E Diel, 1 Nëntor 2026

Fokus/Pas kërkesave me pullë të kuqe për herë të dytë, PS promovon kërkesën politike “duam një shans të dytë”

06-06-2011 / Gazeta 55

Pushimi i gjykimit të dy ditëve më parë në Kolegjin Zgjedhor për rezultatin e Tiranës, për Partinë Socialiste nuk nënkupton fundin e çështjes. Kolegji sipas tyre ka dhënë vendim për ankimimin e procedurave të ndjekura nga KQZ për shpalljen e rezultatit të Tiranës, duke e ndarë këtë në dy pjesë, vendimin për rrëzimin e kërkesë- padisë së palës paditëse, Partia Socialiste e Shqipërisë për sa i përket kërkesës për konstatimin si absolutisht të pavlefshëm të vendimit numër 709 datë 23. 05. 2011, palës së paditur KQZ në Tiranë dhe pushimin e gjykimit të çështjes lidhur me kërkimin për anulimin e vendimeve të ndërmjetme të nxjerrë nga pala e paditur, KQZ.
Të dyja vendimet e Kolegjit kishin në thelb procedurën e ndjekur nga KQZ për mënyrën sesi ky institucion numëroi votat e kontestuara. Ankesa e fundit që po përgatitet nga juristët e PS ka të bëjë me shpalljen e vendimit përfundimtar të KQZ mbi Tiranën. Deri tani PS-ja ka paditur në Kolegj Zgjedhor vetëm vendimet e ndërmjetme dhe aktet procedurale të lëshuara nga KQZ, ndërsa këtë herë socialistët janë duke përgatitur kërkesën që është edhe përfundimtare për ta, atë të shqyrtimit të vendimit përfundimtar të KQZ.
Për të bërë këtë ankesë PS ka kohë deri të dielën, duke qenë se vendimi i KQZ është marrë të enjten, dhe ligji parashikon tre ditë kohë për ankimet. Por megjithë këtë hap të fundit, PS po e konsumon si rrugë institucionale pasi pas vendimit të 2 ditëve më parë, janë thuajse zero shpresat e PS te Kolegji Zgjedhor.
Kuptueshëm, duket qartë që juristët e selisë rozë janë të paqartë për përmbajtjen e kërkesave ankimore si dhe nuk njohin as vendimet e Kolegjit Zgjedhor, i cili në rastin konkret është i formës së prerë dhe pa një pa dy, një ri-ankimim i Partisë Socialiste do vinte në dyshim integritetin profesional të juristëve të selisë rozë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›