India e re, Evropa e vjetër
Dialogu i mëparshëm indiano-italian, i mbajtur në Milano më 7 nëntor, pikërisht në kohën kur Italia përballej me krizën e euros dhe Silvio Berlusconi ndodhej buzë dorëheqjes, ishte dëshmi e potencialeve dhe kufijve që kanë raportet e Indisë me Bashkimin Evropian. India ka një histori të gjatë të raporteve me Evropën, të cilat datojnë që nga periudha e Perandorisë Romake. Shteti jugperëndimor indian i Keralas mburrej me portin romak, Muziris, shekuj të tërë para lindjes së Krishtit, derisa gropimet tani janë duke zbuluar edhe më shumë për fushëveprimin e tij dhe ndikimin që kishte pasur. Zbulimi i amforave antike ka konfirmuar se India e kishte pasur zakon të importonte produkte, si vaji i ullirit, vera dhe gotat nga Italia, në shkëmbim me eksportimin në këtë shtet të produkteve ekzotike, si fildishi dhe mëlmesat. Është interesante se një statujë e fildishtë e hyjneshës indiane Lakshmi, që daton prej shekullit të parë para lindjes së Krishtit, është gjetur gjatë gërmimeve në Pompei të Italisë Jugore. Pas një ngecjeje me shekuj, tregtia sërish është duke i dhënë formë raporteve midis këtyre dy rajoneve të botës. BE-ja është partnerja e dytë tregtare për nga madhësia e Indisë, me një qarkullim prej 68 miliardë eurosh më 2010, që paraqet 20 për qind të tregtisë botërore të Indisë. Eksporti i shërbimeve prej Evropës në Indi vlen dhjetë miliardë euro, derisa importi i shërbimeve vlerësohet pak më shumë se tetë miliardë euro. India ka disa afrimitete me BE-në, ndonëse fjala është për një union ekonomik dhe politik të shteteve të ndryshme në aspektin linguistik, kulturor dhe etnik. Megjithatë, në praktikë, ky afrimitet nuk është përkthyer në raporte të ngushta politike apo strategjike. Më 1963, India ishte një nga shtetet e para që vendosi lidhje diplomatike me Bashkësinë Ekonomike Evropiane (pararendësen e BE-së së sotme), derisa Partneriteti Strategjik Indi-BE dhe Plani i Përbashkët i Veprimit më 2005 dhe 2008 japin një kornizë për bashkëpunim në fushën e sigurisë. Megjithatë, do të duhet kohë para se BE-ja të zhvillojë një kulturë të përbashkët strategjike. Shtetet anëtare të BE-së duhet të zhvillojnë një qasje kolektive kundruall problemeve të sigurisë, para se të mund të ndodhë ndonjë bashkëpunim i rëndësishëm strategjik midis BE-së dhe Indisë. Një pengesë tjetër e madhe në raportet Indi-BE është fakti se indianëve nuk u pëlqen që të tjerët t’i mësojnë. Një nga dështimet e mëdha në partneritetin BE-Indi ka qenë tendenca e Evropës për ta mësuar Indinë në çështjet si të drejtat e njeriut, të cilat çështje indianët besojnë se do të mund t’i zgjidhin vetë. India, demokraci tashmë më shumë se gjashtëdhjetë vjet (më gjatë sesa disa shtete anëtare të BE-së), të drejtat e njeriut i konsideron si çështje e rëndësishme e brendshme. As “Amnesty International”, as “Human Rights Watch” dhe asnjë institucion tjetër evropian nuk kanë ekspozuar as edhe një problem të vetëm me të drejtat e njeriut në Indi, të cilin qytetarët indianë, gazetarët apo OJQ-të nuk e kanë shpalosur dhe trajtuar brenda hapësirës demokratike indiane. Duke e pasur parasysh këtë, përpjekjet e BE-së për të përfshirë dispozita për të drejtat e njeriut në marrëveshjen e tregtisë së lirë me Indinë, shkakton zemërim tek indianët. Tregtia nuk duhet të mbahet peng i politikave të brendshme evropiane rreth deklaratave për të drejtat e njeriut. Sa i përket substancës së vërtetë të të drejtave të njeriut, India dhe BE-ja janë në të njëjtën anë dhe i kanë të njëjtat aspirata. Posa që të tejkalohet kjo gjë irrituese, negociatat rreth marrëveshjes për tregtinë e lirë, të cilat tashmë një kohë të gjatë kanë qenë në fazën finale, do të mund të konkludohen dhe ta transformojnë tregtinë. Në këtë mes ka hapësirë edhe për bashkëpunim në fushën e teknologjisë. Kapacitetet e bollshme dhe jo të kushtueshme shkencore të Indisë ofrojnë një kombinim interesant me kapacitetet e pakrahasueshme inxhinierike evropiane. Natyrisht se ka edhe pengesa serioze strukturore. Është ironike se me gjithë retorikën e vet në lidhje me të drejtat e njeriut, BE-ja për një kohë të gjatë e ka preferuar Kinën në raport me Indinë: për secilën euro që BE-ja investon në Indi, 20 euro do t’i investojë në Kinë. Duhet ta pranojmë se faji është pjesërisht i Indisë, për shkak se nuk ka krijuar një klimë po aq të favorshme për investime nga jashtë. Një pengesë tjetër është se India preferon marrëveshje dypalëshe me shtetet individuale anëtare, në vend të marrëveshjeve kolektive me BE-në. Natyrisht se marrëveshjet me shtete janë të domosdoshme, duke e pasur parasysh mungesën e kohezionit të institucioneve evropiane karshi çështjeve strategjike. Qëkur Traktati i Maastrichtit krijoi BE-në më 1992, Evropa ka pretenduar të ketë “politikë të përbashkët të jashtme”, mirëpo ajo nuk është politikë “unike” e jashtme. Po të kishte qenë, atëherë shtetet anëtare të BE-së nuk do të kishin pasur nevojë për dy nga pesë ulëset e përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke bërë luftë për ta marrë edhe të tretën. Megjithatë arsyeja për bashkëpunimin Indi-BE është më se e fuqishme, pasi që pjesa dërrmuese e problemeve të botës shtrihen në rajonin midis Indisë dhe Evropës. Rreziku është se India mund ta shpërfillë Evropën si tërheqëse, mirëpo të parëndësishme, një kontinent ideal për pushime veriore, mirëpo jo edhe punë serioze. Bota do të ishte më e varfër po qe se Kontinenti i Vjetër dhe nënkontinenti i ri në ngritje nuk i bashkojnë vlerat e tyre të përbashkëta demokratike dhe interesat e përbashkëta, për ta ofruar një alternativë të vërtetë ndaj dominimit amerikano-kinez.
Autori, ish-ministër indian për Punë të Jashtme dhe nënsekretar i përgjithshëm i OKB-së, është deputet në Indi dhe autor i dhjetëra librave. Shkrimi është botuar së pari në rrjetin “Project Sindycate”