E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot në Elbasan ndryshon Gjeografia dhe Historia e Shqipërisë

16-06-2013 / Gazeta 55

Tirana dhe Elbasani bëhen një, si përmbushje e një ëndrre shekullore që shndërrohet në realitet. Prej ditës së sotme, vetëm 20 minuta do zgjasë udhëtimi mes dy qyteteve, duke e shndërruar këtë hapësirë në një hinterland prej 1,5 milionë banorësh, me mundësi të pafundme tregu dhe punësimi. Rruga e re është pjesë integrale e Korridorit 8, e cila afron me Portin e Durrësit, jo vetëm Korçën e Pogradecin, por edhe Strugën e Shkupin

Mali i Krrabës s’do jetë më një shqetësim i përditshëm për qindra e mijëra qytetarë të cilët për arsye të ndryshme u duhet të udhëtojnë nga Elbasani drejt Tiranës dhe anasjelltas. Prej ditës së sotme, Krraba do të sodisë me zili veprën madhore që lidh në vetëm 20 minuta dy qytetet, nga 1 orë e 25 minuta kohë që i merr aktualisht gjithsecilit prej nesh. Inaugurimi i tunelit të Krrabës dhe autostradës bën që gjeografia dhe historia t’i nënshtrohen angazhimit, përkushtimit dhe vullnetit të qeverisë shqiptare në ndërtimin e veprave gjigante, të panjohura dhe padëgjuara më parë. Nga sot, mijëra qytetarë dhe qindra automjete do të kursejnë më shumë kohë falë rrugës së re; do shpenzojnë më pak si dhe do të kapin tregjet më lehtë dhe më shpejt. Këto janë disa prej arsyeve më sensitive në lehtësirat që krijon rruga e re, por gjithashtu ajo është edhe një mundësi e shkëlqyer punësimi, pasi për ndërtimin e saj u punësuan mbi 2 000 punëtorë. Por jo vetëm kaq. Mundësitë që ofron kjo rrugë janë të jashtëzakonshme dhe impakti i tyre do të ndjehet duke filluar nga dita e sotme. Tuneli i Krrabës është një histori suksesi dhe një dëshmi e qartë se Shqipëria po përsos standardet infrastrukturore, duke i ngjarë gjithnjë e më shumë një vendi europian. Larg militantizmave dhe emocioneve të momentit, të gjithë së bashku duhet të vlerësojmë dhe lartësojmë këtë vepër të jetësuar në një kohë rekord, pas 80 vitesh mundimi dhe torture nëpër thuajse 100 kthesat dhe malin e Krrabës. Kjo rrugë erdhi si rrjedhojë e një angazhimi solemn të kryetarit të Partisë Demokratike dhe njëherësh kryeministrit të vendit, Sali Berisha. Është në “dhuratë” që shefi i qeverisë shqiptare i bën jo vetëm qytetarëve të Elbasanit, por edhe të qytetarëve të Sarandës e Konispolit, Delvinës e Gjirokastrës, Tepelenës e Përmetit, Skraparit e Beratit, Gramshit, Kolonjës, Korçës, Pogradecit e Librazhdit, duke qenë ajo segmenti i parë e më i rëndësishmi i Boshtit të Jugut, vepër e cila është në ndërtim e sipër. Gjithashtu, tuneli dhe rruga Tiranë-Elbasan janë segmenti më i rëndësishëm i Korridorit 8-të, një tjetër projekt madhor që e sheh Shqipërinë si pjesë nevralgjike tregjeve të lindjes dhe perëndimit.
Një ëndërr e kahershme sot është realitet. Dukej e pamundur, madje komike për disa politikanë, por sot është në sytë e të gjithëve dhe ata, plëngprishësit janë strukur si vemje në errësirën e logjikës së tyre banale. S’kanë fytyrë të dalin para qytetarëve të Elbasanit, Librazhdit, Cerrikut, Gramshit, Përrenjasit, Mollasit, Rrajcës, Dumresë, Treganit e me radhë. Kjo sepse, pafytyrësia e tyre u demonstrua haptazi në votimin e projektbuxhetit në dhjetor të 2010-ës, kur nuk e votuan atë, nuk votuan buxhetin për tunelin dhe rrugën e re.
Një prej tyre, qarkullon sot nëpër Elbasan. Ben Blushi as ka denjuar të flasë dy fjalë për rrugën e re, edhe pse është protagonist negativ i saj...nisur nga deklarata e tij se, “rruga s’ka për tu bërë kurrë.... dhe, nëse kjo rrugë do të ndërtohet një ditë, unë do të marr teserën e Partisë Demokratike”! Ka qenë kjo deklarata e tij 2 vjet më parë. Po sot? Dega e Partisë Demokratike i ka përgatitur kartën e anëtarësisë dhe e fton në ceremoninë e inaugurimit të rrugës. Para se të mbërrijë në tubimin elektoral të Edi Ramës, sot pasdite në qendër të Elbasanit, Blushi dhe kryetari i tij, bëjnë mirë të kalojnë nga rruga e re dhe të ndeshen aty me zhvillimin, suksesin dhe vendosmërinë e qeverisë “Berisha”, për përmirësimin e jetesës së qytetarëve të këtij vendi. 
Pavarësisht, thirrja është për të gjithë shqiptarët. Sot, të gjithë te tuneli, të lartësojmë këtë vepër gjigante dhe të shprehim vlerësimet tona për protagonistët që bënë të mundur lidhjen e Tiranës me Elbasanin në vetëm 20 minuta. Pas inaugurimit, të gjithë drejt Elbasanit; një kafe në kalanë e qytetit dhe më pas, kthimi drejt Tiranës...rruga merr vetëm 20 minuta kohë! Ky është zhvillim!
L.Quku

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›