E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agresion kundër identitetit kombëtar shqiptar në Fyrom

Para ca kohësh, komisari i OSBE-së për çështjet e pakicave kombëtare, Knut Volebek, paraqiti një propozim-dokument për “sistem të integruar arsimor”, i cili u mirëprit krahëhapur dhe u përkrah menjëherë nga qarqet nacionaliste në qeverinë e Gruevskit. Për më tepër dhe duke u bazuar në këtë propozim “europian”, qeveria duke mos e bërë çështjen aspak transparente dhe në klandestinitet të plotë nxitoi të miratonte një konkluzë me të cilën kërkohet nga Ministria e Arsimit aplikimi sa më i shpejtë i këtij plani në shkollat fillore të vendit. Me këtë, gjuha dhe prospektet kulturore të popullit shqiptar u gjendën papritmas nën një agresion të hapur shumëplanësh i cili mund të ketë pasoja të kobshme për identitetin kombëtar të shqiptarëve të këtushëm.

Së pari është shumë e rëndësishme në këtë rast të sqarohet dhe nënvizohet roli dhe pozita e komisarit norvegjez Knut Volebek në gjithë këtë histori. Knut Volebek është trashëgimtari i një parardhësi shumë më të famshëm se ai, Maks Van der Shtul. Këta janë burokratë të OSBE, një organizatë ndërqeveritare kjo e cila ka në organikën e saj edhe struktura që meren me çështjen e minoriteteve të ndryshme. Në këtë kuadër, Knut Volebek nuk ka ç’kërkon me shqiptarët në IRJM, pasi shqiptarët këtu nuk janë pakicë. Shqiptarët përbëjnë më shumë se 35% të popullsisë së këtij vendi dhe ata asesi, kurrësesi dhe në asnjë mënyrë nuk mund të emërtohen apo trajtohen si pakicë kombëtare. Thjesht, shqiptarët në IRJM nuk janë minoritet. Ky është një realitet i pamohueshëm historik, biologjik dhe gjeografik i cili nuk mund të mohohet nga askush, qoftë edhe nga komisari i OSBE-së për pakicat kombëtare.
Përveç kësaj, ky propozim-dokument përmban në vete një numër të madh të mangësive që do ta çojnë arsimin e këtij vendi drejt degradimit të mëtejmë. Shikuar nga ana pedagogjike, futja e tre gjuhëve që në klasë të parë të fillores është një ngarkesë e tepërt si për fëmijët shqiptarë ashtu edhe për çdo fëmijë tjetër si dhe e pengon sipas ekspertëve zhvillimin normal të intelektit (aftësive psiko-motorike) të fëmijëve. Nga ana tjetër, imponimi i maqedonishtes për shtatëvjecarët shqiptarë nuk mund të çojë drejt një interaktiviteti apo mirëkuptimi të ndërsjellë siç qëndron në këtë dokument. Përkundrazi, futja e kësaj gjuhe në këtë fazë të zhvillimit mendor të fëmijëve tanë rrezikon të shpërfytyrojë ata si dhe të çojë drejt asimilimit të ngadalshëm por të sigurtë të tyre. Në këtë kuptim, ky dokument nuk çon drejt integrimit më të madh të komuniteteve, por në një periudhë afatgjatë çon drejt asimilimit të pjesëtarëve të kombit shqiptar në kulturën mbizotëruese sllave këtu.
Shikuar nga aspekti juridik gjuha shqipe është zyrtare në këtë vend dhe nuk mund të trajtohet si gjuhë minoritare. Me vetë faktin se dokumenti e bën një gjë të tillë dhe vendimi qeveritar e aprovon atë, konkluza është plotësisht antiligjore dhe antikushtetuese. Për rjedhojë, gjuha shqipe nuk mund të jetë në kompetencat e komisarit e as të ministrit të arsimit apo kryeministrit, pasi “gjuha që e flasin së paku 20% e popullsisë është gjithashtu gjuhë zyrtare”. Me këtë, edhe propozim-dokumenti dhe vendimi i Qeverisë nuk duhej të kishin të bënin fare me gjuhën shqipe. Formulimi, “është nevojë absolute që nxënësit që u takojnë bashkësive etnike të zotërojnë gjuhën e shumicës”, është i papranueshëm, pasi me këtë gjuha shqipe dhe komuniteti shqiptar krahasohen me gjuhët tjera minoritare të cilat bashkërisht nuk bëjnë më shumë se 5% të numrit të përgjithshëm të popullsisë së Fyromit. Edhe termi gjuhë e shumicës nuk mund të përdoret, pasi në Maqedoninë e pasvitit 2001, ka dy gjuhë zyrtare dhe një numër të bashkësive etnike apo komuniteteve tjera, ku bëjnë pjesë si shqiptarët ashtu edhe maqedonasit. Në këtë dokument bëhet edhe një ndarje diskriminuese në përdorimin makiavelist të terminologjisë spjeguese. Kështu aty thuhet se për maqedonasit “është e preferueshme” që të mësojnë ndonjërën nga gjuhët e bashkësive joshumicë, kurse për shqiptarët dhe të tjerët është e “detyrueshme”, që të mësojnë gjuhën e bashkësisë shumicë. Edhe ky formulim është absolutisht i papranueshëm për shqiptarët, pasi sipas kushtetutës së këtij vendi,“gjuha që e flasin së paku 20% e popullatës është gjithashtu gjuhë zyrtare. Me këtë, me automatizëm, gjuha shqipe është gjuhë shtetërore apo gjuhë e shumicës.

Formimi i paraleleve të përziera në të cilat mësimi do të zhvillohet në gjuhën e shumicës është një projekt i ri i vjetër i cili te shqiptarët ngjall kujtime të hidhura nga vitet 80 të shekullit të XX. Në atë kohë, shkaku i një nxënësi të vetëm sllavishtfolës një klasë e tërë me tridhjetë nxënës shqiptarë detyrohej të mësojë në gjuhën shtetërore sllave.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›