Lajmi/Privatizimi, 850 milionë euro për “Albpetrol”, nga kompania amerikane “Silk Road Equaity”

Zhvillohet tenderi për privatizimin e kompanisë shtetërore “Albpetrol”. Në garë morën pjesë 6 kompani, të cilat sollën dokumente brenda afatit. Gjatë tenderit ra në sy që oferta më e lartë ishte ajo e kompanisë amerikane, me bazë në Cikago, Silk Road Equaity, e cila ofroi një vlerë prej 850 milionë euro. Po ashtu, edhe kompania tjetër Amber Shine ofroi një vlerë të lartë për blerjen e kompanisë prej 750 milionë euro, ndërsa firma gjigande ruse në fushën e gazit e të energjisë, GAZPROM ofroi një nga vlerat më të ulëta, prej 52 milionë dollarësh. Komisioni i drejtuar nga zv/ministri i Ekonomisë Sokol Dervishaj përbëhej nga specialistë të Ministrisë së Ekonomisë, Financave, dhe asaj të drejtësisë. Sipas kreut të komisionit Dervishaj të gjithë anëtarët e komisionit kanë firmosur një deklaratë që nuk kanë konflikt interesi. Gjithashtu Dervishi theksoi se në fazën e parë do të bëhet shqyrtimi i gjithë dokumentacionit. Në fazën e dytë komisioni i vlerësimit do të shqyrtojë dhe vlerësojë ofertat deri në shpalljen e fituesit, i cili do të bëhet publik në një moment tjetër nga Ministria e Ekonomisë. Pas dorëzimit të ofertave për blerjen e aksioneve, komisioni i ngritur nga Ministria e Ekonomisë do të vlerësojë ofertuesin më të mirë dhe brenda këtij viti pritet të shpallet fituesi. Pjesë e komisionit vlerësues, por pa të drejtë vote, do të jetë edhe përfaqësues nga firma amerikane konsulente për privatizimin “Pattern Boggs”. Paketa e aksioneve të Albpetrolit përfshin të gjitha asetet e ndërmarrjes, lejet dhe licencat për shfrytëzim dhe kërkim deri në një periudhë 25 vjeçare, ku përfshihet edhe ajo për transmetimin e gazit dhe shpërndarjes së tij që do të mundësohet nga ndërtimi i gazsjellësit TAP, si edhe të drejtën e blerjes së emrit për të konkurruar në treg.
Reuters: Fituese kompania që paraqiti ofertën më të mirë/Privatizimi i “Albpetrol” ka tërhequr vëmendjen e mediave botërore për faktin e vetëm se të interesuara për të fituar tenderin janë kompani nga e gjithë bota. Vëmendja e agjencisë prestigjioze të lajmeve, “Reuters” është fokusuar tek oferta e kompanisë amerikane Voltro Silk Road Equity Ltd, e cila ofroi 850 milionë euro. Sipas “Reuters” kjo ofertë është më shumë se dyfishi i vlerës së vendosur mbi asetet e firmës së naftës që zotërohet nga shteti shqiptar. “Reuters” shkruan se, “Oferta e Voltro Silk Road Equity Ltd, e barabartë me 10 për qind të prodhimit të brendshëm bruto të Shqipërisë (PBB), ishte një nga pesë ofertat e hapura të premten përpara një audience që përfshinte gazetarët, kompanitë e tenderit, dhe anëtarët e bordit shtetëror”. Më tej, “Reuters” sqaron se blerësi do ketë mundës të shfrytëzojë të gjitha asetet mbitokësore të “Albpetrol”. Referuar burmive zyrtare nga Ministria e Ekonomisë shqiptare, Reuters shton se ende nuk është vendosur një datë për shpalljen e fituesit.
Kompanitë që paraqitën ofertat
1-Ecolog International -pa garanci oferte, dhe as çmim
2-Gazprom- 52 milionë dollarë
3-Voltro Silkiroad Equite Ltd-850 milionë euro
4-Bankers Petrolium -çmimi 303.8 milionë euro
5-Consorcium Vin Bussines-ofron 297 milionë e 600 mijë euro
6-Amber Shine INC -pa garanci oferte, çmimi 790 milionë euro