E Diel, 1 Nëntor 2026

Fokus/Berisha thyen rekordin personal në not, qëndron 132 minuta në detin e Dhërmiut

01-08-2011 / Gazeta 55

Edhe këtë vit, kryeministri Sali Berisha ka zgjedhur sërish bregdetin e Dhërmiut për të kaluar disa ditë pushimi. Kryeministri Berisha ndodhet në Dhërmi së bashku me familjen e tij, si dhe me nipërit dhe mbesat me të cilët është shumë i lidhur.
Ashtu si edhe një vit më parë, aktivitet kryesor të tij ai ka pasur notin.
Dje ai zhvilloi garën e tij tradicionale me veten e tij, garë gjatë të cilës kryeministri theu rekordin e tij të një viti më parë. Ai notoi plot 132 minuta kundrejt 127 minutave të një viti më parë. Gara filloi në ora 11.00 dhe u mbyll pas 132 minutave, pra në orën 13.12 minuta. Vëzhguesit e garës thanë se ajo zgjati më shumë se 132 minuta, por vetë kryeministri preferon të deklarojë si kohë noti 132 min dhe reston ta lerë për vitin tjetër. Ky është një rekord i ri për kryeministrin Berisha, i cili këtë vit ka qëndruar 4 minuta më shumë në ujë, krahasuar me vitin e kaluar. Vitin e kaluar ai ka notuar për 127 minuta. Në vitin 2009, kryeministri Berisha ka qëndruar në ujë vetëm 123 minuta, ndërsa në vitin 2008 kishte qëndruar 120 minuta.
Kryeministri Berisha nuk dëshironte ta bënte publike këtë veprimtari të tij private, por rrjedhja e informacionit në media bëri që Zyra e Shtypit ta zbardhë të vërtetën rreth këtij aktiviteti. Pushimi në Dhërmi gjatë sezonit veror për kryeministrin Berisha është kthyer në një ritual pothuajse të përvitshëm, duke mbetur një nga të paktët politikanë të vendit që zgjedh si destinacion për të kaluar pushimet gjithmonë bukuritë natyrore të Shqipërisë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›