E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fokus/Edi Rama në një vit, tjerr-tjerr dhe asgjë në dritë

Me nisjen e sesionit të ri parlamentar PD dhe PS pritet të miratojnë ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e 2009-s, duke iu përmbajtur objektit të hetimit, që parashikon neni 178 i Kodit Zgjedhor; hetim të materialeve zgjedhore dhe djegie të fletëve të votimit. Edi Rama xhiroi bosh plot 11 muaj me radhë me idenë se do shkilte ligjin, por këtë s’e arriti, çështja është se cili do jetë qëndrimi i socialistëve të thjeshtë pas shtatorit

Hetimi i zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar ishte padyshim kërkesa unike e opozitës shqiptare, por që realisht mbeti vetëm në caqet e deklaratave të shtypit dhe të gërthitjes së përditshme nga njëra foltore në tjetrën. Edi Rama dhe ndjekësit e tij, krijuan konfuzion të gjërë në radhët e politikës, me vendimin e bojkotit të parlamentit, veprim ky që për asnjë moment nuk u konsiderua si prioritar nga pjesa më e madhe e opozitës, ndërsa forma e reprezaljes qëndronte tek një klikë e ngushtë që udhëhiqej dhe udhëhiqet edhe aktualisht nga Edi Rama. Përtej komenteve personale apo bindjeve politike, duhet pranuar se funksionimi i opozitës së Edi Ramës, është thjesht një formacion i sakatuar që s’i mjafton as paterica për të kryer ato obligime që rrjedhin nga kontrata e Partisë Socialiste me elektoratin e saj në veçanti dhe shqiptarët në tërësi. Ky rregull apo procedurë, s’ka gjetur ndonjëherë zbatim, që nga koha që në jetën aktive të politikës është injektuar Edi Rama. Ky njeri, ky pseudopolitikan, ky dështak i paskrupullt në vend që të lejojë formalizimin e debatit politik në sallën e Kuvendit, e përdor opozitën, veçanërisht PS-në, si shtojcë të interesave të tij dhe oborrit të pezakëve. Mos integrimi në politikën ditore dhe përshtatja me objektivat e shumicës me qëllim standardizimin e vendit, tregon pikërisht formimin e cekët intelektual të grupit të formuar nga Rama, ndërsa si parësore për ta është dhe vazhdon të mbetet interesi i tekave personale. Sigurisht, ky është një problem më vete, por realisht këmbanat duhet të bien në dyert e selisë rozë, në kryesinë e saj dhe në grupin parlamentar, për t’i treguar opinionit publik se kjo opozitë s’është në gjendje të bëjë gjë tjetër veçse të tjerrë mashtrime, spekulime dhe sulme të pazakonta në drejtim të qeverisë dhe intitucioneve shtetërore. Kjo bëhet gjithnjë e më e besueshme nëse i referohemi argumenteve konkrete, të cilat e nxjerrin plotësisht jashtë loje rolin e opozitës si përfaqësuese e komunitetit të qytetarëve dhe për impaktin e saj në politikën e ditës. Rezultati është thuajse zero. Për një vit me radhë, Edi Rama s’ndërmori qoftë edhe njëherë të vetme një nismë në përputhje me ligjin për të kërkuar me të drejtë transparencën e zgjedhjeve. Nisja e aksionit përmes kërcënimeve dhe thirrje për mos bindje civile i rezervuan atij një nga dështimet më të mëdha që ka ndonjëherë një lider politik në Shqipëri. Ndaj edhe në këto kushte PD me partinë e Edi Ramës s’mund të ketë asnjë pakt apo kompromis për të dalë mbi ligjet dhe kushtetutën e vendit, veç hetimit të materialeve zgjedhore, procedurë kjo që parashikohet qartësisht në nenin 178 të Kodit Zgjedhor.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›