Prishtinë, sulm shtëpisë së Hashim Thaçit
Sulm në mesnatë në shtëpinë e kryeministrit. Rojet plagosin njërin prej agresorëve
Në kohën e sulmit, në shtëpi ndodheshin e shoqja dhe i biri, të cilët nuk kanë pësuar lëndime
Shtëpia e kryeministrit Hashim Thaçi është sulmuar mbrëmë pas orës 23:00, ka njoftuar kabineti i tij, çka është konfirmuar edhe nga policia e Kosovës. Sulmi ka kaluar pa pasoja për kryeministrin dhe familjen e tij. Në momentin e sulmit, ka njoftuar policia, kryeministri Thaçi nuk ndodhej në shtëpi, kurse gruaja dhe djali i tij nuk kanë pësuar lëndime. Ndërkohë që, sipas policisë, gjatë shkëmbimit të zjarrit me një person të dyshuar që po përpiqej të hynte brenda nga kati i dytë i shtëpisë së kryeministrit, thuhet se njëri nga të dyshuarit mund të jetë i plagosur. Zëdhënësi i SHPK-së, Arbër Beka, thotë se policia ka intervenuar në momentin e parë të marrjes së njoftimeve nga ana e sigurimit të kryeministrit dhe se policia po qëndron ende për të siguruar shtëpinë e kryeministrit në lagjen Arbëria të Prishtinës. “Pas reagimeve të para policore, pasi ka shkuar policia në vendin e ngjarjes, janë njoftuar nga ana e sigurimit të shtëpisë së kryeministrit Hashim Thaçi, se ata kanë vërejtur së paku një person që ka tentuar të hynte brenda përmes tarracës së katit të dytë të shtëpisë së kryeministrit. Pas paralajmërimit nga ana e sigurimit, ka pasur edhe shkëmbim me armë zjarri”. “Pas shkëmbimit me armë zjarri, të dyshuarit janë larguar në drejtim të panjohur. Njësitet policore që kanë dalë në vendin e ngjarjes, dyshojnë se së paku një nga të dyshuarit është plagosur si pasojë e shkëmbimit me armë zjarri”, tha Beka. Në orët e mëngjesit, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thirrur një konferencë urgjente për media. Ai e ka cilësuar këtë si një akt kriminal dhe kumtoi urdhëresën e qeverisë që të ngrihet shkalla e sigurisë për shumë nga zyrtarët e qeverisë. “Fakti që dikush ka bërë përpjekje ta lëndojë kryeministrin dhe familjen e kryeministrit, për çfarëdo motivi, nuk është vetëm veprim kriminal, që kalon çfarëdo kufiri të urrejtjes, qoftë edhe padurimin apo urrejtjen politike. Si rrjedhojë e kësaj situate të rëndë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka urdhëruar ngritjen e masave të sigurisë për shumë nga zyrtarët e qeverisë dhe bartësit e institucioneve të tjera, si dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës”. “Kjo ngjarje është shumë serioze dhe dëshmon se ende ka të atillë që nuk e duan shtetin tonë të ri, ndërtimin e një shoqërie të hapur, të lirë, moderne, demokratike, në të cilën sundon rendi dhe ligji”, u shpreh Kuçi.
Hajredin Kuçi tha se kërcënimet dhe aktet e tilla të sulmeve nuk do ta ndalin politikat e kryeministrit dhe qeverisë. Ai tha se nuk mund të flitet tash për ndonjë adresë të caktuar që mund të ndërmarrë këtë sulm. “Nuk i adresojmë asnjë personi. Ne jemi shumë të përgjegjshëm. Organet e policisë do ta thonë fjalën e vet. Cilido që mendon se përmes këtij rasti apo rasteve të tjera të destabilizojë vendin, ne kërkojmë që qytetarët t’u besojnë institucioneve të drejtësisë. Dikujt mund t’i pengojë ndërtimi i shtetit të ri, suksesi i këtij ndërtimi të shtetit të ri, rendi dhe ligji në Kosovë, perspektiva evropiane dhe natyrisht puna e kryeministrit direkt”, tha Kuçi. Zëvendëskryeministri Kuçi e ka cilësuar këtë si sulm të drejtpërdrejtë ndaj kryeministrit dhe familjes së tij. Raste të tilla të sulmeve ndaj udhëheqësve të institucioneve të Kosovës kanë ndodhur edhe në të kaluarën, kur ishte sulmuar shtëpia e ish-presidentit Ibrahim Rugova, por rasti nuk është zbardhur ende.
box
Thaçi: Nuk e di kush e bëri
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar në orët e pasdites pas sulmit të banesës së tij. Në një konferencë për shtyp, Thaçi ka deklaruar se organet kompetente janë duke bërë të gjitha hetimet e nevojshme për të zbardhur ngjarjen dhe për të gjetur autorët e sulmit. Thaçi ka qenë shumë i rezervuar mbi ndonjë dyshim paraprak për autorët duke deklaruar se nuk kërkon të paragjykojë shkaktarët dhe autorët e sulmit. Kryeministri kosovar është shprehur për mediat se ia ka lënë organeve kompetente që të kryejnë hetimet, ndërkohë që siç u shpreh ai po përpiqet të krijojë unitet në skenën politike dhe mes qytetarëve. “Askush nuk na pengon në rrugën tonë drejt eurointegrimit”, është shprehur Thaçi. Thaçi ka thënë gjithashtu se organet kompetente do të kryejnë hetime të plota për këtë incident të rëndë. “Sulme te tilla”, tha kryeministri kosovar, “nuk mund të pengojnë punën dhe përpjekjet e qeverisë kosovare në rrugën për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin”.
