Fokus/ Edhe xhon-socialistët kanë Sofo Lazrat e tyre
Shkëlqimi dhe rënia e shokut socialist... Sepse së fundmi ka lindur një fenomen shumë interesant: deputetët e PS kanë nisur të shfaqen bujshëm dhe me shumicë në medien e shkruar si editorialistë, komentatorë dhe opinionistë të ngjarjeve politike dhe sociale. Kësisoj duke i dhënë një konceptim tjetër rolit të deputetit nga ai që i ka mandatuar me votë qytetari. Duke mos qenë në Parlament për gjashtë muaj, ata kanë mbijetuar me honorarë gazetash apo mediesh televizive. Afërmendsh ky profesion i ri, kinezëria e Politikës së re, shtrembëron identitetin e deputetit të kuvendit shqiptar, pasi është përfaqësuesit legal dhe i deleguar i qytetarëve nëpërmjet mekanizmit të votës.
Ndërsa sot po mbizotëron opinion-bërja narciziste e deputetëve socialistë, si rol i dyfishtë dhe surrogat të demokracisë parlamentare që vuan nga “debati” i drejtpërdrejt; që është zëvendësuar nga pikëtakimi i tërthortë i leximit të një opinioni të palëkundur, të një dokumenti të protokolluar me shkrim deputeti. Por shkrimi i mbetet kohës materiale, kurse oratoria në Kuvend nulifikohet pasi debati demokratik krijohet gjithmonë kur kemi të palë të kundërta në kohë dhe hapësirë të njëjtë. Ndoshta shkak për këtë aberracion është mosbesimi në komunikacionin verbal, atyre si duket ku mungon ligjërata drejtë apo
e zhdrejtë. Gjithsesi në ndihmë ose/dhe kompensohet nga të ashtuquajturit “gostwriter”
- shkrimtarë hije, pra profesionistë të penës që paguhet për të shkruajtur, libra, shkrime nëpër gazeta, revista, komunikata për shtyp, histori dhe receta kuzhine.
Për shembull diktatori Hoxha kishte për kalemxhi Sofokli Lazri ose/dhe redaktorin soc-komunist Spiro Dede që shkruanin fjalime, shkrime për shtyp, libra mbi teorinë e marksizëm-leninizmit. Ekzistenca e trashëgimtarëve, pra e gjeneratës së dytë të Bllokut natyrisht shartuar dhe modifikuar gjenetikisht nga diktatura, justifikon më së miri edhe ata që i quajmë kalemxhinj të oborrit socialist.
Kurrsesi kulti i injorancës, dhe paturpësia e idhullit të tyre Enver Hoxha është i atillë sa besojnë se mund të gënjejnë akoma me këto shkrime që përveç kinezërive, nuk kanë asnjë gjë. Si ahere kur tregoheshin me protokoll si të shokut Enver mijëra faqe të ngjyra me doktrinë komuniste ashtu sot kulti i aparencës intelektuale ka “pushtuar” rishtaret e Kuvendit. Mirëpo barra intelektuale e përbashkët e tyre është trashëgimia "partisë mëmë" PKSH. Ndonëse pinjollët e partisë komuniste janë në fasadë të konvertuar në plenumit e X-të, në qershor të 1991 si partia socialiste të Shqipërisë mbetet akoma qeliza të marra me vete si kalemxhi të tipit sofo lazri apo spiro dede. çunat e bllokut kanë probleme të qenësishme në përkufizimin e qëndrimeve të tyre politike.
Sot në vitin 2010, ne, kemi deputetë socialistë të pajisur me një Sofo Lazër të personalizuar ashtu siç kanë çdo njëri një telefon kanë edhe një pseudo-shkrimtar që u shkruan artikujt për shtyp.
Palmaresi i deputetëve është i gjatë sepse brenda kësaj liste gjen emra rishtarësh si: Ervin dhe Ditzi Bushati, Saikeq Tahiri, Artan Gaçi, Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri, si dhe deputete në tentativë Elisa Spiropali, apo të kryes si Olta Xhaçka, Ilir Beqja dhe së fundmi, i paharrueshmi për sytë Dashamir Peza, i njohur në publik me nofkën “Dashi”. Ky i fundit, jo më inteligjent se i ati Myslym Peza, ka gjetur një sofo lazër në ton minor për të bërë një shkrim në një të përditshme të majtë shekullore. Komentimi i shkrimit formalisht të Dash Pezës ndoshta do ta kemi parasysh për një herë tjetër, nëse thagma përsëritet. Por përditë e më shumë po vërtetohet fakti i njohur se “Kulla e Pezës” është
strofulla strategjike e Politikës së re, e cila së fundmi po flijon edhe misionin e ballafaqimit parlamentar dhe intelektual për kundruall të shtirjes narciziste kinse me radikal-chic.
Ndërhyrja flagrante në profesionet intelektuale jashtë sferës së formimit vetjak është tipike shqiptare, por në rastin e një deputet socialist kjo konturohet si hutimi identiteti, një humbje e madhe të një misioni fisnik. Kriza e vazhduar që po përjeton Partia Socialiste është burimi i krizës që ka opozita në përgjithësi. Për aq kohë sa socialistët nuk do të kthejnë legjitimitetin intelektual brenda partisë së tyre, nuk mund të presësh që ata të tregojnë përgjegjshmërinë e duhur qeverisëse përpara elektoratit shqiptar. Mirëpo përpara se socialistët të zgjidhin krizën e ideve opozitare, ata bëjnë mirë të zgjidhin krizën e
amoralitetit brenda partisë së tyre.
...