E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS ka probleme të brendshme, të mos cenojë interesat e vendit

20-11-2011 / Gazeta 55

Nënkryetari i Kuvendit, Vangjel Tavo: Gjithëpërfshirje në reformën zgjedhore

Lëvizja Socialiste për Integrim kritikon deklaratat e socialistëve, të cilët nisur nga problemet e brendshme të selisë rozë, kërcënojnë me prishjen e paktit të reformave. Reagimi erdhi përmes deputetit dhe njëherazi nënkryetarit të Kuvendit, Vangjel Tavo i cili deklaroi se reforma zgjedhore dhe ligjet me 3/5 janë më të rëndësishme se problemet e brendshme partiake. “Ligjet me 3/5 nuk kanë lidhje me çështjen e votave të këshillave në Fier dhe Gjirokastër. Duke qenë deputet i Gjirokastrës di të them se aty nuk paraqitet aspak situatë problematike. Çështja është në gjykatë, është ajo që vendos. Nuk ka presion ndaj këshilltarëve socialistë siç pretendohet nga PS. Por politika shqiptare duhet të ndërgjegjësohet njëherë e mirë që asnjë çështje tjetër nuk duhet të cenojë axhendën e interesave të shqiptarëve apo cenimin e integrimit të vendit”- u shpreh nënkryetari i Kuvendit, Vangjel Tavo. Ai vlerësoi marrëveshjen e arritur mes dy forcave kryesore, ndërsa shtoi se LSI ka objeksionet e saj në dy pika të miratimit të komisionit për reformën zgjedhore dhe konkretisht në elementin e vetos dhe mungesën e gjithë përfshirjes së partive. “Është një marrëveshje e shumëpritur, duhet të vinte më parë. Ne si LSI kemi objeksionet tona në 2 pika. E konsiderojmë të tepërt elementin e vetos dhe mungesën e gjithë përfshirjes së partive. Uroj që kjo dashuri të zgjasë dhe të mos jetë e përkohshme. Megjithatë më habit fakti çfarë ndryshoi tek PS, që insistonte të plotësonte 10 pikat. Pasi po të mos kishte njëherë këtë pretekst në kohën që ne paraqitëm kërkesën për ngritjen e komisionit dhe ta kishte votuar nuk do të ishim ndëshkuar nga Evropa”- tha deputeti i LSI. Sipas tij, në mbledhjen e komisionit për reformën zgjedhore dhe konkretisht për Kodin Zgjedhor, LSI do të shpalosë propozimet e veta.
Sa i përket përzgjedhjes së sistemit zgjedhor, Tavo tha se LSI është për një sistem proporcional kombëtar, por theksoi ai, asnjë lloj Kodi apo sistemi nuk na tremb mjafton që vota e çdo shqiptari të numërohet drejtë. Krahas sistemit zgjedhor deputeti Tavo vlerësoi si element tjetër kryesor edhe administrimin e zgjedhjeve në mënyrë që të mos kemi përsëritje kontestimesh zgjedhore nga asnjë nga palët politike. Megjithatë, deputeti i LSI vëren se do jetë komisioni i posaçëm për reformën zgjedhore, organi që do të vendosë lidhur me modalitetet e reformës zgjedhore. Tavo e vuri theksin gjithashtu te kapja e kohës së humbur, përsa i takon integrimit të vendit në BE. “Gjithçka kemi në favor, që nga koha deri tek infrastruktura parlamentare, e vetmja që nevojitet është vullneti i përbashkët politik. Të plotësojmë ato detyrime që na kërkohen nga Bashkimi Evropian”- theksoi Tavo. Deputeti i LSI ka komentuar edhe citimin e Ramës, të shkruar në librin e tij “Kurban”, ku thotë se “Meta e ka një shans të dytë!”. Sipas Tavos, Rama nuk ndodhet në një pozicion komod për t’i ofruar shans të dytë Metës, por është Ilir Meta ai që vendos për t’i dhënë ose jo një shans të dytë Ramës, duke nënkuptuar kështu se Ilir Meta ia ka mbyllur dyert përgjithmonë tendencave të pabesa të Edi Ramës për “aleanca momentale”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›