Tetovë, mijëra qytetarë nderuan Arbën Xhaferrin
Këshilli i Ministrave nderon me një minutë heshtje kujtimin dhe veprën e Arbën Xhaferrit
Dje në Tetovë iu dha lamtumira e fundit Arbën Xhaferrit në prani të mijëra qytetarëve të ardhur nga trevat shqiptare në Maqedoni dhe jashtë saj, personaliteteve politike shqiptare nga Kosova dhe Shqipëria, familjarëve dhe të afërmve, të cilët nderuan burrin e mençur që të gjithë jetën e tij ia kushtoi veprës së lirisë dhe të drejtave të shqiptarëve. Madje, një numër i madh qytetarësh të Tetovës iu bashkuan kortezhit të varrimit përgjatë bulevardit të qytetit. Në mbledhjen komemorative në pallatin e Kulturës në Tetovë, në emër të familjes Xhaferri, foli mbesa e të ndjerit Vjosa Xhaferri, duke shtuar se familja ka humbur udhërrëfyesin ndërsa kombi shqiptar pikën e referencës.
Ndërkohë në fjalën e tij, kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi tha se vdekja e ish liderit të partisë që ai sot drejton është një humbje e madhe për familjen, partinë dhe kombin shqiptar.
Në ora 13.30, në heshtje të plotë, shoqëruar me kurora lulesh duke filluar nga ajo e familjes së ngushte, institucioneve, partive dhe degëve të PDSH-se si dhe të pranishmëve të tjerë u nxor në duart e krerëve të PDSH-se arkivoli i Arbën Xhaferrit, që u vendos në veturën funerale dhe u nisën drejt banesës së tij të fundit në varrezat e qytetit të Tetovës. Kortezhi nisi nga selia e PDSH-së, partisë ku Xhaferri dha kontributin deri në minutat e fundit të jetës.
Më pas, kaloi përmes sheshit kryesor, duke u mbushur në radhët e tij, gjithnjë e më shumë nga qytetarë që e nderonin dhe i bashkëngjiteshin karvanit të gjatë të njerëzve.
Në ceremoninë mortore morën pjesë edhe përfaqësues politik nga Tirana si kreu i LSI-së, Ilir Meta, nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, ish kryeministri Pandeli Majko si dhe kreu i PS-së, Edi Rama. Prishtina përfaqësohej nga kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, Behxhet Pacolli dhe Mimoza Lila Kusari të AKR-së. Ndërsa nga faktori politik shqiptar në Maqedoni, ishin kryetari i BDK, Hysni Shaqiri dhe nga BDI, deputeti Hajrulla Misini. Ish-lideri i PDSH-së, Arbër Xhaferi ndërroi jetë në moshën 64 vjeçare pas një sëmundje të rëndë. Javën e kaluar Xhaferi kishte pësuar një goditje në tru derisa po qëndronte në banesën e tij në Tetovë. Arbën Xhaferri lindi në Tetovë më 24 janar 1948. Karrierën e tij profesionale një kohë të gjatë e kishte ushtruar si gazetar në Radiotelevizionin e Prishtinës, ndërsa pas viteve të 90-ta ai u shpërngul në Maqedoni, duke u përfshirë në skenën politike dhe që është një nga themeluesit e Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH). Që nga viti 2007, ai u tërhoq nga detyra e liderit të PDSH-së, ndërsa ishte emëruar kryetar i Asamblesë së përgjithshme.
Berisha: Frymëzim për realizimin e idealeve kombëtare
Këshilli i Ministrave nderoi dje me një minutë heshtje kujtimin dhe veprën e politikanit të shquar shqiptar, të Maqedonisë, Arbën Xhaferri, i cili u nda nga jeta dy ditë më parë.
Në nisje të mbledhjes së qeverisë, kryeministri Berisha ftoi ministrat e kabinetit që të nderojnë së bashku kujtimin dhe kontributin në politikë të zotit Arbën Xhaferri, të vlerësuar prej kryeministrit Berisha si “njëri prej politikanëve më të shquar të botës shqiptare, mendimtar, personalitet, lideri i urtë, i vendosur, i sprovuar, me një kontribut historik në promovimin dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të shqiptareve në Maqedoni, por edhe shqiptarëve kudo që ata jetojnë. Më lejoni t’ju ftoj ju, të nderojmë së bashku kujtimin dhe veprën e njërit prej politikanëve më të shquar të botës shqiptare, një mendimtari, personaliteti, lideri të urtë të vendosur, të sprovuar, me një kontribut historik në promovimin, mbrojtjen e lirive dhe të të drejtave të shqiptareve në Maqedoni, por edhe shqiptarëve kudo që ata jetojnë. Të nderojmë së bashku veprën e Arbën Xhaferrit, i cili luftoi ditët e fundit në një betejë shumë të egër me një sëmundje shumë të rëndë. Ai nuk e fitoi dot këtë betejë, por lë pas një trashëgimi të shkëlqyer, lë një kontribut thelbësor, lë pas në vizion që do i frymëzojë shqiptarët si komb, në rrugën e tyre të realizimit të idealeve më të larta njerëzore dhe kombëtare, ndaj dhe për të ndarë zinë me familjen e tij, me bashkëpunëtorët e tij më të afërt, me anëtarët e partisë që ai themeloi dhe udhëhoqi, me qytetarët shqiptarë të Maqedonisë dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë, le të nderojmë me një minutë heshtje kujtimin e tij”, theksoi kryeministri Berisha.