Referendumi për imunitetin, PS: Nuk kalon pa votat tona

Partia Socialiste i ka kujtuar dhe njëherë mazhorancës se nuk mund të shkojmë në referendum për heqjen e imunitetit pa votat e opozitës. Në një deklaratë për mediat, deputetja e PS Vasilika Hysi, deklaroi se mazhoranca dhe Kryeministri Berisha po hedhin në treg nisma të tilla, a thua se PS është kundër imunitetit, por në fakt sipas saj është e kundërta, pasi kjo parti i ka dhënë ok ndryshimeve kushtetuese dhe drafti është real.
Për deputeten Hysi heqja e imunitetit nuk është e vetmja rrugë me të cilën luftohet korrupsioni, pasi sipas saj sistemi i drejtësisë është kapur për fyti dhe reformat në këtë sistem janë imediate. Në këtë kontekst ajo fton Kryeministrin e vendit të mundësojë një debat publik me ekspertë të kësaj fushe, për të rrëzuar njëherë e mirë murin që na ndan nga Europa.
Duke e konsideruar një dështim seancën e 6 gushtit, Hysi përsërit dhe njëherë qëndrimin e mëhershëm të PS-së, që nëse shkojmë në referendum popullor kjo do të bëhet me 4 cështjet dhe jo vetëm për imunitetin, sic pretendon mazhoranca.