512 milionë lekë për zonat e përmbytura në Shkodër dhe Lezhë
Këshilli i Ministrave miraton vendimin për kompensimin financiar të dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet e ditëve të para të 2010-s
Kryeministri Sali Berisha u kundërpërgjigjet skeptikëve të Edvinit, lidhur me dëmshpërblimin e zonave të përmbytura nga reshjet e javëve të para të 2010-ës, në disa zona të vendit, kryesisht në Shkodër dhe Lezhë.
Në mbledhjen javore të Qeverisë, kryeministri Berisha ka informuar për vendimin e ekzekutivit për sa i takon dëmshpërblimit financiar të familjeve të përmbytura në Shkodër. “Qeveria do të kompensojë të gjitha dëmet e krijuara nga përmbytjet në Qarkun e Shkodrës”, u shpreh kryeministri Sali Berisha, dje në mbledhjen javore të Këshillit të Ministrave. Berisha tha se vendimi merret në përputhje me premtimin e qeverisë për të zhdëmtuar plotësisht çdo familje në përmasat e dëmeve, të krijuara nga përmbytja.
Në këtë drejtim, shefi i ekzekutivit garantoi se për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet do të dëmshpërblehet një për një çdo familje, pasi janë bërë llogaritjet e dëmeve. Duke iu referuar shifrave, Berisha tha se do të jepen 512 milionë lekë dëmshpërblim për orenditë dhe 20 milionë në Bujqësi.
“Në përputhje me premtimin e saj, qeveria do të ç’dëmtojë plotësisht familjet në përmasat e dëmit të krijuar nga përmbytjet. Vlerësimi i dëmeve për çdo familje u bë nga vendorët”, u shpreh kryeministri Berisha.
Kryeministri kërkoi nga Ministria e Mjedisit të përllogarisë edhe dëmet e krijuara në rezervatet e peshkut, në këto zona, në mënyrë që edhe ky sektor të mund ta rimarrë veten sa më shpejt. Berisha informoi se janë të gatshme për t’u lëvruar gjatë këtyre ditëve, fonde të tjera të rëndësishme, për rindërtimin e infrastrukturës së shkatërruar të zonës, në rrugë dhe argjinatura.
Lidhur më rindërtimin e argjinaturave, kryeministri Berisha kërkoi që Ministria e Bujqësisë ta shohë gjerësisht këtë problem, duke parë jo thjesht rregullimin, por rindërtim e plotë të tyre.
“Argjinaturat, nuk mund të ndërtohen me baltë, por duhet të marrin një rindërtim të plotë. Sigurisht, këto janë projekte të kushtueshme. Argjinaturat, të marra së bashku, shkojnë në dhjetëra kilometra, por ndërhyrjet duhet të fillojnë sa më shpejt dhe argjinaturat duhet të rindërtohen tërësisht, si ajo e Saçit, Dajçit, Kirit etj..”, tha Berisha.
Lidhur me përmirësimin e infrastrukturës, kryeministri shtoi se projekti i by pass-it në Shkodër, sapo ai të përfundojë, do të fillojë menjëherë nga zbatimi, duke kërkuar angazhimin e plotë të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit në këtë drejtim.
“Sapo të përfundojë projekti i by pass-it, i cili ishte thuajse i përfunduar, por detyrimi për ta shndërruar edhe në një argjinaturë për të mbrojtur lagjen Livadhe dhe në tërësi qytetin nga liqeni, bën që ai të rishqyrtohet, duhet të fillojë sa më parë nga zbatimi”.
Kryeministri bëri me dije se dëmet e krijuara nga përmbytjet do të përballohen nga qeveria dhe Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH).
“Familjet do të shpërblehen një për një për dëmin e krijuar, i llogaritur së bashku me të zotët e shtëpive, autoritetet e qarkut. Këtë dëm do ta përballojë qeveria, por do të kontribuojë dhe ndihmojë edhe KESH-i, i cili duhet të pranojmë se ka një performancë unike që kur është ndërtuar e gjer më sot. Dje, në 24 orët që kaluan, kaskada ka prodhuar 29.2 milion kilovat/orë energji, një prodhim ky i jashtëzakonshëm. Eksporti shkon në 14 milion kilovat/orë, edhe ky një zhvillim shumë pozitiv. Shqipëria, më parë se çmendoja, po bëhet një faktor i fuqishëm eksporti të energjisë. Askujt nuk ia priste mendja se mund të eksportoheshin 14 milion kilovat/orë energji në ditë. Mund t’ju informoj se nga data 1 mars e gjer më sot, çdo ditë janë eksportuar mbi 14 milion kilovat/orë dhe me këto ritme që po ecën, pritet që eksporti i energjisë të kapë vlerat të paktën 1.2 miliard kilovat/orë në tërësinë e vet”, deklaroi më tej, kryeministri Berisha.
Duke identifikuar, krahas përmbytjeve, si problematikë serioze, të shfaqur gjatë këtij dimri, edhe rrëshqitjet e tokës në disa zona të vendit, Kryeministri Berisha vlerësoi jashtëzakonisht të rëndësishëm faktin që nuk kemi pasur humbje të jetëve njerëzore si nga përmbytjet, ashtu edhe nga rrëshqitjet e tokës.
“Përveç përmbytjeve, shtoi kryeministri, në vend ka pasur edhe probleme të tjera serioze me rrëshqitjet e tokës në disa zona, si në Gramsh, Librazhd, Mallakastër, Kavajë dhe në mjaft zona të tjera, pasi ky është terreni i këtij vendi. Po ashtu ka pasur rrëshqitje të rrugës në segmente të tëra. Por, fatmirësisht, në këtë dimër që në Europë dhe në botë, vetëm nga faktori dimër dhe përmbytje, ka pasur me qindra viktima, në Shqipëri nuk kemi pasur viktima as nga përmbytjet dhe as nga shkarjet e tokës dhe kjo ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme”.
Qeveria miratoi dje edhe projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Austrisë, për ndihmën e ndërsjellë në rast të katastrofave ose të fatkeqësive të mëdha.
...