E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendi ka hyrë në periudhë paraelektorale

Rusia sulmoi Gjeorgjinë në fundjavën e kaluar, një vend i vogël me aspiratë për në NATO dhe me një demokraci të re perëndimore. A janë të rrezikshme edhe për rajonin tonë influencat dhe interesat ruse dhe çfarë duhet bërë, sipas jush, për të relativizuar sa më shumë një rrezik rus në rajon, por edhe te fqinjët e rajonit tonë, siç është Gjeorgjia?

Do ta konsideroja veten shumë pretencioz nëse do të pretendoja që kësaj pyetjeje shumë të vështirë dhe me shumë plane t’i jepja përgjigje në kaq pak vend. Ka shumë përqasje gjeopolitike lidhur me këtë çështje. Më ka qëlluar të lexoj mjaft prej tyre. Njëra nga ato është ajo që e ka përpunuar Sollzhenicin, shkrimtari i njohur botërisht, i cili u nda nga jeta pak ditë përpara, ai që denoncoi fort para gjithë botës persekucionin dhe shtypjen në ish-Bashkimin Sovjetik të kohës.

Sollzhenicin është një nga hartuesit e njërës prej strategjive që ndiqet nga korrente dhe grupimeve të caktuara politike ruse ose sllave. Kuptohet, në Rusi ka edhe mendim politik demokratik dhe të bazuar te bashkëpunimi me Perëndimin brenda një bote globale dhe që duhet të jetojë në paqe. Jo çdo gjë duhet futur në njëjtët kallëpe. Sollzhenicin është pansllavist dhe mendon se bota ruse nuk mund të tretet dot në një shoqëri tregu dhe as një demokraci liberale sikurse është ajo që njeh Perëndimi. Kthimi në sistemin politik të një demokracie lokale të tipit të zemstvove, sikurse ishin në periudhën e Carit, përbënte edhe një akset kryesore të mendimit politik të Sollzhenicin lidhur me nostalgjitë antimoderne të tij. Sollzhenicin ka qenë edhe kundër komunizmit, edhe kundër kapitalizmit dhe demokracisë liberale, sidomos në fazën e fundit të veprës së tij, e cila, fatkeqësisht njihet shumë pak ose aspak nga analistët politikë apo politologët shqiptarë. Sollzhenicin u ngrit kundër bolshevizmit nga pozitat e nacionalizmit dhe antimodernizmit, pavarësisht se në atë periudhë kjo i shërbente denoncimit të dhunimit të lirive individuale në një shtet imperialist dhe diktatorial. Po ky nacionalizëm, pansllavizëm dhe ruralizëm që e bëri të drejtojë letërsinë e tij kundër komunizmit, e bëri që të jetë edhe antiperëndimor. Për të, kur dikush propozon veten e vet për deputet a nëpunës, në këtë rast nuk kemi të bëjmë veçse me një egoist të rrezikshëm që mburr veten e vet. Por, për të, një investitor i huaj ne Rusi sillet shpesh si vjedhës.

Ai, sikurse edhe Jelcin, në kundërshtim me krahun gorbaçovian, kanë përpunuar mendimin se vendeve të tjera, që më parë bënin pjesë në Bashkimin e republikave socialiste sovjetike, duke përfshirë këtu edhe Gjeorgjinë, iu duhej akorduar pavarësia. Por, e dini se me çfarë argumenti? E para se një pjesë e popujve që jetojnë në këto vende nuk janë rusë, dhe se Rusia duhet të lehtësohej nga barra ekonomike, ushtarake dhe sociale e ndihmës për këto vende. Brenda kësaj gjeostrategjie gjykohet se pavarësimi i këtyre vendeve nuk do ta zbehte ndikimin rus në këto rajone, i cili do të mbështetej në lidhjet dhe ndërvartësitë e tregut tashmë të krijuar, në praninë atje të popullsive ruse, si edhe nevojat e tyre për energji nga Rusia, si edhe në një bindje se popullsitë e këtyre vendeve, ndonjëherë edhe shumë myslimane, nuk do ta pranonin pa rezistenca ndikimin ideologjik, tregtar dhe ushtarak perëndimor. Kurse në një plan gjeografik më të gjerë, Sollzhenicin dhe ndjekësit e panrusizmit dhe pansllavizmit, që nga koha e Tolstoit që edhe ai e shpall gati hapur këtë mentalitet politik, ndikimi rus do të mbështetej te sllavët kudo që ndodhen në botë a në Evropë. Prej, këtej edhe kundërshtia e tyre për pavarësimin e Kosovës. Syzat e tyre politike e shohin politikën dhe sjelljen politike të popujve, si të ndikuar nga identitetet e tyre etnike dhe fetare. Por, nëse zona përreth Rusisë përbën një zonë të nxehtë gjeopolitike për Rusinë, ku ajo vepron edhe ushtarakisht, e konsideron pjesë saj në planin ushtarak, Shqipëria dhe Ballkani është më larg këtij teatri luftimesh dhe skenarësh.

