Fokus/PS-ja ka konflikt interesi kur flet për krimin
Krimi nuk ka pasaportë e as ngjyrë. Është një akt i prodhuar si pasojë e një sërë faktorësh socialë, ekonomikë, psikikë dhe nganjëherë nga motive të dobëta të humbjes së vetëkontrollit njerëzor. Në asnjë mënyrë nuk duhet të justifikohen krimet që cenojnë jetën dhe dinjitetin e njeriut. Mirëpo që opozita e një vendi të përdorë ngjarje kriminale ordinere për të akuzuar qeverinë kjo është e paparë.
Në fillim kreu i opozitës Edi Rama reagoi për ngjarje të kronikës së fundit me një mesazh të zakonshëm në rrjetin social “tuitter” për të theksuar se Shqipëria nuk qeveriset dhe krimi bën ç’të dojë”.
Më pas qëndrimi i Partisë Socialiste doli më i strukturuar formalisht me prononcimin e deputetes Mimi Kodheli, e cila teksa foli për shtesa “kushtesh” në anketën e Referendumit popullor për kufizimin e Imunitetit, nuk la pa gjetur përgjegjësinë, e cila sipas saj, është tek qeveria dhe kryeministri i vendit. Në të dyja daljet e PS-së mungonte elementi etik e logjik pasi në pamundësi për të shprehur solidarizim qoftë me familjen e viktimës a viktimave, qoftë me strukturat e policisë së Shtetit, edhe mund ta përcillnin ndryshe mesazhin e tyre.
Kjo është logjikë parapolitike kapitalizimi elektoral i zemërimit qytetar ndaj një gjesti ordiner e kriminal të dy banditëve.
Kuptohet vetiu që partia Socialiste ka konflikt interesi kur flet për çështje të rritjes së kriminalitet në vend. Jo për të nënvizuar sjelljen “krimininale” të deputetëve të opozitës me çështjen e Integrimit, por për të theksuar faktin e njohur botërisht se bijtë e disa deputetëve të Partisë Socialiste kanë qenë protagonistë të kronikave të zeza me plagosje, vrasje “pa dashje”, aksidente me pasoja të rënda, armëmbajtje pa leje, përdorim të canabis sativa, dërgim pakosh anëtarëve të organizatës terroriste “Hakmarrja për drejtësi, gjurmë në telefonata të përgjuar nga policia Italiane apo Interpoli në lidhje me tratativa me eksponentë të mafies. Nëse ka ndonjë rritje të kurbës së kriminalitetit në vend ajo duhet kërkuar padyshim në raste të pa precendenta.
Sidoqoftë Partia Socialiste ka të drejtën e perëndisë të flasë për politika të kontrollit dhe luftës ndaj krimit të organizuar. Ndonëse këtej pari vlen dhe parimi biblik i cili thotë, “kush është pa mëkat të hedhë gurin e parë”.
Në këtë kuptim Partia Socialiste e larë në mëkate për shkak të historisë së sajë (që nuk mbyllet me Plenumin e 10-të të partisë së Punës në transformimin socialist) 70 vjeçare, e cilësuar si parti arkiv e krimit, nuk është pa mëkate. Ndaj bërja politikë me ngjarje ordinere e kthen debatin publik në nivele ordinere.