E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fokus/Nga Hollande në Holandë, të gjithë kundër Brukselit

29-04-2012 / "The Telegraph"

Rënia e qeverisë holandeze provon se bashkimi monetar është shkaku i vërtetë i vorbullës së madhe në Evropë. Qeveritë e Eurozonës po shemben njëra pas tjetrës si pasojë e tendosjes së shkaktuar nga krizat buxhetore. E para që i “lau duart” ishte qeveria e partisë “Fianna Fail”, e cila kishte fituar çdo palë zgjedhjesh në Irlandë që prej vitit 1932. Në zgjedhjet e vitit të fundit, partia ra nga 42 % në 17% teksa votuesit u hakmorën ndaj një qeverie e cila për të mbështetur euron ishte bërë palë me Brukselin kundër popullit të saj. Më pas vijnë grushtet e shtetit në Greqi dhe Itali, ky kryeministrat e zgjedhur me vota u përmbysën për t’u zëvendësuar me eurokratë. Të dy shtetet tani po drejtohen nga “qeveri kombëtare”: në praktikë ato janë junta të mbështetura nga Brukseli, qëllimi i vetëm i të cilave është që të implementojnë politika që do të ishin refuzuar në votime. Tani e ka radhën Holanda, qeveria e së cilës u dorëhoq pas mosmarrëveshjeve lidhur me masat shtrënguese të kërkuara nga traktati i BE-së për bashkimin fiskal. Koalicioni qeveritar është mbështetur deri më tani nga partia anti-emigracion e udhëhequr nga Gert Wilders. I ballafaquar me propozimin për të rritur moshën e daljes në pension, Wilders shkundi flokët e tij ngjyrë platin dhe deklaroi në mënyrë tepër dramatike: “Nuk do t’i lëmë pensionistët tanë që të vuajnë nga diktatorët e Brukselit”. Kjo nuk mund të kishte ndodhur në një kohë më të keqe për euron, e cila ka rënë në nivelin e saj më të ulët në 20 muajt e fundit kundrejt sterlinës. Tashmë kriza nuk është e kufizuar kryesisht vetëm në Mesdhe. Të dielën, një në pesë votues francezë mbështetën Marine Le Penin dhe platformën e saj të rikthimit tek franga. Pjesa më e madhe e votave shkuan për François Hollanden, i cili ka premtuar të shfuqizojë Traktatin për Bashkimin Fiskal. Së pari Hollande, më pas Holanda. Tjetër? Nëse kjo ndodh në Holandë, mund të ndodhë kudoqoftë. Holandezët gëzojnë një normë ratingu me tre A. Koalicionin i saj liberal-kristian democrat është shikuar, deri pardje, si një model i vetëpërmbajtjes dhe maturisë. Për një ide të përgjithshme mendoni portretin e Rembrandt apo Frans Hals për borgjezin e vrazhdë me kostum të zi. Futja në vorbull e një shteti të tillë është një provë se kemi të bëjmë me një krizë të bashkimit monetar dhe jo, siç dëshirojnë të pohojnë euro-apologjetikët, me një krizë të përgjithshme borxhesh. Deficiti i Holandës është 4.7 për qind, krahasuar me 8.3 për qind në Britaninë e Madhe dhe 9.1 për qind në Greqi. Borxhi i saj i plotë është 66 për qind i PBB - krahasuar me 82 për qind që e ka Britania dhe 161 për qind që e ka Greqia. Wilders ishte gabim kur kundërshtoi buxhetin. Të gjitha shtetet perëndimore, përfshirë Holandën duhet të merren me problemin e gëzueshëm të rritjes së jetëgjatësisë. Dalja nga “koalicioni” ndërkohë, duhet të shikohet në kontekst. Holanda është një nga pesë kontribuuesit e mëdhenj buxhetor në Eurozonë - sëbashku me Austrinë, Gjermaninë, Luksemburgun dhe Finlandën. Taksapaguesve të këtyre shteteve u kërkohet, si efekt, të japin dorëzani për qeveritë që janë më dorëlëshuara se qeveria e tyre. Shumë votues holandezë besojnë se atyre po u kërkohet të pensionohen më vonë në mënyrë që italianët të mund të pensionohen më herët: zhvat Pieter-in për të paguar Paolo-n. Pakënaqësia e tyre është rritur me shthurjen e BE-së. Teksa predikon kursime për 27 shtetet anëtarë të unionit, Komisioni Evropian paturpësisht kërkon rritjen e buxhetit të tij me 7 për qind. Dikur, jo shumë kohë më parë, shpërdorimet e Brukselit kalonin pa u raportuar në medien eurofile holandeze, por interneti e ka sfiduar këtë. Populli me lidhje gjaku me ne ka filluar ta shikojë BE-në ashtu siç e shohim ne, dhe ka nisur të zemërohet. Zoti e di së ata kanë shumë përse të zemërohen. Qëkur goditi kriza katër vite më parë, liderët e Evropës janë shqetësuar më shumë të ruajnë monedhën e përbashkët sesa të rrisin mirëqenien e popujve që e përdorin atë. Tashmë është e qartë pothuajse për çdocilin se euroja është një mekanizëm recensionar. Ajo po shkakton deflacion dhe emigracion të shtetet jugore, dhe kërcënon me rritje masive taksash në veri. Meqë ra fjala, mos t?ju shkojë mendja se ne në Britani jemi të çliruar. Tashmë ne jemi në grep për të paguar 12.5 miliardë sterlina si dorëzani për Irlandën, Greqinë dhe Portugalinë. Për ta vendosur këtë shifër në kontekst: të gjitha shkurtimet tona të brendshme përgjatë vitit të kaluar arritën shumën e 8.6 miliardë sterlinave. Tani ne po shtojmë edhe 10 miliardë të tjera përmes FMN-së. Duke mbrojtur këtë borxh shtesë, zyrtarët e thesarit bëjnë dy pohime. Së pari, se ky fond në të vërtetë nuk është për t’i dhënë dorëzani Eurozonës. (Për kë është atëherë? Për Kanadanë?) Së dyti, që ky fond është një investim tepër i mirë, dhe se ne do t’i marrim mbrapsht paratë bashkë me interesin. OK, nëse është kështu, pse të mos “investojmë” 100 miliardë sterlina? Apo një trilion sterlina? Euroja - apo, thënë më mirë, vendosmëria e liderëve të Evropës për ta mbajtur atë - nuk po shkakton vetëm skamje e cila mund të ishte evituar; ajo po dëmton demokracinë. Megjithatë, Britania po investon jo vetëm kapital politik, por edhe kapital real, në përpjekje për të mbajtur gjallë monedhën e përbashkët. Përse ne po paguajmë për privilegjin e dëmtimit të aleatëve tanë?

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›