Fokus/Mblidhet në Tiranë sesioni i 38-të i asamblesë parlamentare të PABSEC
Shqipëria, e cila mban presidencën e radhës së PABSEC-ut, do të mbledhë të hënën në Tiranë, rreth 100 parlamentarë të vendeve anëtare të kësaj organizate dhe mbi 300 biznesmenë të TUSKON (Confederation of Businessmen and Industrialists of Turkey), në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi. Asambleja, që do të kryesohet nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka temë kryesore “Teknologjia e informacionit dhe e komunikimit, shtysë e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik”, “Përmirësimi i sistemeve tatimore në shtetet anëtare të PABSEC-ut” dhe “Çështjet kulturore, arsimore dhe sociale”. PABSEC(Asambleja Parlamentare e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi) është themeluar më 26 shkurt 1993, si një dimension parlamentar i BEDZ-it (Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi).
PABSEC është një forum efektiv për dialogun ndërparlamentar në rajonin e Detit të Zi. Ai synon promovimin e vlerave demokratike, shtetit ligjor, shoqërisë pluraliste dhe ekonomisë së tregut. Objektivi kryesor i PABSEC është të ofrojë ndihmë për parlamentet kombëtare në miratimin e ligjeve që janë të nevojshme për zbatimin e projekteve të përpunuara dhe për të vendosur themelet legjislative të suksesshme shumëpalëshe, politike, ekonomike dhe të bashkëpunimit kulturor në rajon.