Nuk mendoj se problemi është thjesht te Rusia, problemi do të ishte nëse ideologjia pansllave e nostalgjizmit antiperëndimor dhe antidemokratik, kundër tregut të lirë, do të kishte ndonjëherë peshën sunduese atje. Ky ndikim do të ishte jo në interes të Shqipërisë, e cila, për arsye të të gjitha rrethanave që përcaktojnë fatin e popullit shqiptar ka zgjedhur politikisht prej kohësh rrugën e Perëndimit.

Në Shqipëri ende nuk ka sjellje sipas rregullave të ekonomisë së tregut. Ta zëmë nëse ngrihet çmimi i naftës, ai ngrihet menjëherë në Shqipëri, ndërsa kur ai ulet, grosistët shqiptarë nuk e ndjekin pas këtë prirje. Kështu ndodhi edhe javën që shkoi, ku ulja e çmimit ishte mjaft e vogël krahasuar me tregun e huaj. Kur mund të kemi një konsolidim të kulturës së tregut në vend? Ky është faj vetëm i tregtarëve apo në tërësi i infrastrukturës së tregut dhe i administratës këtu?

Ka shumë arsye, po këtu futet edhe sjellja e konsumatorit. Konsumatori perëndimor kur çmimi i një malli rritet, nis dhe braktis atë. Konsumi i tij nis e bie. Prandaj, çmimi nis e bie sepse nuk ka më treg për atë mall. Kurse shqiptari po t’i ngrihet çmimi i benzinës, kursen në anë të tjera, ul racionin e bukës, nuk blen aspirinat për dhimbje koke, nuk qethet, ecën me këpucë pa çorape, por karburantin e ble amà. Makina ose autovetura është hobi, obsesioni, mani më e madhe e shqiptarit sot. Ule çmimin, ngrije çmimin e karburantit, ka shqiptarë që nuk rrinë dot pa u kolovitur nëpër autoveturat e tyre që djegin lëndën energjetike sikur të ishin kombinate kineze në Elbasan, nga ata që Kina i prodhonte për t’i vendosur nëpër shkretëtira.

A mendoni se mund të ketë ndryshime të tjera në qeveri përgjatë vjeshtës dhe gjykoni se duhet të ketë ndryshime në kabinetin e Berishës?

Pyetje shumë e vështirë për t’iu përgjigjur sidomos nga një njeri si unë që shprehem në faqet e gazetës suaj jo si analist politik, as si njeri afër qendrave ku merren vendime politike, por thjesht si qytetar, me një formim dhe profil profesional në shkencat humane dhe sociale. Gjithsesi, nga studimet e mija, si kujtesë, më ka mbetur një mendim në ndërgjegje. Kryeministri Berisha nuk duket që lë përshtypjen se mendon që ministrat apo funksionarët e tjerë, në të cilët ai ka besim mund të ndahen në të aftë dhe të paaftë. Ose, ndoshta ai i klasifikon si të tillë, por së paku nuk tregon asnjë shenjë se ka bërë të tilla gjykime. Nuk mendoj se ka ndonjë besim të skajshëm te aftësitë individuale të njërit dhe tjetrit.

