E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qershori, një tjetër kusht për qeverinë

Kryeministri Sali Berisha ka lajmëruar dje mundësinë e zhvillimit të zgjedhjeve në qershorin e vitit të ardhshëm, duke sfiduar të gjithë skeptikët e mundshëm politikë e jopolitikë, se kartat e identitetit do të jenë në duart e qytetarëve para votimeve. Po ashtu, ai ka zbehur fort mundësinë e zgjedhjeve në fund të shtatorit apo në fillim të tetorit, një opsion ky që ka qarkulluar më shumë tek ndërkombëtarët në Tiranë, opsion që krijonte më shumë hapësirë për shpërndarjen e kartave të identitetit, por edhe më shumë kohë për qeverinë, për të mbyllur projektet e saj, veçanërisht ato në infrastrukturë.

Praktikisht jemi futur në një vit elektoral dhe na ndan më pak se një vit nga data e zgjedhjeve, nëse edhe Parlamenti e Presidenti do i përmbahen qershorit. Brenda kësaj periudhe, politikës shqiptare i duhet të kalojë edhe disa ligje në përbërje të reformës zgjedhore dhe të drejtësisë, ligje, të cilat e kanë të nevojshme njëfarë detante mes pozitës dhe opozitës, detantë që shkon ndesh me një vit elektoral, ku edhe përplasjet politike janë edhe më të forta. Për t’i shpëtuar rrezikut të dështimit të këtyre reformave është e domosdoshme që qoftë Kodi Zgjedhor e qoftë disa ligje që lidhen me funksionimin e institucioneve të drejtësisë të kalojnë sa më shpejt në Parlament, në mënyrë që debatet për këto ligje të mos kthehen në atu politike të njërës apo tjetrës palë, të mos prodhojnë krenari të njëanshme, e cila mund të bëhet shkak për dështimin e aprovimit të këtyre ligjeve.

Më se njëherë vëzhgues të vëmendshëm të problemeve në Shqipëri, e veçmas të atyre të zgjedhjeve, kanë theksuar domosdoshmërinë e realizmit dhe shpërndarjes së kartave të identitetit në kohë, për të qenë në duart e qytetarëve para se vendi të hyjë në fushatë elektorale zyrtare. Qeveria duhet t’i kushtojë shumë vëmendje kësaj çështjeje, pasi nëse ato karta do të shpërndahen përgjatë fushatës, kundërshtarët politikë mund ta interpretojnë këtë fakt si paaftësi të qeverisë dhe tentativë të saj për të devijuar sadopak votën e qytetarëve. Qeverisë nuk i intereson që debati në fushatë të jetë për vetë fushatën dhe standardet e saj, pasi këto janë terma apo tema që prodhojnë vota më së shumti për opozitën, në çfarëdo kohe që bëhen. Qeverisë i intereson që problemet e standardeve të zgjedhjeve apo procesit zgjedhor të jenë të zgjidhura shumë më parë dhe përgjatë fushatës zyrtare ajo të ketë mundësitë të promovojë sukseset e saj dhe të shtjellojë idetë e veta për një qeverisje tjetër.

Në të gjitha zgjedhjet në Shqipëri, shanset për t’i fituar ato kanë qenë të partisë në pushtet. Zgjedhjet nuk janë fituar prej saj vetëm në ato raste kur gjatë qeverisjes ishte bërë baltë me korrupsionin, siç ndodhi me socialistët e 2005-s, ose ishin prekur standardet demokratike siç ndodhi me demokratët e 1997-s.

Deklarata e Berishës se zgjedhjet do të bëhen në qershor janë garanci se Kryeministri e ka peshuar fort kohën në dispozicion për të hyrë në fushatë me standarde zgjedhore dhe se nuk do të ketë firo votash për arsye joqeverisëse. Ky është një shans i mirë që qytetarët të jenë të sigurt për zgjedhjen e tyre, pra në ditën e votimit ata të mos detyrohen të kthejnë votën e tyre nga votë për qeverisje në votë për standarde zgjedhjesh.

Me këtë rast edhe trageti i votimeve do të jetë një gradë më lart, pra jo më tek cilësia e aktit politik, pra votimi, por tek cilësia e aktorëve politikë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›