E Diel, 1 Nëntor 2026

Përtej infrastrukturës... për një politikë të re ekonomike

Nga Dr. Hysen Kobellari

Autori është Lektor absolvent në Universitetin “F.S.Noli” Korçë

Hyrje/Ekonomia botërore e kohës sonë u vu dhe vazhdon të jetë në provë; në një provë të vështirë të perspectivës. Zhvillimet shpërthyese të krizës ekonomike të fundit, të shfaqura në një trajtë specifike monetare (të kredive, teprimeve në spekulimet e bursës në formë kriptokumari, etj), nuk ishin të papritura për specialistët seriozë, njohësit dhe studiuesit e sistemit,por e papritur është shtrimi i pyetjes për të ardhmen e ecurisë së ekonomisë botërore; ideja e domosdoshmërisë për të kërkuar një rend të ri ekonomik botëror … Politikanë, economistë, sociologë, ekspertë shkencash të ndryshme kanë kuturisur të japin ide dhe argumenta për fundin e një sistemi zhvillimi dhe lindjen e një tjetri sistem.

Me kohë ekonomia botërore i ka ngjarë një vullkani në erupsion, i cili përkohësisht bie në qetësi, por pastaj shpërthen fuqishëm, kur në kohë dhe vende të ndryshme shfaqen kriza të niveleve dhe trajtave të lloj-llojta, që shpesh marrin përmasa globale tronditëse, si kjo e radhës. Këto kriza gjithnjë e më shumë vështirë se mund të bëhen zap... “Por ekonomitë u ngjajnë luanëve, janë të egra dhe të rrezikshme. Ekonomistët po bëhen zbutës luanësh... Nga ana intelektuale kjo është një detyrë plot me eksitime dhe e mbushur me vështirësi” (Xh.A.Akerlof; 1940, - nobel 2001). Ndërkohë, ekonomitë e vendeve të veçanta, që janë pjesë përbërëse e sistemit të ndërlikuar të ekonomisë globale, kanë një zhvillim tepër të pabarabartë në shumë aspekte. Tek kjo larmi ecurish e zhvillimesh qëndron gjithë bukuria e ndërtimit dhe e përparimit të botës; këtu duhet gjetur edhe rrënjët e pritshme të rendit të ri ekonomik...

Nëse kërkimi për të “gjetur” një rend ekonomik botëror të ri, pa kriza si këto të gjertanishmet, mund të ngjajë si utopi, idetë, studimet dhe orjentimet për gjetjen e mënyrave të reja të zhvillimit perspektiv të ekonomisë botërore në tërësi dhe ekonomive të vendeve të veçanta, që e përbëjnë atë, duhet të jenë të mirëpritura dhe të mirseardhura. 1- Vazhdimësia infrastrukturore/Infrastruktura e një rendi ekonomik të caktuar ka një kuptim shumë të gjerë, përfshin shumë sfera të jetës njerëzore. Ajo përfshin elementët kryesorë të Sistemit të Sigurisë Njerëzore (S.S.Nj). Duke përmendur 2 panele bazë, infrastruktura mund të jetë: materiale dhe shpirtërore… Infrastruktura, ndërtimi dhe përtëritja e saj e pandërprerë është jetike për një vend. Ajo ndërtohet dhe përtërihet në të gjitha elementët e saj përbërës. Jeta materiale e shpirtërore e shoqërisë njerëzore përparon e zhvillohet, kjo është prirja e përgjithshme e jetës njerëzore… Mund të konstatohet lehtësisht sot se në vendin tonë është krijuar një bazë e mirë e një infrastrukture të re materiale dhe shpirtërore, e ndryshme nga ajo e regjimit monist, me tipare e boshllëqe që pikasen lehtë. Në këto vitet e fundit është punuar më fort në këtë drejtim, kështu duhet vazhduar edhe në të ardhmen, për të kapur kohën e humbur, kohën kur kapacitetet ekonomike e njerëzore nuk premtonin për të ndërtuar një infrastrukturë bashkëkohore, me të gjithë elementët e saj të njohur… Ka kaluar një stad i caktuar i zhvillimit të vendit dhe kërkohet një tjetër dimension zhvillimi, një Politikë e Re Ekonomike.

2-Sistemi i Sigurisë Njerëzore (S.S.Nj.)/çdo rend ekonomiko-shoqëror në një vend të caktuar duhet të ketë si synim kryesor Sigurimin e jetës njerëzore, përmirësimin e pandërprerë të jetës materiale e shpirtërore të njerëzve të shoqërisë. Thelbi i saj është sigurimi i shtratit për zhvillimin e Lirisë individuale dhe progresit, në kuadrin e zhvillimit të Lirisë shoqërore përgjithësisht. Siguria njerëzore ngërthen në sistemin e saj këto elementë: Sigurinë ekonomike, Sigurinë ushqimore, Sigurinë shëndetsore, Sigurinë mjedisore, Sigurinë e jetës individuale, Sigurinë e jetës komunitare, Sigurinë social-politike, ku përfshihen liritë dhe të drejtat bazë të njeriut...

