Mazhoranca: PS iu rikthye parlamentarizmit - presim vazhdimësi konsensuale për 12 rekomandimet e Brukselit

Pakti për reformat
Shumica parlamentare pret që konsensusi PD - PS për reformën zgjedhore dhe ligjet me 3/5, të jetë pikë kthese dhe garanci për vazhdimësinë e progresit të vendit drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Deputeti i PD dhe njëherazi kryetari i komisionit për Politikën e Jashtme, Fatos Beja tha dje se Shqipëria duhet të bindë Brukselin, përsa i takon progresit reformator
Kryetari i komisionit parlamentar për politikën e jashtme dhe njëherazi deputeti i Partisë Demokratike, Fatos Beja e cilëson paktin për reformat, mes mazhorancës dhe opozitës, si largim nga pazaret e vogla dhe rikthim i parlamentarizmit. Beja theksoi se kjo marrëveshje është një hap pozitiv dhe se premton të jetë një garanci për të ardhmen pasi është një marrëveshje e realizuar në rrugë institucionale. “Marrëveshja PD- PS është thjesht një rikthim në parlamentarizëm. Është lajm i mirë por i vonuar dhe më e keqja është se ky bllokim nuk i shërbeu askujt. Pozitive është se Shqipëria pavarësisht ngërçit politik ka ecur mirë, ka pasur progres dhe nuk u përfshi në vorbullën e falimentimeve ekonomike siç po ndodh me fqinjët tonë. Jam optimist që kjo marrëveshje do të jetë një kthesë për klasën politike, një garant për vazhdimësi pasi nuk kemi një pakt politik por një marrëveshje të mbështetur në ligje dhe institucione”- u shpreh Beja. I pyetur nëse është i mjaftueshëm ky hap i dy forcave më të mëdha politike në vend në sytë e ndërkombëtarëve, deputeti Beja tha se kjo është vetëm një shenjë pozitive dhe se gjithçka do të varet nga shpejtësia me të cilat do të kalojnë 12 rekomandimet e paraqitura nga Bashkimi Evropian. “Ne i dhamë një provë ndërkombëtarëve përpara progres raportit me kthimin e opozitës në parlament. Tani kemi një vendim të konferencës së kryetarëve , një marrëveshje parlamentare. Kjo është një shenjë e dytë e mirë. Kemi besim për ecuri pozitive reformash pasi jo të gjitha çështjet janë të karakterit politik. Për gjithçka do t’i referohemi rregullave, ligjeve dhe kodeve ndërkombëtare. Nëse duam të integrohemi duhet të ecim me të njëjtat standarde me vendet e BE dhe kjo realizohet duke u mbështetur në të njëjtat ligje. Duhet të ecim përpara, të priremi tek fryma e bashkëpunimit, hetimit deri më një, gjë që është e përcaktuar me ligj. Ne kemi bërë një kalendar për tre javë dhe duhet të kemi rezultate pozitive para mbledhjes së BE. Në mars duhet të kemi diçka konkrete për të paraqitur” – tha ai.
Në lidhje me propozimin e kryesocialistit Rama për ngritjen e një komisioni ad-hoc, për shqyrtimin dhe seleksionimin e kandidaturave për Avokatin e Popullit, deputeti Fatos Beja tha se është një veprim i drejtë dhe se siguron mundësi më të mëdha për konsensus ndërmjet palëve. “Është veprim i drejtë. Më përpara mazhoranca ka bërë të njëjtën gjë me gjyqtarët. Përzgjedhja e kandidaturave jo nga radhët politike është në të mirë të punës, është pozitive dhe më e rëndësishmja siguron një probabilitet më të madh konsensusi”- tha më tej, deputeti demokrat, Fatos Beja.