E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i Pasurive të Sekuestruara, nën hetim

 

Hekuran Vladi akuzohet për shpërdorim detyre në vendimin për pronat e sheikut Al-Qadi

TIRANË- Prokuroria e Tiranës merr nën hetim drejtorin e Zyrës së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara pranë Ministrisë së Financave, Hekuran Vladin. Ai dyshohet se ka kryer veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Ky lajm u konfirmua nga burimet zyrtare pranë prokurorisë së Tiranës, të cilët shtuan se hetimi ndaj Vladit ka filluar pas verifikimeve të kallëzimit të shtetasit jordanez Hamzeh Abu Rayyan, me detyrë administrator i shoqërisë së sheikut Yasin Al-Kadit në Shqipëri. Sipas këtyre burimeve mësohet se kallëzimi është dorëzuar në prokurori në mes të muajt maj, ku denoncuesi akuzoi drejtorin Vladi se në kundërshtim me ligjin dhe duke përdorur Policinë Tatimore ka sekuestruar dhe marrë nën administrim 19 objektet e shoqërisë “Loxhall” sh.p.k pa një vendim gjykate. Sipas prokurorisë, nga verifikimi i kallëzimit dhe hetimit të çështjes ka rezultuar se: “shtetasi Hekuran Vladi, në kundërshtim me ligjin nr.9284 datë 30 shtator 2004 “për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar” ka sekuestruar objektet e dhëna me qira nga administratori i shoqërisë “Loxhall” sh.p.k dhe i ka detyruar qiramarrësit e këtyre objekteve të nënshkruajnë kontratat e qirasë me zyrën e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara pranë Ministrisë së Financave, pa pasur një vendim të Gjykatës”. Gjithashtu mësohet se shtetasi nën hetim, Hekuran Vladi, me veprimet dhe mosveprimet e tij ka kryer elementë të veprës penale të “shpërdorimit të detyrës” të parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal. Sipas këtyre burimeve, pritet që në ditët në vazhdim, drejtori Vladi të merret në pyetje nga prokurori i çështjes në lidhje me këto hetime. F.Vezaj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›