Një grua në krye të KQZ-së, në garë Lefteri Lleshi dhe Marsida Xhaferllari

Kuvendi zgjedh këtë javë kryetarin e ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Gara për kreun e KQZ-së, karriera juridike e kandidateve
Në seancën e së enjtes pritet të formësohet struktura e re e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ndërsa janë përcaktuar kandidatët për anëtar të këtij komisioni nga partitë politike, mbetet për tu votuar për kryetaren e re të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Në garën për të marrë të paktën 71 vota në parlament janë Marsida Xhaferllari dhe Lefteri Lleshi, të cilat kanë një eksperiencë të gjatë profesionale në fushën e drejtësisë.
Marsida Xhaferllari ka mbaruar studimet e larta në fakultetin juridik dhe mban tashmë titullin magjistrate, ndërsa në kurrikulumin e saj janë një sërë trajnimesh e kursesh profesionale brenda dhe jashtë shtetit.
Aktualisht që prej vitit shtatorit të 2008, Xhaferllari mban postin e drejtores në drejtorinë e përgjithshme të ministrisë së Drejtësisë, ndërsa më herët për një vit këshilltare e ministrit të Drejtësisë. Ndërsa për 8 vjet që prej vitit 1999 deri në 2007 Xhaferllari ka punuar si gjyqtare në gjykatën e Fierit, periudhë në të cilën e ka shfrytëzuar për dy vite nga 2003 deri në 2005 për tu bërë anëtare e komisionit të etikës në konferencën gjyqësore kombëtare. Marsida Xhaferrllari zotëron tre gjuhë të huaja anglisht, italisht dhe frëngjisht.
Ndërkaq në garën për drejtimin e KQZ-së është edhe Lefteri Lleshi e cila ka përfunduar studimet e larta në fakultetin e drejtësisë në Tiranë ndërsa aktualisht mban edhe postin e anëtares së Këshillit të Lartë të Drejtësisë si dhe në Kuvendin e Shqipërisë Drejtore në Shërbimin Juridik.
Më herët Lefteri Lleshi gjatë viteve 1992-2000 ka punuar si juriste në drejtorinë qendrore të Shërbimit Informativ Kombëtar,ndërsa që prej vitit 2000 deri në vitin 2006 në agjencinë Kombëtare të Privatizimit, si përgjegjëse e Sektorit Juridik. Lleshi ka marrë pjesë në një sërë kursesh dhe trajnimesh profesionale ndërsa zotëron dy gjuhë të huaja anglisht dhe italisht.
Ndërsa të dyja kandidatet mbajnë një kurrikulum të pasur në fushën e drejtësisë do të jenë parlamentarët ata që do të vendosin se kush do të ulet në postin e drejtueses së institucionit më të lartë të administrimit të zgjedhjeve. Kjo është hera e parë që klasa politike ia beson drejtimin e këtij institucioni një gruaje, ndërsa për më shumë se 20 vjet demokraci ky institucion është shigjetuar fort nga pala humbëse në proceset zgjedhore.
Kuvendi zgjedh këtë javë kryetarin e ri të KQZ-së
Kuvendi i Shqipërisë do zgjedhë këtë javë kryetarin e ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Më shumë sesa procedura, ajo që tërheq vëmendjen është fakti se për herë të parë në histori kryetari i KQZ-së do jetë një grua. Lefteri Lleshi dhe Marsida Xhaferllari do të votohen të enjten në Kuvend, ndërsa njëra prej tyre do të zëvendësojë Arben Ristanin. Komisioni i ligjeve zhvilloi javën e kaluar 16 seanca dëgjimore me garuesit për kreun e ri të KQZ-së, për të përzgjedhur për fazën finale vetëm dy prej tyre.
Mazhoranca votoi kandidaturat e Lefteri Lleshit, Marsida Xhaferllarit, Endrit Rekës dhe Haki Mustafës, nga të cilat opozita vetëm përzgjodhi dy. Përpos akuzave dhe kërcënimeve për bllokim të procesit, Partia Socialiste duket se do t’ia lejojë vetes të tregojë një vlerë demokracie në shprehjen e votës së saj, edhe pse kryetares së ardhshme të KQZ-së i mjaftojnë edhe 71 vota. Por, edhe konsensusi s’është i pamundur pasi opozita ka pranuar në heshtje të japë votat për dy zonjat në fjalë. Kësisoj, kryetarja e re e KQZ-së do të vendoset me votë në seancën e ardhshme plenare që sipas kalendarit të Kuvendit i bie të enjten e kësaj jave. Marsida Xhaferllari dhe Lefteri Lleshi, janë të njohura për opinionin publik, pasi kanë një eksperiencë të gjatë profesionale në fushën e drejtësisë.