Çuditë e Edi Ramës dhe Lizave të tij politike
Të gjithë e kemi lexuar librin “Liza në Botën e çudirave” kur kemi qënë në një moshë relativisht të vogël, i cili flet për një vajzë që udhëton në një botë të trilluar dhe ka si mision kryesor të zgjidhë probleme të trilluara që kanë krijesat e kësaj bote.
Mesa duket Liza s’qenka vajza e vetme që ka bërë një udhëtim imagjinar, sepse pas saj, kemi z.Edi Rama, i cili qëkur ka ardhur ne krye të Partisë Socialiste është futur në një “udhëtim në një botë irreale”, i cili kërkon të zgjidhë probleme irreale dhe jo aktuale për krijesat e botës se tij të quajtur shqiptare. Kjo më ben të mendoj se selia e Partisë Socialiste është transformuar në një portë jashtëdimensionale, nga ato të filmave fantastiko-shkencor, e cila i bën anëtarët brenda saj te udhëtojnë në ndonjë univers paralel. Pyetja që lind është se si paraqitet Shqipëria ne këtë botë imagjinare në të cilën kryetari i partisë më të madhe opozitare, si dhe anëtarët e saj e frekuentojnë shumë shpesh? Edi Rama dhe “ndjekësit” e tij në këtë botë e imagjinojnë Shqipërinë me “kokëposhtë”, imagjinojne krizë politike dhe ekonomike aty ku ka stabilitet politik dhe prosperitet ekonomik, imagjinojne paga dhe pensione të ulëta aty ku ka rritje pagash dhe pensionesh, imagjinojnë zgjedhje jo të lira dhe jo demokratike aty ku ka zgjedhje të lira dhe demokratike imagjinojnë rrugë të prishura dhe korrupsion masiv aty ku është ndërtuar një infrastrukturë sipas modelit europian dhe janë marrë masa galopante për të luftuar korrupsionin. Kryetari i Partisë Socialiste dhe anëtarët e saj e frekuentojnë aq shpesh këtë botën e tyre me trillime saqë e kanë humbur sensin e realitetit shqiptar duke mbyllur veshët dhe gojën në mënyrë që të mos dëgjojnë e komentojnë fjali s ... “Shqiperia po bën hapa përpara në fushën e integrimit europian” apo “Shqipëria ka rritje ekonomike”. S’ka kuptim që ata t’i hapin veshët e gojën në realitetin e pamohuar të zhvillimit dhe integrimit kur mund t’i hapin ato në botën e tyre trilluese e kontradiktore të quajtur “Kontrast” për të degjuar dhe komentuar fjalitë si ... “Shqipëria nuk po bën hapat e duhura ne rrugën e integrimit europian” apo “Shqipëria ka rënie ekonomike”. Peisazhi që sundon në botën imagjinare e quajtur “Kontrast” - bëjnë të ditur burime konfidenciale nga Partia Socialiste përbëhet nga forma të çuditshme natyrore. Konkretisht në qiejt e Shqipërisë së kësaj bote retë kodrat dhe malet kanë formën e kutive, nëpër lumenj nuk rrjedh ujë po rrjedhin fletë-votimi, të cilat të gjitha kanë kryq në kuadratin që ndodhet paralelisht me vendin ku shkruhet Partia Socialiste e Shqipërisë. Tirana nuk është më kryeqytet sepse mesa duket është zëvendësuar nga Peza, lëndët narkotike janë bërë të ligjshme, tangat sundojnë botën e modës intime si për meshkujt, ashtu edhe për femrat, muzeu kombëtar shqiptar dhe objektet historike jane zëvendësuar nga pikturat e kryeministrit Edi Rama, njerëzit me origjinë fshatare detyrohen të paguajnë taksa të quajtura “Taksa mbi prejardhjen e gabuar”, kryevepra e William Shakespear “Shumë zhurmë për asgjë” është libri më i shitur... etj.
Ashtu si në botën tonë, edhe në botën “Kontrast”, ekzistojne profeci apokaliptike që çuditërisht janë parashikuar të ndodhin në vitin 2011, në të njëjtin vit në të cilin do të mbahen zgjedhjet lokale. Mbase ky apokalips do të sjellë diçka pozitive, sepse do ta zgjojë Edi Ramën dhe “Lizat” e tij, duke i aktualizuar me realitetin e vërtetë, një realitet ku sundon një zhvillim i kudogjindshëm.