E Diel, 1 Nëntor 2026

Krimi i organizuar godet Policinë, bie në krye të detyrës efektivi Zabit Caka

03-09-2011 / Gazeta 55

Varroset me nderime, efektivi i policisë, i rënë në krye të detyrës, në përpjekje me krimin e organizuar në Peqin. Berisha: “Humbja shumë e madhe, por qëndresa dhe burrëria e tij, frymëzuese për të gjithë shërbëtorët e zbatimit të ligjit”

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, mori pjesë në homazhet e zhvilluara për efektivin e Policisë, Zabit Caka, i vrarë dy net më parë në krye të detyrës.
I shoqëruar nga deputetë të Elbasanit, Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së shtetit, Hysni Burgaj si edhe përfaqësues të presidencës, kryeministri shprehu ngushëllimet më të thella për oficerin, Zabit Caka, i cili u vra dje gjatë një aksioni policor në kapje të një shtetasi të dyshuar për vjedhje.
“Oficeri Zabit Caka ka rënë në krye të detyrës me një trimëri dhe vetëmohim të paparë. Ngushëlloj familjen, qytetarët e Peqinit, kolegët e tij në Komisariatin e Policisë së Peqinit, dhe të gjithë efektivat e Policisë së shtetit”, tha në fjalën e tij kryeministri, pas zhvillimit të homazheve në ambientet e Qendrës së Kulturës “Ferdinand Deda” të qytetit të Peqinit.
Duke ngushëlluar familjarët e efektivit të rënë në krye të detyrës, kryeministri shtoi se, “ai ra në betejë me armikun më të egër të çdo qytetari të këtij vendi, që është krimi i organizuar. Humbja është shumë e madhe, por qëndresa dhe burrëria e tij dhe e shokëve të tjerë është frymëzuese për të gjithë shërbëtorët e zbatimit të ligjit në çdo detyrë që ndodhen”, përfundoi kryeministri i vendit, Sali Berisha.    
Homazhe janë kryer edhe nga nënprefekti i Peqinit Ali Gripshi, kryetari i bashkisë Ilir Rrusha, si dhe deputetët Dashnor Sula e Valentina Leskaj.
Në përfundim të homazheve personalitetet e pranishme, miq dhe të afërm i dhanë lamtumirën e fundit Inspektor Zabit Caka, në Varrezat e “Dëshmorëve të Atdheut” në qytetin e Elbasanit.
Drejtori i Policisë së Qarkut Elbasan, në fjalën e tij duke shprehur dhimbjen për humbjen e Inspektor Zabit Caka theksoi: “Kjo ditë e mbushur me dhimbje dhe emocion do të jetë pjesë e historisë së Policisë Shqiptare, pasi një tjetër koleg i shtrenjtë u nda nga jeta, duke përmbushur detyrën sa fisnike aq dhe të shenjtë për t’i shërbyer kombit dhe qytetarëve të këtij vendi. Inspektor Zabit Caka, dhuroi jetën për të garantuar respektimin e ligjit, për të mbrojtur sigurinë e bashkëqytetarëve të tij kundër çdo lloj forme krimi, pasi ëndërronte udhën e lirisë, drejtësisë dhe të një Shqipërie Europiane. Besnikëria, përkushtimi, sakrifica dhe vlerat që kultivonte në vetvete punonjësi i Policisë së Shtetit Sabit Caka, përbëjnë një trashëgimi të çmuar, burim krenarie dhe vlerash për t’u ndjekur dhe nga brezat e rinj. Falë sakrificës sublime të Inspektor Zabit Caka dhe të qindra punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës, Shqipëria shikon me besim drejt së ardhmes, pasi beson në përkushtimin dhe vendosmërinë e çdo punonjësi të Policisë së Shtetit për t’u përballur pa kompromis me krimin. Ky besim është vulosur përjetësisht me jetën e kolegëve tanë të paharruar. Gjaku i tyre do të ndriçojë gjeneratat në Policinë e Shtetit, të cilat me vullnet të palëkundur do vazhdojnë të përmbushin me devotshmëri misionin për garantimin e sigurisë publike dhe mbrojtjen e vlerave më të larta njerëzore”.
Gjatë ceremonisë së zhvilluar Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, i dorëzoi djalit të Inspektor Zabit Caka flamurin kombëtar me të cilin ishte mbuluar arkivoli i tij dhe kapelën e uniformës së policisë.
Në nderim të Inspektor Zabit Caka varrimi është shoqëruar me të shtëna armësh nga një grup efektivësh të policisë.
Babai i katër fëmijëve, tre vajzave dhe një djali 17-vjeçar u vra dje gjatë një operacioni për të kapur shtetasin, Leonardo Tabaku i cili tentoi të vidhte transformatorin e ujit të pijshëm në fshatin Gryksh të komunës Shezë, në rrethin e Peqinit. 
Ky i fundit ka qëlluar me armë zjarri automatike në drejtim të patrullës së Policisë, ku dy plumba i morën jetën oficerit të Policisë, Zabit Caka. Më pas 40-vjeçari, Leonardo Tabaku i dha fund jetës duke u vetëvrarë.

Policia e Elbasanit zbardh ngjarjen ku mbeti i vrarë efektivi i policisë

Zabit Caka ra në përpjekje për të mos lejuar vjedhjen e një transformatori
 
Policia e Elbasanit zbardhi dje ngjarjen e ndodhur një natë më parë në fshatin Gryksh i Madh i Komunës Shezë të qytetit të Peqinit, ku mbeti i vdekur një efektiv i policisë dhe një shtetas, i cili dyshohet se është autor i vjedhjes së një transformatori në këtë fshat. Nëndrejtori i Policisë, Rezar Velmishi, gjatë një konference për shtyp tha se, “një qytetar telefonoi në orët e vona të një nate më parë në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë së Peqinit, ku denoncoi se disa shtetas po tentonin të vidhnin transformatorin, i cili shërbente për furnizimin me ujë të pijshëm të fshatit Gryksh i Madh”.
Sipas tij, uniformat blu shkuan menjëherë në vendngjarje, ndërsa personat e paidentifikuar hapën menjëherë zjarr sapo punonjësit e policisë u afruan pranë mjetit të tyre.
“Si pasojë e të shtënave gjeti vdekjen e menjëhershme, punonjësi i policisë Zabit Caka, 50 vjeç, babai i pesë fëmijëve, katër vajza dhe një djalë, banues në Peqin”, tha Velmishi. Ai sqaroi se autori i kësaj ngjarje, Leonardo Tabaku, 40 vjeç, me banim në fshatin Shezë, pak metra larg makinës së tij duke u larguar qëlloi veten me armë.
“Menjëherë grupi hetimor i përbërë nga Prokurorë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë, Departamentit Kundër Krimit të organizuar dhe Krimeve të Rënda, Prokurorë të Rrethit Gjyqësor Elbasan si dhe efektivë të Drejtorisë Policisë së qarkut të Elbasanit, shkuan në vendin e ngjarjes, ku kryen të gjitha veprimet hetimore dhe proçeduriale”,  nënvizoi Velmishi.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan, mjeti tip Fiat Uno i autorit të vjedhjes, me targë AD 043 KD, një mjet tip pushkë model 56, armë e cila i përkiste autorit të cilën e mbante pa leje, si edhe disa gëzhoja dhe fishekë të pushkës model 56. 
Efektivi i Policisë, shtetasi Zabit Caka, lindur në Fushë Studë të Stëblevës dhe banues në Peqin, kishte 25 vjet që punonte si efektiv i Policisë së Shtetit, ndërsa prej disa vitesh ai kryente shërbimin si polic patrulle. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›