E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqipëria në fazën finale të heqjes së vizave, me rëndësi të tregohet gatishmëri për bashkëpunim”

Raportuesja për Shqipërinë në PE, Tanja Fajon

Eurodeputetja Tanja Fajon deklaron se në kushtet kur Shqipëria pritet të kapërcejë elementin e fundit pengesë për heqjen e vizave, palët politike në Tiranë duhet të tregohen të gatshme të bashkëpunojnë për të mirën e popullit dhe të vendit.

“Tani që Shqipëria është në fazën finale të liberalizimit të vizave bëhet edhe më e rëndësishme të tregohet gatishmëri për të punuar së bashku për më të mirën për popullin dhe për vendin. Në mënyrë që të vazhdohet në rrugën drejt integrimit europian, Shqipëria duhet të jetë efikase dhe konkrete kur vjen puna tek integriteti, sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore. Shqipëria ka nevojë të tregojë pjekurinë e saj politike më shumë se kurrë në këtë moment vendimtar për liberalizimin e vizave dhe duke pasur parasysh fuqizimin e procesit të integrimit europian të vendit”, shprehet Fajon.

Duke iu referuar kërkesave të opozitës për transparencën e zgjedhjeve parlamentare të

28 qershorit, të cilat diskutohen sot gjatë seancës plenare, raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon thotë se parlamenti shqiptar duhet të tregojë pjekuri politike në shqyrtimin e pretendimeve dhe se në mënyrë të bashkuar mazhoranca dhe opozita të arrijnë një zgjidhje pozitive dhe konstruktive.

“Përpara votimit në parlamentin shqiptar për ngritjen e një komisioni parlamentar hetimi, do të doja të theksoja rëndësinë e një dialogu bashkëpunues transparent dhe të përgjegjshëm mes palëve. Unë shpresoj sinqerisht se Parlamenti Shqiptar do ta ketë parasysh se kjo është po ashtu koha për të provuar pjekurinë politike dhe se në mënyrë të bashkuar do të arrijë një zgjidhje pozitive dhe konstruktive. Hetimi dhe masat e propozuara nga opozita duhet të arrijnë transparencën e plotë si themeli i përmirësimeve të rëndësishme në mënyrën se si do të zhvillohen zgjedhjet në të ardhmen për të përmbushur standardet ndërkombëtare. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të vendoset themeli i një dialogu konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës”, deklaron më tej, Tanja Fajon.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›