E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fokus/ Pse Edi Rama mban dy breshka në zyrë?

Burime të mirëinformuara për gazetën “55”, por edhe disa deklarime indirekte të kryeministrit Sali Berisha, ish-kryeministrit Ilir Meta dhe disa politikanëve të tjerë konfirmojnë faktin se Edvin Rama po mbaka e mbarështoka në zyrën e tij dy breshka, nga ato të llojit të zakonshëm, ordinere me një fjalë. Ende s’janë të qarta arsyet që e shtyjnë Edvinin t’i futet një havaleje të tillë, por gazeta po investigon për rastin. Aktualisht pistat kryesore po enden tek kujtesa që Edvini ka ndaj këtyre kafshëve. Dihet se Kristaq Rama nuk është se ka pasur ndonjë pasion për kafshë të tilla dhe as lagjja ku ka banuar në vegjëli Edvini nuk shquhej për praninë e këtyre kafshëve që në mitologjinë e shumë popujve janë sjellëse të fatkeqësive. Faktet flasin se edhe gjatë kohës kur ai çonte ditët në Akademinë e Arteve apo netët me një grup të ngushtë miqsh, breshkat nuk ishin shfaqur në horizontin e tij kulturor, artistik, sportiv, mjekësor a transhedental. Megjithatë, ka hyrë në historinë e kafeneve pranë bashkisë së kryeqytetit tmerri që Edvini u shkaktoi një grupi deputetësh në pension nga vendet skandinave, kur ai u lëshoi dy breshkat para këmbëve dhe e ndërpreu ligjëratën për të ndjekur panikun e ngadaltë që përhapnin kafshët e ngrata tek pleqtë e ngratë.

Gazeta është në përfundim të investigimit të vet dhe nesër do të japë informacione të mëtejshme, qoftë rreth pistave se pse Edvini po mbarështon breshka, por së pari edhe për njeriun që është ngarkuar për t’u kujdesur për breshkat e për t’u dhënë atyre për të ngrënë, ngaqë tashmë dihet prej të gjithëve se Edvini nuk është njeri familjar dhe s’ua thotë fare këtyre punëve.  

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›