Përse në vendit tonë nevojitet një Politikë e Re ekonomike?/Arsyet janë të shumta. Niveli i mirëqënies së antarëve të shoqërisë sonë përgjithësisht është mjaft larg standardeve normale njerëzore; pabarazia sociale ka marrë përmasa shqetësuese; tek ne për shkak të mungesës së elementëve bazë të sistemit të sigurisë njerëzore po gëlojnë vese nga më të ulëtat, si krimi, mashtrimi, korrupsioni, trafikimi... Gjithnjë e më shumë po vështirësohet punësimi i njerëzve, një element i domosdoshëm për të patur njeriu siguri dhe qetësi shpirtërore. Idetë për ndërtimin e një Ekonomie të Mireqënies nuk janë utopike, por pjesë edhe e rendit aktual ekonomik. W.Pareto i famshëm si dhe shkencëtarë të tjerë (A.K.Sen, 1933-nobel 1998), etj, kanë thënë shumë gjëra për realizimin konkret të Ekonomisë së Mirëqenies. Lehtë mund të vihet re se në ecurinë ekonomiko-shoqërore aktualisht mungojnë cilësisht tre binarë themelorë: Prona, Punësimi, Zhvillimi Tekniko-Teknologjik dhe intelektual.

a-Prona, “Thembra e Akilit”/Prona sot në vendin tonë vjen nga një sistem ku “Pasuria ishte e të gjithëve dhe konkretisht e askujt. “Shumë ndryshime janë bërë gjatë këtyre viteve të postmonizmit, por problem i Pronësisë nuk është zgjidhur radikalisht e përfundimisht. Pronësimi i të papronëve u krye përgjithësisht gabim. Shpesh u bë me pronë ai që nuk e kishte, thënë më thjesht, prona ju dha atij që nuk i takonte, ose më saktë, pronë mori më i shkathti, më i shpejti, që nuk është e njëjta gjë po të themi, më i miri. Përsëri gjithë pasuria jonë kombëtare nuk është ndarë e gjitha, gjë që do të thotë se në qarkullimin ekonomik nuk është futur një pjesë e mirë e saj. Kjo i shkakton zhvillimit të vendit një deficencë të madhe; është një shpërdorim i madh. Gjithë pasuria e vendit duhet ta ketë një Zot, një Zotërues, që të ketë të drejtë ta posedojë dhe ta përdorë atë. Ky mund të jetë Individ ose Institucion plotësisht i përcaktuar me Ligj. Ndryshe, kemi të bëjmë me një prone -“Mall pa Zot.” Këtu duhet ndërtuar një Politikë e Re Ekonomike. Kjo politikë duhet shoqëruar gjithashtu me një Regjistrim të pronësisë, sa më të saktë, gjë që sot nuk është realizuar plotësisht e saktësisht. Një pjesë e pronës nuk është e regjitruar, pronë e luajtshme, apo e paluajtshme qoftë ajo. Fjala vjen traktorët bujqësorë e kombajnat nuk janë të regjistruara aktualisht, sa për të dhënë një shembull.

b – Punësimi, synim kryesor i Sistemit Financiar Kombëtar/Shpesh media synon të na “mbysë” me parada suksesesh të institucioneve në ruajtjen e treguesve makroekonomikë, a thua se ky është qëllimi kryesor i qeverive, sistemeve, politikave, liderëve, ekspertëve... Jo, ky nuk duhet të jetë qëllimi kryesor i tyre, por qëllimi i vërtetë është më i ‘‘thjeshtë‘‘, të krijojnë kushte që njerëzit të jetojnë më mirë, të rrojnë më njerëzisht. Pikërisht kjo gjë e thjeshtë nuk bëhët, se në të vërtetë nuk është aq e thjeshtë sa ç‘pandehet… Sistemi Financiar Kombëtar (S.F.K) nuk duhet të shpërndajë Para, por Punë, Punësim, besim dhe nxitje të veprimtarive prodhuese e shërbimeve që sjellin para të shtuara. Ka ardhur koha që premtimet për punësim masiv të popullsisë të bëhen realitet me çdo kusht. Ka plot mënyra për nxitjen dhe realizimin e një punësimi masiv, tashmë ato janë në programe qeveritare, shpresojmë jodemagogjike.

c-Zhvillimi tekniko-teknologjik intensiv dhe bashkëkohor/Shpesh protagoniste e zhvillimit të vendit del Sistemi Financiar Kombëtar, si shpërdarës i Parave Kombëtare. Po çfarë duhet të ndodhë? Ministritë e specializuara çfarë bëjnë? Për vite e vite me radhë bujqësia shqiptare dhe agrobiznesi u lanë pas dore. Vetëm tre vitet e fundit ato po ndihmohen me... pikatore, por ndihmohen, ama. Ndërkohë bujqësia, agrobiznesi, agroturizmi, bizneset e vogla përgjithësisht, mund të shndërrohen në një promotor të zhvillimit të gjithmbarshëm të vendit. Për këtë kemi modele të gatshme nga bota e zhvilluar, modeli zviceran, modeli norvegjez... Me investime të shpërqëndruara dhe joparagëlltitëse në këto fusha mund të happen mijëra vende pune, në zona rurale e urbane; mund të punësohet rinia, gratë; mund të bashkëpunohet me emigrantët për të investuar edhe ata, me garancinë dhe mbështetjen e studiuar të shtetit... Të gjitha këto kërkojnë një vendosje efikase të burimeve material dhe të veprimtarisë njerëzore; kjo duhet të ndodhë në të gjitha fushat e jetës, në industri, bujqësi, tregëti, etj.

Investimi në Teknikë, në Teknologji, në Shkencë, Letërsi e Arte është një lloj investimi në Infrastrukturë, në vazhdimësi të saj, përtej saj, po të doni ju...

Nobelisti J.M.Buchanan për “revolucionin kushtetues”/Në vendin tonë ka qënë e mundur zbatimi i idesë së Buchanan (1919-nobel 1986) për Duhet mundësuar ndalimi me Ligj Kushtetues i prirjes së politikanëve e të politikës për të krijuar deficite buxhetore e çekuilibre të tjera në politikat monetare në përfitim të marrjes së votave nga populli... Po ashtu edhe për të mënjanuar përfitimet e atyre që kanë pushtetin sipas motos së njohur “Pushteti prodhon Pushtet”. Fatkeqësisht, këto shtjellime shtesë nuk janë reflektuar në kushtetutën tonë...

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›