“Shqiptarët strehuan hebrenjtë dhe i rezistuan makinerisë naziste”

Kryeministri Sali Berisha
Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje në “Holocaust Memorial Museum”, Washington DC, ku ishte i ftuar në ceremoninë e prezantimit të filmit dokumentar “Besa”, se familjet shqiptare mes shumë vështirësive mbrojtën hebrenjtë, ruajtën vlerat njerëzore dhe i rezistuan makinerisë naziste.
Sipas kryeministrit, kjo përkujtimore që i bëhet rolit të shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve përballë shfarosjes naziste, është një nderim i jashtëzakonshëm për çdo shqiptar.
“Për mua është një moment i veçantë, një mbrëmje e veçantë të jem këtu, sot, në këtë përkujtimore dedikuar rolit të shqiptarëve gjatë Holokaustit, në Luftën e Dytë Botërore. Ky është një nderim i jashtëzakonshëm për mua dhe për çdo shqiptar. Ndaj dua të falënderoj nga zemra bordin e Muzeut Përkujtimor të Holokaustit, të falënderoj ata që prodhuan filmin ‘Besa’, të falënderoj këtë grua të madhe, Johanna Neumann, për dashurinë e saj të jashtëzakonshme qe ka treguar për vendin dhe kombin tim. Duke vizituar këtë Muze, mendimi i parë që të vjen në mend është se nuk ka asgjë më të keqe, sesa diktatorët, sepse ata kanë një fuqi negative mbi njerëzit, për t’i transformuar si qenie njerëzore. Siç ishte Holokausti, një nga aktet më barbare të botes se civilizuar, te civilizimit tonë. Holokausti ishte bazuar në ideologji dhe ajo çfarë ishte tragjedia më e madhe është pjesëmarrja e madhe në aktin më johuman që njerëzimi ndoshta ka njohur. Për këtë i jam shumë mirënjohës kombit tim, për atë që shqiptarët bënë, por mendimi im shkon edhe për popullin hebre, të cilët ia besuan jetën e tyre bashkëqytetarëve të mi. Falënderimi im shkon për qytetarët shqiptarë, të cilët i mbrojtën e strehuan hebrenjtë, duke mos marrë pjesë në këtë gjueti të tmerrshme dhe ruajtën vlerat njerëzore, sepse asgjë nuk e ndalonte makinerinë naziste të shfarosjes së jetës se njerëzve edhe të fëmijëve, të moshuarve. Sot, ne kemi këtu një të mbijetuar të atyre kohëve të tmerrshme, Johanna Neumann. Ajo u strehua e kaloi kohë në një familje shqiptare dhe më vonë u bë një nga ambasadoret më të mira të moralit të vendit tim. Ju jemi shumë mirënjohës Joana! Dua të theksoj se kontributi juaj është i rëndësishëm për ne, sepse populli im, pas shpëtimit tuaj dhe bashkëqytetarëve tuaj, ra nën diktaturën më të keqe që Europa ka njohur, ra nën shtypjen më të egër. Shqiptarët e kanë të nevojshme të lënë sa më shpejt të jetë e mundur mbrapa këtë kohë. Për shqiptarët, diktatura e Hoxhës ishte një errësirë e madhe. Jam i lumtur që shqiptarët sa herë që janë takuar me hebrenjtë, në historinë e tyre të gjatë, e të dy janë ndër kombet më të vjetër në planet, janë takuar si miq. Vërtet nuk kanë pasur komunikim intensiv, por sinagoga më e vjetër në Ballkan është gjetur në Shqipëri. Përgjatë historisë, hebrenj nga vende të ndryshme u strehuan në Shqipëri dhe kjo nuk ishte rastësi. Në gjithë historinë, asnjë incident të vetëm”, u shpreh Berisha. Ai solli në vëmendje se pas rënies së perdes së hekurt, një nga përpjekjet tona të mëdha ishte të rivendosnim, të zhvillonim marrëdhënie miqësore me Izraelin.
“Unë e kam vizituar këtë vend te madh disa herë dhe jam shumë i lumtur me marrëdhëniet e jashtëzakonshme që ne kemi me Izraelin, një vend, në të cilin populli hebre po ndërton të ardhmen e tij të shkëlqyer. Kanë pasur të shkuarën e tyre, dhe po ndërtojnë të ardhmen e tyre”, theksoi kryeministri.
Sipas tij, shqiptarët dhe hebrenjtë kanë pasur një mik të madh, siç janë SHBA-së. Berisha iu rikthye takimeve me Sekretaren Clinton, ku ishte i pranishëm dhe Reeker, gjithashtu edhe ambasadori Arvizu.
Kreu i qeverisë informoi se “në çdo fjalë gjeta një vullnet të fortë për të ndihmuar Shqipërinë e shqiptarët, një mbështetje të fortë për Shqipërinë për të ecur përpara, për të konsoliduar demokracinë. Ne kemi edhe të përbashkët tjetër, kemi një mik të madh si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne jemi shumë krenar të kemi një mik të tillë! Unë takova dje, Sekretaren Clinton dhe në takim ishte edhe Reeker, gjithashtu ambasadori Arvizu. Ai ishte një nga takimet më miqësore, sepse në çdo fjalë gjeta një vullnet të fortë për të ndihmuar Shqipërinë e shqiptarët, një mbështetje të fortë për Shqipërinë për të ecur përpara, për të konsoliduar demokracinë. SHBA publikisht janë dhe do të jenë për sigurinë e Izraelit dhe kjo është riafirmuar në mënyrë të përsëritur nga Presidenti Amerikan. Ne i jemi mirënjohës SHBA sepse ne kemi pasur një nga të shkuarat më të vështira. Ne festojmë këtë vit 100 vjetorin e pavarësisë por nëse shihni të kaluarën tonë ju do te gjeni çdo gjë në këto 100 vjet, por tani falë Zotit jemi të lirë dhe po ndërtojmë të ardhmen tonë. Këtë vit, ne festojmë 100 vjetorin e pavarësisë, sepse në një nga momentet më të vështira të historisë sonë, kur diskutohej ekzistenca e shtetit shqiptar, ne patëm mbështetjen e vendosur të këtij vendi, i cili na mbështeti jo për shkak të ndonjë interesi, por mbi ideale, vlera e principe, të cilat janë në themel të kësaj demokracie të madhe. Ne supozohej që të fshiheshim nga harta politike e Europës, por Presidenti Willson e refuzoi. Më vonë edhe Kosova qe subjekt i një tentative të ngjashme, Presidenti Bill Clinton udhëhoqi NATO-n në çlirimin e Kosovës. Presidenti Bush udhëhoqi përpjekje të vendosura dhe Shqipëria u bë anëtare e NATO-s dhe sot po punon me SHBA në Afganistan e kudo tjetër. Kosova, e cila ka qenë subjekt i shtypjes, shpalli pavarësinë dhe Presidenti Bush e mbështeti këtë ide. Presidenti Barack Obama është shumë mbështetës ndaj përpjekjeve tona. Me këtë mik të madh, ecim të sigurt në ndërtimin e të ardhmes sonë”, u shpreh kryeministri Sali Berisha .