E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fokus/Ad calendas graecas!

16-06-2013 / Nga Ali Cenaj

Ashtu si ju që keni pritur, dhe kësaj radhe fituat, edhe ne do të presim. Me durim. Derisa të armiqësoheni me Amerikën dhe Evropën, - më thoshte, kohë më parë, një politikane serbe, në ato bisedat joformale që zakonisht vijnë pas pjesës “zyrtare” të intervistës, kur bashkëbiseduesit zakonisht lirohen aq sa shpesh zbulojnë edhe sekretet që nuk do t’i thoshin kurrë publikisht. Duke ia përkujtuar atë sentencën “Ad calendas graecas” që nuk vijnë kurrë, i them me bindjen se kjo ditë e armiqësimit të shqiptarëve nuk do të vijë kurrë. Prit, të shohim, - më thotë, me një nënqeshje thumbuese. Dhe thotë se i kanë paralajmëruar edhe qarqet botërore për rrezikun që u kanoset kishave dhe manastireve në Kosovës që, sipas saj, duhet të rrethohen me tela gjemborë dhe të merren në mbrojtje nga ndonjë forcë ndërkombëtare, sepse të rrethuara nga shqiptarët, paskan mbetur në ambient armiqësor.
Jo, jo, jo. Mos u brengosni, asnjë rrezik nuk u vjen kishave e manastireve! Shqiptarët nëse kanë diçka për t’u krenuar, e kanë tolerancën fetare, atë që e kanë dëshmuar me shekuj. Më në fund, shqiptarët janë ata që i kanë ruajtur e mbrojtur edhe këta tempuj fetarë. E dini pse? Sepse në ndërdije i ndjejnë si tempuj të paraardhësve të vet, të ndërtuara shumë para dyndjes serbe në këto hapësira,- i them duke provokuar reagimin që i jep fund bisedës me konstatimin e saj se “me ty dhe të tillët nuk ka pse të flitet”.
Kur ishte zhvilluar ky dialog nuk kishin ndodhur ende këto rastet që më kthyen te politikania serbe dhe ajo thënia për durimin.Nuk kishte ndodhur as rasti i hoxhës së Prizrenit me moralizimet e ofendimet talebançe ndaj femrës shqiptare. E as ky skandali i fundit i këtij deputeti mjekrosh që me guximin e të çmendurit shkon deri aty sa godet thelbin e kodit të baraspeshës kombëtare duke e shpallur heroin kombëtar Gjergj Kastriotin, Skënderbeun, hero të katolikëve.
Dhe nuk ndodh asgjë, asnjë reagim institucional edhe pse tipi qenka deputet i Kuvendit, organit që do të duhej të ishte gardian i interesave nacionale.
Përkundrazi, në emër të lirisë së fjalë, ftohet gjithandej si bashkëbisedues në studiot televizive për të artikuluar të “vërtetën” që s’e paskemi ditur, se kombet, pra edhe ai shqiptar, janë krijuar shumë pas luftërave të Skënderbeut.
Deputeti që me pamje nuk dallon nga talibanët e Kandaharit por së paku emrin e ka shqiptar e sidomos mbiemrin e Kelmendasve dera e të cilëve nxori edhe papa Klementin XI, me ton e diskurs primitiv, me krekosjen e atij që i ka në pronësi të gjitha të vërtetat absolute të kësaj bote, na mban ders për atë se kush ishim e kush jemi. Dhe kush, ai dhe të tillët që në emër të fesë, mjekrave dhe kulturës orientale e kanë qitur veten në pazar. Dhe sado duan t’i paraqesin spontane, rastet që vijnë njëri pas tjetrit, tashmë nuk mund të mos identifikohen si pjesë e një inxhinieringu të menduar dhe të orkestruar mirë që po atakon qenien shqiptare dhe identitetin e tij evropian. Kinse e fillon hoxha, pastaj deputeti, pastaj prapë hoxha etj.
Një makineri agresive me synime tanimë të hapura për të shartuar identitetin, për të farkuar nga shqiptarët një identitet të ri, pa rrënjë, pa kulturë e histori ashtu që pastaj të mos dinë as vetë prej nga vijnë, kush janë e kah shkojnë. Sado t’u konvenojë që ta shesin si të tillë, kjo nuk është më liri e fjalës. Jo vetëm ky, pse të mos ndiqet penalisht sepse ka fyer ndjenjën kombëtare. Skënderbeun, që është dhe mbetet kryeheroi, frymëzuesi i të gjithë brezave që luftuan me pushtues të ndryshëm.
E tash, çka të thuhet për politikanen serbe. Atë që duket se nuk e kishte pasur vetëm blof, por paska ditur diçka kur thoshte se do të presin derisa të armiqësohemi me ata që na e dhanë dorën kur gjendeshim buzë varrit. Nëse do të takoja sërish, nuk jam i sigurt se do të isha aq absolut. Kalendat greke megjithatë mund të ndodhin. Edhe jemi sui generis, a po jo?!
Marrë nga e përditshmja e Prishtinës “Zëri”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›