Dhuna ndaj gazetarit, mbyllet dosja Doshi
Mungesa e dëshmive dhe kërkesa e gazetarit Besar Likmeta për pezullimin e çështjes kanë shpëtuar deputetin Doshi Prokuroria e Përgjithshme mbyll hetimet për deputetin Tom Doshi, pa i kërkuar imunitetin Kuvendit
TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme mbyll dosjen hetimore ndaj deputetit Tom Doshi, me pretendimin se nuk vërtetohet dhuna e ushtruar ndaj gazetarit të Agjencisë Rajonale të Rrjetit të Reporterëve Investigativë në Ballkan, BIRN, Besar Likmeta. Burimet e rezervuara pranë organit qendror të akuzës konfirmuan për “Shekullin” se prokuroria ka mbyllur hetimet, me pretendimin se nuk ka prova apo dëshmi që vërtetojnë se deputeti Tomë Doshi ka ushtruar dhunë mbrëmjen e 10 marsit të këtij viti, edhe pse ky i fundit e ka pranuar publikisht këtë fakt. “Pas hetimeve njëmujore, prokuroria ka arritur në përfundimin se kallëzimi i gazetarit Besar Likmeta nuk provohet, pasi përveç kallëzimit të gazetarit, prokuroria nuk ka arritur të sigurojë asnjë provë apo dëshmi tjetër për ngjarjen”,-thuhet nga burimet pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Nga ana tjetër, edhe Likmeta, i mbetur i vetëm dhe pa dëshmi në favor të tij ka kërkuar pezullimin e çështjes.
***
Mësohet se për incidentin e mbrëmjes së 19 marsit janë marrë në cilësinë e deklaruesit me dëshirë, përveç disa dëshmitarëve, edhe protagonisti i akuzuar, deputeti Tom Doshi, i cili ka mohuar se ka goditur njeri. “Asnjë nga dëshmitarët që ka qenë i pranishëm në vendngjarje, natën e 10 marsit nuk kanë pranuar të kenë parë gjë në lidhje me dhunën e ushtruar nga deputeti”,-thuhet nga prokuroria. Sipas këtyre burimeve, ky ka qenë edhe shkaku që prokurorja e çështjes pranë Prokurorisë së Përgjithshme, Anila Leka, ka vendosur të mbyllë dosjen ndaj deputetit Doshi. Kështu, sipas këtyre burimeve, procedimi penal ndaj deputetit Tom Doshi është regjistruar në Prokurorinë e Përgjithshme më datë 15 mars, ku që nga ajo ditë ka filluar edhe numërimi i afatit hetimor të çështjes. Brenda 30 ditëve, kryeprokurorja Rama duhej të dërgonte kërkesën për heqjen e imunitetit ose të pushonte çështjen ndaj deputetit. “Nga hetimet 30- ditore ka rezultuar i paprovuar fakti se deputeti Doshi ka ushtruar dhunë ndaj gazetarit Likmeta, duke mos gjetur në hetimin e kësaj çështjeje asnjë element të veprës penale të “goditjes për shkak të detyrës”, ku është vënë në dyshim edhe vërtetësia e kallëzimit të gazetarit Likmeta për dhunën e ushtruar nga deputeti Doshi”,-thuhet nga burimet. Ndërkohë, organi i akuzës nuk ka marrë mundimin të provojë faktin e denoncuar nga agjencia BIRN, se deputeti Tom Doshi ka përdorur në Parlament me vetëdije diplomën e falsifikuar të Universitetit të Tetovës, dega Juridik.
***
Sipas kallëzimit të gazetarit Likmeta, pranë agjencisë ku ai punon janë bërë dy shkrime të botuara nga kallëzuesi bashkë me dy kolegë të tjerë për disa dokumente origjinale të ardhura nga Universiteti i Tetovës, që tregonin se deputetit Tom Doshi nuk e ka mbaruar Fakultetin e Drejtësisë. Investigimi i “Balkan Insight” nuk e përmbante emrin e deputetit Doshi. Pas kësaj, gazetari Likmeta i kërkoi një reagim deputetit Doshi, në mënyrë që ky i fundit t’i jepte një shpjegim në lidhje me ketë fakt, ku pas bisedave telefonike ata janë takuar në ambientet e hotelit dhe pas njohjes me këto dokumente, deputeti Tom Doshi e ka goditur me çantë në fytyrë dhe trup, duke i shkaktuar dëmtime. Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, i cili kërkoi investigim të thellë për këtë ngjarje. Një muaj pas kësaj ngjarjeje, Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur të mos i dërgojë kërkesë kuvendit për heqjen e imunitetit të Doshit, duke mbyllur njëherazi edhe dosjen.
GAZETARI
Likmeta: Pse kërkova
pezullimin e çështjes
“I kam bërë një kërkesë Prokurorisë së Përgjithshme për të pezulluar çështjen ndaj deputetit Tom Doshi, duke marrë parasysh që asnjë nga dëshmitarët nuk prononcohej mbi ngjarjen. Kam marrë parasysh edhe vështirësinë për të provuar një çështje të tillë në gjyq, në mungesë së kurajës civile nga ana e atyre personave, shqiptare dhe të huaj, prezent gjatë incidentit, ndaj gjykova se do ishte e vështirë të vazhdoj një betejë të tillë ligjore dhe në të njëjtën kohë të bëja punën time si gazetar. Jam shumë mirënjohës ndaj grupit të prokurorëve që kanë pasur në ngarkim çështjen time, për etikën e treguar ndaj meje dhe për profesionalizmin e tyre”-pohoi mbrëmë për “Shekullin” gazetari Likmeta.