Gjirokastër; Asgjësohen 201 rrënjë bimë narkotike Kanabis sativa
Mbi 200 rrënjë Kanabis sativa janë asgjësuar si rezultat i një aksioni të policisë së Gjirokastrës në dy fshatra të zonës, ndërsa tashmë policia po punon për identifikimin e autorëve. Lajmi është konfirmuar një ditë më parë nga zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së qytetit jugor, Genti Soti, sipas të cilit, rreth orës 15;30 të së shtunës, Seksioni i Luftës Kundër Drogës, në bazë të informacioneve të grumbulluara në rrugë operative ka bërë një kontroll në fshatin Gjatë të komunës Lunxhëri të rrethit Gjirokastër, për evidentimin dhe shkatërrimin e parcelave të mundshme të mbjella me bimë narkotike. Sipas të dhënave, nga kontrolli është bërë e mundur që të evidentoheshin dy parcela të mbjella me bimë narkotike, disa metra poshtë varrezave të këtij fshati. Parcelat ishin hapur rishtas për kultivimin e bimëve narkotike. Në parcelën e parë janë evidentuar 94 rrënjë bimë narkotike Kanabis sativa, ndërsa në parcelën e dytë janë evidentuar 107 rrënjë bimë narkotike Kanabis sativa. Policia tha se gjithsej, janë evidentuar 201 rrënjë bimë të dyshuara si Kanabis sativa, ndërsa bimët varionin nga 160 centimetra deri në 270 centimetra të larta, të cilat janë asgjësuar në vend me anë të djegies, ku disa bimë janë marrë në cilësinë e provës materiale. Sakaq, në parcelë është gjetur një tub llastiku rreth 70 metra i gjatë, i cili shërbente për të ujitur këto bimë dhe tubi dilte nga një shtëpi pjesërisht e rrënuar, në të cilën nuk banonte njeri. Policia po punon për të identifikuar dhe kapur autorët që kanë kultivuar këto bimë, duke bashkëpunuar dhe me pushtetin lokal të komunës Lunxhëri. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme për veprën penale të “kultivimit të bimëve narkotike”.