E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërkombëtarët: Zgjedhjet mbaruan, humbësit të vënë Shqipërinë mbi partinë

06-06-2011 / Gazeta 55

Përballë spekulimeve për një odise gjyqesh, ambasadorët e OSBE-së, SHBA-së dhe BE-së në Tiranë kujtojnë se me Kolegjin Zgjedhor përballja politike është mbyllur dhe partia humbëse duhet që tani të vërë interesin kombëtar mbi interesat partizane, partiake e personale

Përmes një deklarate zyrtare trojka e ambasadorëve në vendin tonë i apelon faktorit politik të respektojë vendimin e Kolegjit Zgjedhor si dhe verdiktin e votuesve shqiptarë të shprehur në zgjedhjet për pushtetin vendor në 8 maj.
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alexander Arvizu dhe Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian, Ambasadori Ettore Sequi, përmes një deklarate të përbashkët i kërkuan dje klasës politike shqiptare të veprojnë pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor në mënyre të qetë e të përmbajtur, duke vënë interesin kombëtar para atij vetjak.
“U njohëm me vendimin e Kolegjit Zgjedhor shqiptar, si organi më i lartë ligjor që gjykon apelimet zgjedhore. Është thelbësore që të gjitha palët të veprojnë pas këtij vendimi, në mënyrë të qetë, të pjekur e të përmbajtur, duke vënë interesin kombëtar përpara çdo lloj interesi partizan vetjak”, thuhet në deklaratën e ndërkombëtarëve të pranishëm në Tiranë.    
Po aq e rëndësishme, thuhet më tej në deklaratë, është që të gjitha palët, partitë politike dhe qytetarët, të presin derisa rezultatet përfundimtare të këtyre zgjedhjeve të certifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, siç kërkohet nga legjislacioni shqiptar.
Sipas kësaj deklarate, ambasadorët shprehen se në 8 maj qytetarët e Shqipërisë votuan për kandidatët e zgjedhur prej tyre.
“Ne besojmë se më 8 maj, qytetarët e Shqipërisë votuan për kandidatët e zgjedhur prej tyre. Ky zë tashmë duhet të dëgjohet dhe të respektohet nga të gjitha partitë politike”, nënvizohet më tej.
Në deklaratë, ambasadorët janë shprehur se “e do të ndjekim nga afër përmbylljen e procesit zgjedhor dhe shpalljen e rezultateve përfundimtare, si dhe vlerësimin e procesit nga misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve i OSBE/ODIHR-it, duke pasur parasysh shqetësimet e ngritura në deklaratat tona të mëparshme”.
Reagimi zyrtar i diplomacive të SHBA-së, BE-së dhe OSBE-së, vjen vetëm 2 ditë pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, i cili me 5 vota “pro” pushoi ankimimin e Partisë Socialiste, duke lënë në fuqi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili shpall Lulzim Bashën, fitues të zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës me 81 vota më shumë. Ambasadorët thonë se janë njohur me vendimin e Kolegjit, ndërsa apelojnë se pas shprehjes së gjykatave, detyrë e partive politike është reflektimi, vetëpërmbajtja si dhe vënia e interesave të vendit para atyre personale, politike e vetjake.

Deklarata e plotë për shtyp e trojkës së ambasadorëve të OSBE, SHBA dhe BE

“U njohëm me vendimin e Kolegjit Zgjedhor shqiptar, si organi më i lartë ligjor që gjykon apelimet zgjedhore. Është thelbësore që të gjitha palët të veprojnë, pas këtij vendimi, në mënyrë të qetë, të pjekur e të përmbajtur, duke vënë interesin kombëtar përpara çdo lloj interesi partizan vetjak. Po aq e rëndësishme është që të gjitha palët, partitë politike dhe qytetarët, të presin derisa rezultatet përfundimtare të këtyre zgjedhjeve të certifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, siç kërkohet nga legjislacioni shqiptar. Ne besojmë se më 8 Maj, qytetarët e Shqipërisë votuan për kandidatët e zgjedhur prej tyre. Ky zë tashmë duhet të dëgjohet dhe të respektohet nga të gjitha partitë politike. Ne do të ndjekim nga afër përmbylljen e procesit zgjedhor dhe shpalljen e rezultateve përfundimtare, si dhe vlerësimin e procesit nga misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve i OSBE/ODIHR-it, duke pasur parasysh shqetësimet e ngritura në deklaratat tona të mëparshme”. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›