box
Dënohet sulmi ndaj shtëpisë së kryeministrit. Mesazhe nga mbarë bota
Precedenti, ende i pazbardhur sulmi ndaj shtëpisë së Rugovës
Udhëheqësit e institucioneve, ata të partive politike, si edhe përfaqësues ndërkombëtarë, kanë dënuar ashpër sulmin e mbrëmshëm ndaj shtëpisë së kryeministrit Hashim Thaçi. Presidenti Fatmir Sejdiu e ka cilësuar këtë akt si një sulm të drejtpërdrejtë jo vetëm ndaj zotit Thaçi dhe familjes së tij, por edhe ndaj vetë institucioneve të Republikës. “Kërkojmë nga organet e rendit dhe të ligjit që t’i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme, me qëllim që ky rast të zbardhet sa më parë, kurse personat e përfshirë në këtë akt të shëmtuar të vihen para organeve të drejtësisë”, thuhet në deklaratën e presidentit Sejdiu. Sulmi është dënuar edhe nga kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi, nga LDK-ja, pastaj edhe nga partitë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe subjekte tjera politike.
Sipas njoftimeve nga Shërbimi Policor i Kosovës dhe kabineti i kryeministrit, mbrëmë pas orës 23:00, shtëpia e kryeministrit Hashim Thaçi është sulmuar nga persona të panjohur. Në momentin e sulmit, ka njoftuar policia, kryeministri Thaçi nuk ndodhej në shtëpi, kurse gruaja dhe djali i tij, të cilët ndodheshin në shtëpi, nuk kanë pësuar lëndime.
Zëdhënësi i SHPK-së, Arbër Beka, thotë se policia ka intervenuar në momentin e parë të marrjes së njoftimeve nga ana e sigurimit të kryeministrit dhe se policia po qëndron ende për të siguruar shtëpinë e kryeministrit në lagjen Arbëria të Prishtinës. “Pas reagimeve të para policore, pasi ka shkuar policia në vendin e ngjarjes, janë njoftuar nga ana e sigurimit të shtëpisë së kryeministrit Hashim Thaçi, se ata kanë vërejtur së paku një person që ka tentuar të hynte brenda përmes tarracës së katit të dytë të shtëpisë së kryeministrit. Pas paralajmërimit nga ana e sigurimit, ka pasur edhe shkëmbim me armë zjarri. Pas shkëmbimit me armë zjarri, të dyshuarit janë larguar në drejtim të panjohur”, tha Beka. Kryeministri Thaçi, sipas një njoftimi nga kabineti i tij, ka pranuar telefonata nga autoritetet e SHBA-ve, të BE-së, NATO-s, si dhe nga Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, kryeministri Sali Berisha, nga kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe nga personalitete të tjera nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia. Raste të tilla të sulmeve ndaj udhëheqësve të institucioneve të Kosovës kanë ndodhur edhe në të kaluarën, kur ishte sulmuar shtëpia e ish-presidentit Ibrahim Rugova, por rasti nuk është zbardhur ende.
box
OKB, opsione për rolin e UNMIK-ut në Kosovë
Sekretari Ban Ki Moon po studion opsionet rreth rolit të UNMIK-ut në Kosovë.
Kjo ishte përgjigja që dha zëdhënësja e Kombeve të Bashkuara, Michele Montas, në pyetjen se si do të reagojë, apo vendosë Sekretari i Përgjithshëm rreth statusit të UNMIK-ut, tani kur po afrohet 15 qershori dhe hyrja në fuqi e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Zëdhënësja Montas ka theksuar gjithashtu se Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon këtë çështje e ka biseduar edhe me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Javier Solana. Ajo tha se Ban, përveç se po e studionte situatën, po bisedonte dhe ka biseduar me disa nga liderët relevantë dhe në këtë kuadër edhe me Presidentin e Serbisë, Boris Tadiq. "Sekretari i Përgjithshëm po i studion opsionet dhe është angazhuar aktivisht në këtë çështje. Kjo është e tëra që mund t'u them tani", tha Montas. Zyrtarë të Kombeve të Bashkuara kanë deklaruar se statusi i UNMIK-ut vazhdon të mbetet i pandryshuar dhe ky ka qenë edhe qëndrimi që ka mbajtur edhe Sekretari i Përgjithshëm, i cili mëse njëherë ka thënë se “çdo gjë mbetet e njëjtë përderisa Këshilli i Sigurimit të mos vendosë ndryshe". Tashmë dihet qëndrimi i Rusisë e cila për mbi një vit ka bllokuar çfarëdo ndryshimi të rezolutës 1244, e cila autorizon misionin e UNMIK-ut. Qëndrimi i delegacionit të saj është se UNMIK-u është i vetmi mision legal dhe legjitim ndërkombëtar dhe se EULEX-i nuk e ka këtë bazë dhe mbështetje ligjore. Ndërkohë në Kombet e Bashkuara nuk kanë mundur të konfirmojnë dërgimin e një letre të paralajmëruar nga ana e Sekretarit rreth transferimit të autoritetit nga UNMIK-u tek EULEX-i, në kuadër të rikonfigurimit të pranisë së bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë. Gjithsesi me afrimin e 15 qershorit, misionet e UNMIK-ut dhe EULEX-it do të jenë ndër çështjet e bisedimeve gjatë javës së ardhshme edhe në samitin amerikano-evropian në Slloveni, si dhe gjatë vizitës së Sekretarit Ban Ki Moon në Evropë.