Ministria e Financave: “Taksat më të ulëta dhe klima më e favorshme për biznesin”
Në përgjigje të deputetes socialiste Kodheli, zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj bëri një bilanc të arritjeve ekonomike në Shqipëri, që sipas tij, sollën ulje të madhe taksash, dyfishim të pagave si dhe ndërtimin e rrugëve të reja e shkollave. Sipas Rushaj, Shqipëria është një nga vendet me barrë më të ulët fiskale
Në një kohë kur qeveria ka krijuar lehtësi të konsiderueshme për zhvillimin e biznesit, duke filluar nga reduktimi i taksave dhe ulja e ndjeshme e tyre, Partia Socialiste pretendon se mund të krijojë zhurmë politike, përmes një drafti për reformat ekonomike, kryesisht për heqjen e TVSH-së për produktet bazë si dhe ato të konsumit të përgjithshëm.
Por i menjëhershëm është reagimi i Ministrisë së Financave, përmes zëvendësministrit Alfred Rushaj, i cili thekson se reforma fiskale e qeverisë është dhe ka rezultuar e suksesshme si dhe premton se taksat do vazhdojnë të ulen rregullisht, për të krijuar një klimë gjithnjë e më të favorshme për biznesin dhe zhvillimin e tij.
“Do të ulim barrën fiskale për biznesin si dhe do të krijojmë një klimë të favorshme për zhvillimin e tij”, u shpreh Rushaj teksa shtoi se, që nga viti 2005 e deri më tani janë përgjysmuar taksat, si dhe janë dyfishuar të ardhurat në buxhetin e shtetit.
Sipas tij, reformat ekonomike që janë ndërmarrë në vend nga qeveria shqiptare kanë sjellë rritje ekonomike, investime më të mëdha në vend si dhe zhvillim ekonomik të vazhdueshëm.
Sipas Rushajt, janë bërë investime publike, të cilat kanë përmirësuar në mënyrë të ndjeshme jetën e shqiptarëve.
“Qytetarët shqiptarë nuk paguajnë akcizë për produktet ushqimore, ndërsa çmimet e ilaçeve janë ulur me 10 për qind”, theksoi Rushaj.
“Kjo është ajo çfarë ka bërë kjo qeveri dhe është fryma me të cilën marrim çdo vendim. Angazhimi ynë është i qartë, do të miratojmë e do të përkrahim çdo iniciativë që do të jetë për uljen e barrës fiskale, përmirësimin e ambientit të të bërit biznes dhe përmirësimin e jetës së shqiptarëve, por do të refuzojmë çdo iniciativë që kërkon të krijojë monopole dhe evazion në treg”, përfundoi zëvendësministri i Financave Alfred Rushaj.