Kam përshtypjen se liderët socialistë kur kanë qenë në fuqi luanin shpesh edhe në planin individual, apo shpresonin se fuqia e një individi, apo bëmat individuale të ndokujt, mund të sillnin ndryshime pozitive në politikat e zbatuara, mund të rrisnin imazhin e tij në elektorat, pra, mund të ktheheshin në një mit masiv i ndërtuar rreth një ose disa personave të veçantë. Ndërsa rasti i zotit Berisha mua më duket i kundërt. Ai beson tek orkestra qeveritare që drejton vetë. Është ekipi, që sipas meje, ka vlerë më të madhe për të sesa individët që në fund të fundit janë zbatues të një politike më të centralizuar. Ministrat e qeverisë aktuale më duken më shumë si administratorë të lartë të një politike që vjen mbi kryet e tyre vertikalisht, sesa krijues të vullnetshëm të një politike spontane.

Unë nuk kam si ta di pikëpamjen e zotit Berisha lidhur me këtë çështje, por gjykoj, sikurse e thashë, thjesht nga analiza e një sërë lëvizjesh politike që ka bërë ai kur ishte President i Republikës, nga vijësjellja e tij lidhur me sekretarët e partisë demokratike dhe logjika e ndryshime që ai ka bërë në kabinetin e tij qeveritar.

Bashkëpunëtorët kanë ikur nga ai apo nga partia që ai drejton, të kënaqur, të pakënaqur ose të zemëruar, sipas rastit, por veprimin e ndarjes përgjithësisht e kanë bërë ata, dhe nuk mbaj mend shumë raste që të jenë shkarkuar.

Në periudhën e tanishme, lëvizjet e ministrave varen nga dy rrethana kryesore. Së pari, nga fakti se ministrat në një numër të caktuar të tyre shprehin marrëdhënie koalicioni partish. Nuk mund të cenohen kollaj këto marrëdhënie, ato janë më të rëndësishme sesa edhe vetë aftësitë individuale të këtij po atij ministri. Politika është marrëdhënie forcash dhe jo konkurs, ku vlerësohen aftësitë e këtij apo atij politikani. Mund të kesh agronomë shumë të zotë, por që nuk bëjnë për të zënë vendin e politikanit që drejton bujqësinë, mund të kesh policë shumë të zotë, që mund të zbulojnë krime realisht dhe jo të fabrikojnë fajtorë të pakapshëm, por që nuk bëjnë për të qenë drejtues politikë të dikasterit të punëve të brendshme, mund të kesh pedagogë shumë të zotë, por që nuk janë gati të drejtojnë politikisht arsimin, e kështu me radhë. Një ministër nuk fabrikohet duke e trajtuar si një nxënës që merr notat e maturës shtetërore, pra duke e pyetur sa bëjnë katër edhe katër, katër pjesëtim për dy, tre shumëzim për gjashtë e kështu me radhë.

Së dyti, lëvizjet e sotme brenda kabinetit qeveritar përcaktohen edhe nga marrëdhëniet midis grupit të deputetëve të shumicës. Por, ata mund t’i manipulosh fare kollaj. Gjysmën e parë të mandatit iu thua se duhet të prisni, pas pak vjen radha juaj. Kurse pas gjysmës së parë të mandatit, deputetët zbuten, qetësohen, bëhen vaj, sepse kanë nevojë të kenë mbështetjen e liderit të partisë për t’u rizgjedhur deputetë.

Pra, nga kjo pikëpamje, nuk besoj se as rrethana e parë dhe as faktori i dytë nuk ndikojnë që të ketë ndryshime në kabinetin qeveritar. Shikojini zëvendësimet që janë bërë deri më tani. Janë zëvendësuar ministra, të cilëve për faj ose jo të tyre, iu kanë ndodhur aksidente politike në karrierë. Zoti Mediu i republikanëve u fragjilizua politikisht prej Gërdecit, kurse zoti Ndoka, prej zhvillimeve virulente brenda partisë së tij, të cilat, fatkeqësisht, nuk arriti t’i kontrollonte. Në qeveri je interesant ose kur je i fuqishëm politikisht dhe sjell prurje elektorale për qeverinë, ose kur je shumë i dobët politikisht dhe prandaj i parrezikshëm për ekuilibrat lidhur me qeverisjen, pra kur konsiderohesh i sigurt se do t’i shërbesh asaj. Të mesmit duken si elemente jo fort të qëndrueshëm.

