Fokus/Edi Ramës i është fikur edhe “audio”-ja, edhe “video”-ja, s’del dot në media, pas takimit e ambasadorin Arvizu
As dje Edi Rama “nuk u bë i gjallë” me zë e me figurë. Megjithëse në zyrën e tij ishte Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, megjithëse zyrtarisht ka filluar “sezoni i ri i politikës së re”, Edi Rama edhe dje zgjodhi të bëjë memecin, të bëjë rolin e atij që as nuk dëgjon, as nuk flet.
Duke përjashtuar përmallimin për ti dëgjuar zërin kryesocialistit, është fakt, që pas pozicionit të tij më të fundit, të kryeopozitarit “full time”, Edi Rama nuk po pranon, që nuk po pranon të thotë asnjë fjalë.
Në fakt, pritshmëria është që përpos frazave të tij të tipit donkishotesk, kryetari i opozitës duhet të kishte filluar të shpaloste “politikën e re” të tij.
Por as këtë nuk po e bën.
Në kushte e kokëfortësisë për të mos pranuar të flasë, më e mundshme është të besohet se Edi Rama, vetëm titullin i ka gjetur “politikës së re”, sepse..., sepse..., po të merret në konsideratë edhe dyshimi i dy netëve më parë i Andis Harasanit, kryeopozitari këtë punën e “politikës së re”, e ka si puna e asaj kutisë bosh prej kartoni, që ia rrasi në kurriz Rexhep Meidanit, në prag të zgjedhjeve të qershorit të vitit 2009, me pretekstin se në zbrazëtinë e saj, gjendeshin “7 drejtime themelore, 100 masa e 1000 faqe”…, kur në fakt ajo ishte thjesht një kuti këpucësh bosh.
Këtë kuti këpucësh bosh, duket se Edi rama “e ka për zemër” dhe ndërsa po e tund vetë, “pa bërë zë, e pa u bërë i gjallë”, pse jo këtë herë në emër “të politikës së re”, njëherazi në heshtje po kërkon Rexhep Meidanin e radhës, t’ia vërë në kurriz të njëjtën kuti këpucësh bosh…
Deri atëherë, sa të gjejë (po e gjeti) Rexhep Meidanin e radhës, pritshmëria më e pritshme është që ai të vazhdojë ta mbajë “fikur” edhe “(auto)audion” edhe “(auto)videon” e vetë...