Takimet e kryeministrit në Nju Jork
Me ministrin e Jashtëm të Francës, Alain Juppe
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi sot një takim me ministrin e Jashtëm të Francës, Alain Juppe, në pritjen e organizuar nga ky i fundit në New York, për nder të kryetarëve të delegacioneve pjesëmarrëse në sesionin e 66-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Kryeministri Berisha pati një bisedë me Juppe dhe i shprehu mirënjohjen e thellë për të gjithë mbështetjen që Franca i ka dhënë Shqipërisë në konsolidimin e demokracisë dhe ekonomisë së tregut, si dhe proceset integruese në NATO dhe BE. Ministri i Jashtëm francez, Juppe shprehu interes për zhvillimet në Shqipëri. Kryeministri e siguroi Juppe se integrimi europian është projekti më madhor i qeverisë dhe popullit shqiptar dhe se qeveria e drejtuar prej tij do të ndërmarrë të gjitha reformat e nevojshme për këtë qëllim. Kryeministri Berisha e ftoi ministrin Juppe për të vizituar Shqipërinë, ftesë e cila u mirëprit nga ministri i Jashtëm i Francës.
Me kryeministrin e Japonisë, Yoshihiko Noda
Berisha mori pjesë në pritjen e organizuar nga Kryeministri i Japonisë Yoshihiko Noda, në Nju Jork, për ndër të krerëve të delegacioneve pjesëmarrëse në sesionin e 66-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Kryeministri Berisha e uroi Kryeministrin e Japonisë për marrjen e detyrës. Gjatë bisedës me Kryeministrin Noda, Kryeministri Berisha bisedoi për marrëdhëniet dypalëshe dhe forcimin e mëtejshëm të tyre. Kryeministri Berisha e falënderoi Kryeministrin Noda për ndihmën 20-vjeçare që Japonia i ka dhënë Shqipërisë. Kryeministri Noda e siguroi Kryeministrin Berisha se ndihma e Japonisë për Shqipërinë do vazhdojë edhe në të ardhmen. Kryeministri Berisha e ftoi Kryeministrin e Japonisë Yoshihiko Noda të vizitojë Shqipërinë, i cili u shpreh se do ta vizitojë atë në një kohë sa më të afërt.
...