“Ndryshimet Kushtetuese cenojnë stabilitetin politik, Rama kërkon të marrë Presidentin”

LSI/ Ylli Mnajani
Paketa për ndryshimet Kushtetuese e artikuluar disa herë nga kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, ka ngjallur jo pak debat brenda radhëve të juristëve. Ylli Manjani, ndërsa i referohet pikërisht këtij operacioni të tretë që tentohet t’i bëhet ligjit themeltar të shtetit nga ana e opozitës shprehet se përmes kësaj ndërhyrje politika synon të godasë stabilitetin dhe konstitucionalitetin në vend. Dhe për këtë zoti Manjani ngre gishtin ndaj Ramës si politikani që sipas tij e ka bërë ligjin themeltar të shtetit në barrierën e debateve të bulevardit, pas pengesës për ndryshimet kushtetuese të 3 viteve më parë, më 21 prill 2008, të bëra përmes një marrëveshje me mazhorancën.
“Kemi ndërhyrë 2 herë në një kushtetutë të re, konstitucionalizmi është kafshuar rëndë nga politika, stabiliteti ka marrë goditje të rëndë nga politika dhe përsëri i është i penguari Rama, i cili pasi e ndryshoi 2 herë kushtetutën kërkon ta ndryshojë përsëri. Pra, ka vënë kushtetutën në barrierën e diskutiemeve të bulevardit, sepse këtu po diskutohet për kushtetutën nga selia e PS tek selia e Presidentit. Dhe çfarë është më e keqja, ky diskutim i sotëm që vjen nga selia e PS, vjen si rezultat i një të penduari politik. D.m.th i penduari politik ka moral të kërkojë ndryshimet Kushtetuese, të cilat i bëri vetë për të legjitimuar pushtetin e vet që priste ta merrte. Kjo është e pandershme, është e padrejtë, është sigurisht, krejtësisht në kundërshtim me frymën e konstitucionalizmit në vend dhe me stabilitetin politik, juridik dhe demokratik që kërkon Shqipëria sot”, u shpreh Manjani.
Juristi Manjani shkon më tej në arsyetimin e tij, teksa i referohet këtyre ndryshimeve të cilat opozita pret t’i bëj publike me nisjen e sesionit parlamentar të vjeshtës.
Ai pohon se përmes kësaj pakete lidershipi i selisë rozë po synon të zhvendosë vëmendjen nga reforma zgjedhore, pas humbjes në zgjedhjet lokale të 8 majit.
“Duke çelur debatin për kushtetutën si qellim në vetvete, kërkon të shmangë vëmendjen nga problemet reale që ka vendi. Vendi sot ka nevojë për reformë zgjedhore, reformë për të cilën zoti Rama s’ka asnjë koment. Po ta vini re me vëmendje nuk flet asnjë fjalë për reformën elektorale. Nuk është penduar aspak që hyri në zgjedhjet lokale pa bërë reformën zgjedhore. Nuk është penduar aspak pse u rreshtua ai dhe PS kundër liberalizimit të vizave. Nuk është penduar zoti Rama për reformën në Prokurori. Janë të gjitha lojëra, frike politike, që ai përpiqet të dalë në skenën e shtatorit për të shmangur vëmendjen nga problemet kryesore”, deklaroi ai.
Për Manjanin ndërhyrjet sërish në ligjin themeltar të shtetit nga Rama, bëhet për të ndryshuar formulën e votimit të zgjedhjes së Presidentit. Ndonëse, thekson si, në natën e 21 prillit 2008, socialistët në unanimtet të plotë me 84 vota, kreu i shtetit të zgjidhet vetëm me 71 vota. I pashpresë pas humbjes së zgjedhjeve të 8 majit, sipas juristit Rama ka humbur edhe Presidentin. Ndaj, shton ai, kryesocialisti kërkon të pretë ligjin themeltar të shtetit, në interes të pushtetit të tij.
Për zotin Manjani, kryesocialistit tashmë i ka mbetur vetëm një rrugë, ajo për t’u dorëhequr nga drejtimi i partisë.
“Çelja e diskutimeve kushtetuta për kushtetutën dhe ka nxitur juristët e bulevardit që të bëjnë debate shterpë, nuk është serioze për një lider politik. Janë sfida shumë më të rëndësishme këto sesa pendesa e zotit Rama pse i ka ikur presidenti nga duart. Një lider politik nxit diskutime publike. Parlamenti është vendi ku organizohen debatet publike, nuk është bulevardi. Kushtetua e sotme është ende e pazbatuar 100%. Nuk mund të ndryshohet, ka një rregull të artë. Por e gjithë kjo përpjekje e zotit Rama është për të fshehur të vërtetën. Ai kërkon të shmangë vëmendjen nga reforma zgjedhore, zoti Rama nuk është i interesuar për reformën zgjedhore. Ai ndjehet mirë, ndjehet komod në Partinë Socialiste për të sunduar PS-në, shfaqet si i penduar gjasme, por kjo s’ka lidhje fare me pendesën pasi njerëzit e penduar japin dorëheqjen. Nuk ka të penduar në sistem, ka të penduar në burgun 313, po, kjo është e vërtetë, por jo të penduar politik që vazhdojnë të kenë fytyrë të tregojnë dhe të kërkojnë që duhen ndryshuar gjerat. Nuk është e vërtetë dhe nuk ka fytyrë të funksionojë kjo punë, nuk ka moral”, thotë Manjani.
Duke e cilësuar konfuz dhe aspak transparent në raport me publikun aksionin politik të fundit të Ramës, për të bërë sërish ndryshime kushtetuese Manjani thotë se në shtator, me çeljen e sesionit të vjeshtës opozita do të vijë me një paketë kushtesh për mazhorancën, taktikë që sipas tij, Rama do e përdorë në formë presioni ndaj qeverisë.
“Zoti Rama do të vijë me një listë çështjesh që ato realisht nuk bëhen, do t’i hedhë në diskutim politik dhe do të dalë në konkluzionin që, ‘ja unë doja të bëja reformën, por s’donte qeveria’, kjo është taktika që po përpiqet të bëjë zoti Rama. Është taktikë e lexueshme, fare e thjeshtë, është një taktikë shumë e trashë për hir të së vërtetës. Zoti Rama i ka përgjigje të pa thëna opinionit publik. Duhet t’i japë përgjigje opinionit se pse nuk voton Gjykatën Administrative? Pse nuk angazhohet për të plotësuar 12 pikat e statusit të vendit kandidat? E shumë të tjera. Të gjitha këto janë përgjegjësi e zotit Rama dhe Partisë Socialiste”, thotë më tej Manjani.
Debati për ndryshimet kushtetuese erdhi pikërisht pas një deklarate të bërë nga vetë kryesocialisti Edi Rama, i cili shprehu pendesë për prekjen e Kushtetutës në 2008-ën dhe ku artikuloi njëherazi tezën për ndryshime në ligjin themeltar të shtetit. Por deklarata e Ramës ngjalli jo pak raste në kampin blu, ku Kryeministri Berisha i është përgjigjur në jo pak raste rivalit të tij politik se Kushtetuta nuk mund të preket sa herë ndryshon karrigia e ndonjë politik. Gjithashtu, edhe aleati më i ngushtë i demokratëve në qeverisje, Lëvizja Socialiste për Integrim, e njohur për qëndresën e bërë në vitin 2008, është pozicionuar prerazi kundër një ndërhyrje të tretë në ligjin themeltar të shtetit.