Fokus/ Bumi turistik shqiptar, një halë në sytë e opozitës
Lajtmotivi i katër konferencave të fundit të partisë Socialiste është “përralla”. Saimir Tahiri, Ilir Beqja, Blendi Klosi dhe prapë dje Ilir Beqja, deputetë të opozitës brenda mesazheve të përditshme që kanë përcjellin për publikun javën e fundit kishin fjalën “përrallë”.
Dukej ashiqare dora e usta Ramës në hartimin e teksteve që akuzojnë qeverinë Berisha për gjithfarësoj gjërash, nga dështimi i turizmit tek vrasja në Elbasan, nga padisiplina fiskale tek zjarri në Priskë. Mund të quhet lajthitje renditja pa lidhje e ngjarjeve të ndryshme me luftën politike për pushtet. Por kjo skizofreni në dukje llafologjike është maja e ajsbergut e një cope akulli e një opozite që po shkrihen në deri në banalitete.
Sekretari për programin imagjinar të partisë Socialiste, Ilir Beqja i jep ushqim të përditshëm bishës së pasigurisë duke theksuar se jeta e sipërmarrja janë të kërcënuar njësoj si media.
Në thelb, Ilir Beqja është në njeri që ka sa herë konflikt interesi kur sulmon me pa të drejtë kundërshtarë. Sepse kur flet për pensionet a varfërinë në vend të kujtohet vendimi i prerë i Gjykatës Kushtetuese, që ia hoqi mandatin e deputetit sepse Beqja aksionar i një kompanie kompjuterësh kish fituar tender në bashkinë socialiste të Durrësit të Dakut, në kundërshtim flagrant me ligjin që i përjashton të zgjedhurit në tendera publikë. Kur flet për dështimin e turizmit shqiptar ka konflikt interesi me ndërgjegjen sepse para ca ditësh është parë të zbresë nga një jaht në jug të vendit për të shijuar një drekë në Drimadhes. Ndaj, konferencat për shtyp të këtij sekretarit të Ramës duhen marrë me pinca sepse në rastin më të mirë janë naïve, në rastin më të keq janë të shtura nga motive të dobëta politike.
Sigurisht kjo deklaratë për mediat e opozitës nuk bazohej në të dhëna e zhvillimit të turizmit në Shqipëri apo me studime shkencore të mirëfillta. Treguesit më të rëndësishëm të turizmit janë numri i turistëve të huaj, dhe të ardhurat e siguruara nga turizmi. Gjithashtu për të krahasuar zhvillimin e turizmit në një vend është e nevojshme llogaritja e kapaciteteve turistike të një vendi. Por deklarata e PS-së nuk kërkonte të “demaskonte” paaftësinë e qeverisë, por synimi i fshehur dukej në dëshirën për të frikësuar pushuesit e turistët potencialë.
Retorika mesjetare e ankesave për ujë e drita, kanalizime e aksidente rrugore, për plaçkitje dhe tritol agjencive turistike janë për të instaluar një klimë pasigurie tek qytetarët në radhë të parë dhe padyshim tek operatorët turistikë.
Padyshim sulmet e pa principta të partisë Socialiste ndaj një aseti kryesor të ekonomisë vendit siç është turizmi sinjalizojnë jo vetëm një papërgjegjshmëri politike, por në mënyrë të tërthortë bëhen “aleate” të agjencive turistike fqinje.
Sidoqoftë për sektorin e turizmit, PS-ja nuk është se ka ndonjë platformë apo ndonjë të dhënë faktike. Do të mjaftonte të shikonin statistikat e hyrje-daljeve të personave në Shqipëri, sipas sistemit kufitar TIMS, për të konstatuar një rritje të hyrje në territorin shqiptarë të turistëve të huaj. Nëse do të ishin të vëmendshëm do të shikonin statistikat e Policisë së Shtetit që deklarojnë se për 7 muaj të këtij viti kanë hyrë përveç qytetarëve të shumtë shqiptarë mbi 2 milion shtetas së huaj, përndryshe 277 mijë shtetas të huaj më shumë sesa një vit më parë. Ku 28 mijë qytetarë janë amerikanë, 28 mijë anglezë, 35 mijë italianë, 10 mijë anglezë, pastaj maqedonas e serbë. Sikurse Shqipëria priti gjatë 2011 afro 3 milionë turistë, duke u ofruar gjithçka të bukur ofron natyra shqiptare, nga deti, liqenet, malet, muzetë dhe ajo që biznesi ka investuar në funksion të turizmit. Ndërsa vendin e parë e zënë shtetasit e huaj me 2 milionë e 120 mijë vizitorë dhe 870 mijë vizitorë janë shtetas shqiptarë, rezidentë në vendet e huaja. Por jo vetëm turizmi i diellit e i rërës ka afruar turistët, por edhe turizmi malor dhe ai kulturor ka rritur numrin e turistëve këtë vit.