Fokus/Dritëhijet e remitancave në të gjitha ekonomitë e vendeve të Ballkanit
Në kohën e krizës ekonomike si shumë të rëndësishme për vendet e varfëra paraqiten paratë, prej emigrantëve në vendet perëndimore. Në vendet e Ballkanit pritet që vera të sjellë më shumë para prej këtyre burimeve. Fillimi i ngadalshëm shumë shpejt shndërrohet në një ngritje të shpejtë. Avioni sportiv me ngjyra të flamurit të Serbisë ngrihet lart dhe pas disa minuta akrobacish ulet në tokë. Nga avioni, në të cilin shkruan "Made in Serbia", zbret Milorad Matic. 37 vjeçari nuk është vetëm pilot, por edhe pronar i avionit sportiv. Ai është pronar i një fabrike të tërë avionësh, të cilën e ka krijuar para tre vitesh në vendlindjen e tij në Kralevë, rreth 180 kilometra larg Beogradit. Në fabrikën me emrin "Aero-East-Europe" ka 25 të punësuar. Kapitalin fillestar për këtë farbrikë Milorad Matic e ka fituar me punën e tij në Gjermani, ndërsa këtë punë e ka mësuar në Itali dhe çeki. Para dy dekadash Matic ka shkuar në perëndim, sepse ai me familjen nuk kishin as bukë për të ngrënë. Fillimisht ka punuar në ndërtimtarinë rrugore në Itali e më pas ka themeluar vetë një siparmarrje ndërtimi në jug të Gjermanisë. Ai ka fituar mjaft për të realizuar ëndrrën e tij të fëmijërisë, që të fluturojë. Dhe më pas është kthyer në Serbi.
Ndihma për vendlindjen detyrë patriotike/”Kush jeton në botën e jashtme, e ka më të zhvilluar ndjenjën patriotike. Kur është këtu, nuk i mungon vendi i tij. Por secilin, që largohet e tërheq diçka në vendin e tij, e tërheq ndjenja patriotike”. Milorad Matic thotë se këtu ka investuar nga dashuria për atdheun. Deri sa ka jetuar jashtë, ai ka mbështetur financiarisht familjen dhe shokët në atdhe, si edhe shumë serbë të tjerë, që jetojnë në Itali, Gjermani, Austri, apo në Zvicër. "Sa ndihmon diaspora njerëzit, që jetojnë në vendlindje? Shumë! Njerëzit nga diaspora dërgojnë shumë para. Shumë familje pa këto ndihma nuk mund të mbijetojnë. Secili sjell këtu para ose përpiqet të ndërtojë vetë diçka". Gjithandej në Serbi, Kosovë, apo në Shqipëri mund të gjesh shtëpi të reja, të ndërtuara së fundi nga paratë e fituara në botën e jashtme. Marco Mantovaneli, shef i zyrës së Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, me seli në Sarajevë shpjegon: “Ne nisemi nga fakti që sasia më e madhe e parave shkon tek familjet më të varfra, te ata, që kanë më së shumti nevojë. Familjarët, që punojnë në vendet tjera, i mbështesin ata, që kanë mbetur në vendlindje dhe marrin një rol shumë të rëndësishëm të një rrjeti të sigurimit social". Ekspertët ndërkombëtarë vlerësojnë se sasia e parave të dërguara prej emigrantëve në Bosnjë-Hercegovinë përbën 15 përqind të prodhimit bruto, që vitin e kaluar ishin rreth 2,5 miliardë dollarë amerikanë. Shitësja e luleve Nermina thotë se janë të paktë ata, të cilët në kohërat e krizës blejnë lule. Edhe atë e ndihmojnë kushërinjtë, që në fillim të viteve 90 kanë ikur në Amerikë. “Ata dërgojnë disa herë në vit nga disa qindra dollarë. Më shumë nuk kanë, sepse kanë marrë kredi për vete. Shpresoj se do të dërgojnë edhe më shumë, sepse ndryshe nuk mund të mbijetojmë. Nga shitja e luleve ndonjëherë nuk mbetet asgjë as për të ngrënë darkë”. Pak më larg është një shitës i perimeve. Ai i zemëruar thotë se kriza ekonomike i ka bërë vëllezërit dhe motrat e tij në Gjermani më kopracë.
Për shkak të krizës vijnë më pak para/Ata dërgojnë pak. Thonë se ata i kanë punët më keq se ne këtu, sepse nuk kanë punë. Ndonjëherë na ndihmojnë, por befasohem, kur dëgjoj se dikush i ka dërguar fqiut tim më shumë para se mua familja ime. Ata i dërgojnë ndonjë herë nga 10 euro". Të varfërit dhe të dobëtit janë ata, të cilët preken të parët nga kriza, paralajmërojnë përfaqësuesit e Bankës Botërore. Sistemet sociale dhe ekonomike të shumë vendeve do të shkatërroheshin pa ndihmën e emigrantëve. Por është fakt që këto sasi kanë rënë në disa vende gjatë vitit 2009 për rreth 20 për qind. Në Bosnjë-Hercegovinë është dërguar gati gjysëm miliardi dollarë më pak se në vitin 2008. Në Shqipëri, ku shuma e ardhur e parave prej njerëzve, që punojnë në vendet tjera është rreth 12 për qind e prodhimit bruto, kanë mbërritur më pak rreth 200 milionë dollarë në Maqedoni mbështetja ka mbetur e njëjtë, rreth 400 milionë dollarë. As në Serbi kriza nuk ka ndryshuar gjendjen. Që prej viti 2004, sipas vlerësimit të Bankës Botërore, në Serbi kanë hyrë prej emigrantëve në vendet tjera rreth 30 miliardë dollarë. Qeveria në Beograd do të donte që shtetasit e saj të investojnë jashtë vendit, por edhe në vend. Por shumë prej tyre përballen me problemin e korrupsionit dhe ryshfetit. Milorad Matic këto ditë ka probleme me bankat.
Paratë të mirëpritura, por jo njerëzit/”Shumë duan të punojnë. Por sipërmarrjet falimentojnë për shkak të problemeve, sepse njerëzit i japin kursimet e tyre dhe më pas falimentojnë. Unë kam humbur këtu rreth një million euro. Këto para i kam fituar në botën e jashtme e kur jam kthyer në Serbi, dikush i ka shpenzuar". Emigrantët duhet të vendosin mes zemrës dhe arsyes. Vendet e Ballkanit kanë nevojë për mbështetje, por ata, që kthehen, nuk janë tepër të kënaqur, sikur edhe Milorad Matic. “Kam gabuar që jam kthyer. Zemra më thotë ke bërë mirë, sepse këtu janë gruaja, fëmijët, prindërit dhe e gjithë familja ime. Por financiarisht ka qenë gabim, sepse në një vend tjetër do ta kisha shumë më mirë". Aeroplanët nga fabrika e tij shiten në botën e jashtme. Miloradi është kthyer me aeroplanët e tij në vendlindjen e vet, por ulja në tokë deri tani ka rezultuar si shumë e vështirë.