë të gjata e të mundimshme për të marrë një dokument, të cilin ata kanë të drejtë ligjore ta kenë”,-ishte shprehur Berisha më 8 janar 2008!!!