E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pakt kombëtar për reformat integruese – bashkëpunimi, test edhe për opozitën”

18-09-2011 / Gazeta 55

Rezoluta e integrimit/ LSI fton opozitën të ulet me mazhorancën në “Tryezën e Integrimit” për të nxitur marrjen e statusit të kandidatit

Ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto, dhe njëherazi nënkryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, fton opozitën të jetë bashkëpunuese në Kuvend, në kuadër të përmbushjes së detyrimeve integruese të vendit. Kryediplomati shqiptar bëri thirrje për
një marrëveshje të shkruar politike në kuadër të paktit kombëtar që dy ministrat e Jashtëm të Italisë dhe Greqisë këshilluan për Shqipërinë, në mënyrë që ajo të marrë një përgjigje pozitive për statusin e vendit kandidat në BE.
“Lëvizja Socialiste për Integrim rithekson domosdoshmërinë e arritjes se një Pakti Kombëtar për t’i dhënë një cilësi dhe shpejtësi të re procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Ne vlerësojmë se ky Pakt, në formën e një marrëveshje të shkruar politike ose të një ligji, duhet realizuar sa më parë me qëllim që BE dhe partnerët tanë evropianë të marrin një mesazh të qartë se angazhimi i partive politike, në mënyrë të veçantë i opozitës, nuk është lëvizje taktike, por është vërtetë, dhe jep rezultate konkrete”, u shpreh Haxhinasto, duke shtuar se “një tryezë për integrimin është e nevojshme për të përpiluar të gjitha reformat që forcat politike duhet të miratojnë në funksion të integrimit europian, në mënyrë që të provojnë se lëvizjet e tyre janë konkrete dhe jo taktike.
Ministri i Punëve të Jashtme solli në vëmendje se në sajë të këtij bashkëpunimi, varet Opinioni i Komisionit Evropian, për statusin kandidat të Shqipërisë, proces i cili duhet të përmbyllet me suksese brenda këtij viti.
“Është shumë e rëndësishme të mblidhet sa më parë ‘Tryeza e Integrimit’, për të adoptuar dhe zbatuar Planin kombëtar për Integrimin Evropian, që përmban veprimet dhe ligjet që duhen miratuar në mënyrë prioritare. Mesazhet nga BE, nga vendet partnere, ashtu siç u bë e qartë edhe nga dy ministrat e Jashtëm Frattini e Lambrinidis pak ditë më parë, theksojnë se nevoja e arritjes së një Pakti për Evropën, është themelore për një vlerësim pozitiv në Opinionin e BE për Shqipërinë në tetor të këtij viti”, deklaroi ai.
Haxhinasto përshëndeti hapat e hedhur nga socialistë e demokratë për caktimin e negociatorëve për reformën zgjedhore.
“LSI përshëndet hapat e parë për fillimin e reformës zgjedhore, si një proces transparent e gjithëpërfshirës, që realizohet në bashkëpunim me OSBE/ODIHR dhe Komisionin e Venecias, e që trajton rekomandimet e dhëna deri më tani për zgjedhjet në Shqipëri”, tha ministri i Jashtëm.
Gjatë kësaj jave në Kuvend, kryeministri Berisha bëri thirrje që Parlamenti shqiptar të miratonte një rezolute konsesuale për integrimin, por socialistët kanë përsëritur në vijimësi se nuk votojnë ndryshime ligjore apo ligje të caktuara, por veçse paketa reformash. Mazhoranca e ka vlerësuar këtë si kushtëzim të gjithë axhendës parlamentare vetëm pak jave nga publikimi i raportit të progresit të BE-së, linjë e ndjekur për dy vite me radhë nga opozita, jo vetëm për ligjet me shumicë të cilësuar.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›