Përllogaritjet politike dhe fati kanë sjellë që partitë në koalicion me partinë demokratike të jenë të dobësuara në këtë periudhë finishi të mandatit elektoral dhe kjo është në të mirë të partisë demokratike dhe të qeverisë që drejtohet nga lideri i saj.

Partia republikane duket si ushtri e sapo dalë nga lufta.

Partia demokratike e re si i fundit i mohikanëve.

Partia ambientaliste si tren që rrëshqet për inerci mbi ca shina, të cilat e pengojnë të kthehet mbrapsht andej nga ka ardhur.

Partia demokristiane si kulla e Babelit.

Partia e të drejtave të njeriut i ngjan një njeriu të ngopur.

Të gjitha pothuajse të ardhura në një gjendje ku suksesi i mundshëm në garën e ardhshme elektorale do të përcaktohej vetëm nga aderimi i tyre në një koalicion të organizuar rreth partisë demokratike.

Lëvizjet brenda kabinetit qeveritar, pra, janë bërë duke përfituar nga aksidentet politike të ish ministrave. Nëse të tilla do të ketë në të ardhmen, sigurisht që do të ketë edhe lëvizje. Por, të gjitha këto lëvizje do të konturohen brenda një strategjie politike që sipas meje është ajo e kryeministrit Berisha. Formula e tij mbështetet në këto elemente :

Së pari, ruajtje e koalicionit duke tentuar drejt një shfuqizimi gradual të formulës një parti – një ministri. Kjo formulë, tani në fazën e fundit të mandatit mund të bëhej e rrezikshme sepse do të forconte me mjetet e shtetit parti të ndryshme në koalicion, që ashtu të fuqizuara artificialisht, me tesera anëtarësh që angazhohen vetëm për të ruajtur vendin e punës në ministri, do të kujtonin se mund të bënin edhe lojë autonome politikisht. Ministria e shëndetësisë, e mbrojtjes, e arsimit nuk janë sipas modelit një parti, një person, një ministri. Së dyti, pak e nga pak, (nuk e shikoni ju ?), po ngre një grup individësh, femra a meshkuj, të moshave dyzetë – pesëdhjetëvjeçare, që i ka afër, në nivele të ndryshme të administratës, të cilët, sipas meje, i takojnë një brezi të ri militantësh, të pangjashëm me ata që kanë hyrë tashmë në një moshë tjetër, mediatikisht të “ngrënshëm”, me një emër të caktuar, pak të politizuar, të gojës, me lidhje të caktuara me këta apo ata faktorë politikë të brendshëm apo të jashtëm, e që, sipas meje, do të përbëjnë forcën e tij goditëse elektorale në vitin e ardhshëm. Kam përshtypjen se me lëvizje të buta, disi të kamufluara, graduale, po nxjerr në publik skuadrën e tij elektorale për zgjedhjet e ardhshme. Nga kjo pikëpamje, për shumë arsye, edhe për faktin se zotëron mjete, ai është më përpara rivalëve të tij politikë, të cilët i kanë disi duart e zëna për arsye të tjera.

Pra, po t’i përgjigjem pyetjes suaj, sikurse e argumentova, edhe po të ketë lëvizje në kabinetin qeveritar, kjo do të ndodhi pas ndonjë aksidenti ose skandali, që asnjëherë nuk përjashtohen. Por, gjithmonë, një ndryshim, jo për të gjetur një nxënës më të mirë nga pikëpamja e kritereve të maturës shtetërore, por duke e renditur brenda një formule politike, me kriteret që iu thashë, të së kaluarës, së sotmes, së ardhmes, do të kryhet në respekt të formulës politike të sotme.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›