E Shtunë, 31 Tetor 2026

LMN kundërshton opozitën e Ramës, kërkon parlamentarizëm, jo sjellje prej qytetarësh të thjeshtë

Deputeti socialist për qarkun e Beratit dhe njëherazi një prej anëtarëve të LMN-së, Marko Bello, kundërshton linjën eunuke që po ndjek Edi Rama, për të mos votuar asnjë ligj. Në vetvete, ky vendim është një farë kushtëzimi të raporteve ndërmjet opozitës me Kuvendin. Bello shprehet se pjesa dërrmuese e deputetëve të opozitës, thjesht bëjnë politikë konstatimi në Kuvend, të cilën mund ta bëjë kushdo, duke mos artikuluar apo siguruar para kundërshtarëve dhe opinionit fakte dhe argumente. Sipas deputetit socialist, debati i vakët që vjen si rrjedhojë e mangësisë së formimit të pjesës më të madhe të ligjvënësve të Edi Ramës, ka pasoja të veçanta për opozitën dhe Partinë Socialiste.
“Unë mendoj se është më mirë të votojmë kundër ligjeve të mazhorancës, duke paraqitur fakte dhe argumente pse ato ligje duhen votuar kundër, si të dobëta dhe me efekte negative në jetën e qytetarit, sesa të mos i votojmë fare, siç dhe po bëjmë. Unë kam respektuar vendimin e shumicës, por nuk jam i bindur se kjo është rruga e duhur. Mendoj se opozita duhet jo vetëm agresive, por dhe të paraqesë alternativë. Shumë deputetë të opozitës janë në nivelin e konstatimit të problematikës. Konstatimin e bëjnë dhe qytetarët. Ne duhet t’u ofrojmë atyre zgjidhje për varfërinë, papunësinë, korrupsionin, padrejtësitë etj. Të gjitha kategoritë shoqërore janë të pakënaqura dhe na duhet neve që të japin alternativat për këto kategori, pse ata duhet të na besojnë”- deklaron deputeti Bello.
Sipas tij, aktualisht, opozita vuan mungesën e alternativave, gjë e cila e bën gjithnjë e më të paaftë për t’i rezistuar debatit të mazhorancës.
“Debati parlamentar e bën shumë interesante jetën politike. Dua të sjell si shembull debatin për rishikim e buxhetit apo dhe ligjin për SHISH-in, ku përqendrohet dhe vëmendja e opinionit publik. Në mitingje sensibilizohet vetëm ajo pjesë e shoqërisë që të vjen nga pas, ndërsa në Parlament ti ke mundësi të bësh betejë politike dhe të japësh alternativa për një masë, e cila kalon dhe mbështetësit e tu tradicionalë”- deklaron më tej deputeti socialist. Edi Rama paralajmëroi pak ditë më parë jo vetëm për kushtëzim të raporteve me Kuvendin, por edhe rinisje të protestave në shtator. Por në kushtet kur zërat kritikë të opozitës e konsiderojnë këtë si lëvizje bllofi dhe se s’do sjellë asnjë produkt konkret për pakicën, aksioni i tij bëhet gjithnjë edhe më i dyshimtë, çka nënkupton një përplasje të re mes fraksioneve në Partinë Socialiste.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›