Pritet një fitore e pastër e kandidatëve të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”

Kalojnë pa probleme zgjedhjet e pjesshme në 9 njësi vendore
Dje u zhvilluan zgjedhjet lokale në 9 njësi vendore, të cilat më 8 maj u ndërprenë për arsye teknike. 36 mijë qytetarë me të drejtë vote kanë votuar në 9-të njësi vendore, për kryetar komune dhe këshillin e komunës.
Ndërkaq, më 8 maj në 3 prej këtyre njësive, zgjedhjet nuk u zhvilluan, ndërsa në 7 të tjera Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Kolegji Zgjedhor, shpallën pavlefshmërinë e tyre, për shkak të parregullsive që u vërejtën gjatë procesit zgjedhor. Pavlefshmëria e zgjedhjeve në këto njësi vendore erdhi pas ankimimit të forcave politike. Por, edhe pas këtij “raundi të dytë” të vendoreve, përsëri zgjedhjet nuk janë zhvilluar në të gjitha njësitë e parashikuara.
Sipas raportimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, votimet e djeshme janë mbajtur në nëntë komuna, duke përjashtuar komunën Shalë në Shkodër, ku votimet nuk janë zhvilluar, për shkak se Partia Socialiste nuk emëroi komisionerët. Zgjedhjet u mbajtën përkatësisht në komunat Shllak, Pishaj, Mollas, Kolsh, Finiq, Komuna Qendër-Skrapar, komuna Armen, Paper dhe Zall-Dardhë. Votimi ka pasur gjithashtu probleme edhe në komunat Shllak dhe Finiq ndërkohë që KQZ ka thënë se problemet kanë ardhur si pasojë e komisionerëve të propozuar nga opozita të cilët nuk plotësonin kriteret.
Qendrat e Votimit në nëntë njësitë vendore u mbyllën rreth orës 19:00, ashtu siç edhe parashikohet në Kodin Zgjedhor. Në KZAZ-të përkatëse, sot në orët e para të mëngjesit ka nisur procesi i numërimit. Sipas KQZ-së, gjatë pasdites pritet të dalin rezultatet përfundimtare të 9-të njësive vendore. Ashtu sikurse më 8 maj, edhe në këto zgjedhje të pjesshme vendore, pritet një triumf i kandidatëve të koalicionit të djathtë “Aleanca për Qytetarin”. Nga ana e Partisë Socialiste dhe koalicionit opozitar, është vërejtur një neglizhencë e theksuar ndaj zgjedhjeve të pjesshme të 31 korrikut.
KQZ, Ristani: Vazhdon tendenca për bllokimin e zgjedhjeve/Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u mbodh dje gjatë kohës kur në 9 njësi vendore zhvilloheshin zgjedhjet për kryetar komuna dhe këshillat komunalë. Në fillim të mbledhjes kreu i KQZ, Arben Ristani duke i’u referuar vendimeve të Kolegjit Zgjedhor mbi ankimimet e PS, deklaroi se vendimet e KQZ kanë qenë të drejta dhe të bazuara në ligj. KQZ diskutoi për vijimin e procesit në 9 njësite vendore ku votohej ndërkohë, ku raportimet ishin se zgjedhjet po vijonin normalisht dhe pa incidente. Pavarësisht korrektësisë së procesit të administruar nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përsëri tendenca e forcave politike ishte për të bllokuar edhe këto zgjedhje të pjesshme.
Shqetësimin e ngriti vetë kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Arben Ristani, i cili akuzoi përfaqësuesit e opozitës se po tentojnë të cenojnë procesin. “Ka të dhëna se eksponentë politikë po tentojnë të bllokojnë procesin e zgjedhjeve në komunat që po diskutojmë. KQZ u mblodh një ditë më parë për të plotësuar emërimin e komisionerëve të Qendrave të Votimit, të cilat ishin bllokuar nga përfaqësuesit e politikës”, u shpreh Ristani. Nga ana e saj, përfaqësuesja e PS-së, Dëshira Subashi ka propozuar që inspektorët së bashku me anëtarët e KZAZ-së, të mos përjashtohen, nëse ata marrin përsipër të shoqërojnë bazën materiale. “Ne nuk kemi pse i përjashtojmë. Nuk është në tagrin e punonjësve të KQZ-së, të thërrasin forcat e policisë”, u shpreh Subashi.
Po ashtu në mbledhjen e sotme është diskutuar edhe për zgjedhjet në komunën Shllak si dhe për vulën e humbur në komunën Finiq, të cilën KQZ e zëvendësoi në kohë rekord me vulën e re.
Ersekë, votimi në Mollas, normalisht dhe pa incidente/Rreth 3 mijë votues në komunën Mollas në Ersekë, i janë drejtuar edhe një herë njësive të votimit, për të shprehur vullnetin e tyre në lidhje me zgjedhjen e këshillit të komunës. Procesi i votimit për këshilltarët e kësaj komune, nisi normalisht që prej orës 07:00 të mëngjesit, ndërsa u mbyll në orën 19:00. Banorët i janë drejtuar qendrave të votimit, ndërkohë që numri i tyre erdhi në rritje orë pas ore. Sipas kryetarit të KZAZ-së, Ibrahim Osmani shkak i përsëritjes së zgjedhjeve ka qenë pikërisht një ngatërresë e fletëve të votimit të kësaj komune, në zgjedhjet e 8 majit. Ai ka sqaruar se votohet vetëm për Këshillin e Komunës dhe se procesi vijoi normalisht dhe pa probleme.
Votimet në Armen të Vlorës, të qeta dhe të rregullta/Zgjedhjet në komunën e Armenit, të rrethit të Vlorës u zhvilluan të qeta dhe të lira. Qendrat e votimit janë hapur në orën 08:00 të ditës së sotme dhe do të qëndrojnë deri në orën 19. KZAZ në Vlorë deklaron se janë ndarë materialet zgjedhore dhe çdo gjë po shkon normalisht. Në këtë komunë, garojnë për kryetar komune, kandidati i PD-së, Kliton Haxhiraj përballë kandidatit të PS-së, Albert Hoxhaj. Numërimi i votave për kryetar të kësaj komune, ka filluar sot në orët e para të mëngjesit, ndërsa deri në orët e pasdites KQZ do publikojë rezultatin zgjedhor.
Shkodër, pezullohen zgjedhjet në komunën Shalë/Procesi zgjedhor, i cili duhet të kishte nisur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në Komunën Shalë, është pezulluar. Shkak i këtij pezullimi kanë qenë problemet me komisionerët e të dy forcave politike. Kanë qenë përfaqësuesit e PS-së ata që nuk kanë pranuar zhvillimin e zgjedhjeve, duke pezulluar kështu procesin e votimit në komunën e Shalës. Në fakt procesi ka nisur që herët në mëngjes me probleme, ku baza materiale e cila duhet të ishte që në orët e para, është dërguar me vonesë nga KZAZ-ja 42, që ndodhet në qytetin e Shkodrës.
Ndërkohë që në fshatin Theth shumë banorë janë drejtuar për të votuar, por janë përballur me dyert e mbyllura të Qendrave të Votimit, ndërsa komisionarët mbeteshin në pritje të materialeve zgjedhore. Nga ana tjetër, forcat e policisë kanë shprehur gatishmërinë e tyre për ruajtjen e sigurisë në Komunën Shalë dhe Shllakë të Shkodrës. Megjithatë, kjo komunë do njihet me kryetarin e saj, pasi të jetë përcaktuar një datë tjetër për zhvillimin e zgjedhjeve vendore.
Policia, me grupe të posaçme në terren – garantoi procesin/Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit angazhoi dje policë të trajnuar për shërbime në procese zgjedhore, me qëllim garantimin e procesit. Në të 10-a njësitë vendore, ku u votua për kryetar komune dhe këshillat komunalë, Policia e Shtetit arriti të përmbushë me sukses mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Në asnjë prej njësive vendore nuk pati raportime për incidente, ndërsa efektivë të forcave të policisë kanë qenë pranë qendrave të votimit deri në mbylljen e procesit rreth orës 19:00. Sipas detyrimit të përcaktuar në nenin 11 të Udhëzimit Nr. 7 të KQZ-së, punonjësit e Policisë kanë qëndruar jashtë ambienteve të Qendrave të Votimit. Pas mbylljes së procesit të votimit në të gjitha njësitë vendore, Policia shoqëroi dorëzimin për në Qendrat e Numërimit, të të gjitha kutive të votimit si dhe materialeve e procesverbaleve zgjedhore. Gjatë këtij procesi nuk është shënuar asnjë incident. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit thekson gjithashtu se të gjitha drejtoritë rajonale kanë përmbushur me sukses garantimin e lirisë dhe sigurisë së procesit të votimit në 9 njësi vendore. Efektivët e Policisë kanë treguar profesionalizëm dhe zbatim rigoroz të ligjit. 102 objekte u ruajtën nga policia e shtetit, 88 prej të cilave janë Qendra Votimi. Roli dhe qëndrimi i policisë ka marrë vlerësime të kënaqshëm jo vetëm nga subjektet politike, por edhe nga partnerët ndërkombëtarë që monitoruan zgjedhjet lokale të 8 majit.