E Diel, 1 Nëntor 2026

Libi: NATO intensifikon presionin ushtarak ndaj Gadafit- bombardon Tripolin me një sulm “apokaliptik”

25-05-2011 / Gazeta 55

Intensiteti i sulmeve, dhe fokusimi i tyre në fushën e kompleksit të komandës qendrore të Tripolit, Bab el-Aziziya, materializoi vendimin e fundit të NATO-s për të rritur presionin ushtarak ndaj regjimit të Gadafit

NATO ka kryer dje sulmin më të fuqishëm të ndërmarrë ndonjëherë gjatë 3 muajve të luftës. Sulmi ka zgjatur rreth 30-minuta duke shkaktuar shpërthime të fuqishme, më të fuqishmet që Tripoli ka ndjerë ndonjëherë. "Ne menduam se kishte ardhur dita e gjykimit", tha një libian i trembur nga sulmi. Intensiteti i sulmeve, dhe fokusi i tyre në fushën e kompleksit të komandës qendrore të Tripolit, Bab el-Aziziya, pasqyroi vendimin e fundit të NATO-s për të rritur presionin ushtarak ndaj regjimit të Gadafit. Paralel me sulmin e NATO-s, zyrtari më i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Jeffrey D. Feltman, mbërriti në Bengazi, në qytetin-bastion të rebelëve, për një vizitë që synon “rifreskimin” e mbështetjes së SHBA-ve ndaj rebelëve. Duke folur në një konferencë shtypi, z. Feltman tha se administrata Obama e ka ftuar opozitën  libiane për të hapur një zyrë në Uashington, por nuk i ka ofruar njohjen formale që rebelët kanë dhe vazhdojnë ta kërkojnë. "Ky hap shënon një piketë të rëndësishme në marrëdhëniet tona me Këshillin Tranzitor," tha z. Feltman, duke iu referuar organit rebel qeverisës, i cili, sipas z.Feltman, e kishte pranuar ftesën amerikane. Disa vende, përfshirë Francën dhe Gambian, e kanë njohur Këshilli Tranzitor të rebelëve, por Shtetet e Bashkuara dhe Britania nuk e kanë bërë një gjë të tillë, megjithatë kanë dërguar diplomatë, veprim ky që mund të cilësohet si një njohje faktike por jo juridike për Këshillin. Duke iu përgjigjur një pyetje se çfarë duhet të bëjnë  rebelët për të fituar njohjen formale, z. Feltman iu përgjigj duke cituar shqetësime lidhur me disa çështje historike, ligjore,  duke shtuar se pyetjet në lidhje me njohjen "sinqerisht humbasë pikë". "Çështja është se  Gadafi dhe Tripolit janë të izoluar diplomatikisht," tha Feltman. Ai nuk foli rreth fondit me ndihma për rebelët , të cilët kanë kërkuar miliarda dollarë në ndihma humanitare dhe armë. "Ne jemi duke shikuar se çfarë tjetër mund të bëjmë," tha z. Feltman. "Unë sot mora disa mesazhe të forta  nga anëtarët e këshillit". Zyrtarët libianë kanë akuzuar NATO-n, se me sulmet e saj ajrore, po përpiqet që të vrasë Gadafin. Llogaritë e sulmeve të fundit, të dhëna nga NATO dhe regjimi i Gadafit ndryshojnë shumë. Një zëdhënës i qeverisë, Musa Ibrahim, tha se sulmi  kishte goditur një ndërtesë e cila strehonte njësitë e forcës ushtarake e njohur si “Garda e Re”. Ai tha se përpara sulmit, komandantët ushtarakë të kësaj force i kishin paraprirë kësaj të fundit duke evakuuar ndërtesën, megjithatë, sipas autoriteteve të regjimit libian, sulmi ka vrarë tre civilë kurse 150 të tjerë janë plagosur, të cilët banonin në një lagje aty afër.
Ndërsa në bazë të raportit të  NATO-s, e lëshuar nga selia e jugut e Aleancës në Napoli, Itali, njoftohet se objektivi i sulmi ishte një ndërtësë ushtarake ngjitur me kompleksin e Gadafit, brenda së cilës ndodheshin makina të blinduara. Në raport thuhet se objekti është përdorur nga forcat e Gadafit që nga fillimi i revoltës anti-Gadaf në muajin shkurt,dhe se vazhdimisht i ka furnizuar me armë dhe makineri lufte forcat e regjimit, të cilët kanë kryer sulme te tmerrshme kundër civilëve të pafajshëm.
Tendencë-NATO planifikon përdorimin e helikopterëve ushtarakë në Libi/Franca dhe anëtarë të tjerë të koalicionit të NATO-s planifikojnë që të dërgojnë helikopterë luftarakë në Libi, një veprim ky që synon intensifikimin e presionit ushtarak kundër forcave të Muamar Gadafi. "Në këtë projekt nuk përfshihen vetëm helikopterë francezë ... Është një plan i koordinuar nga vetë Aleanca”, tha një zyrtar francez.  Burimi francez tha se ky veprim nuk mund të konsiderohet si pjesë e një strategjie për të përdorur trupa tokësore në konflikt. Por ndryshe shprehen efektivët ushtarakë. "Unë mendoj se skenari më i mundshëm është se helikopterët ushtarakë do të përdoret për të lejuar sulme nga ana e  forcave speciale," tha piloti specialist, Andreë Drëiega, duke shtuar se forcat speciale mund t’i identifikojnë më shpejt objektiva, duke shkurtuar kështu kohën që do të sillte përdorimi i një avioni. Bombardimet e NATO-s kanë dëmtuar forcat e blinduara të Gadafit, por këto nuk kanë qenë të mjaftueshme për të thyer totalisht forcat ushtarake qeveritare, pasi vetë mjetet ushtarake të bombardimeve nuk ka qenë mjaft efikase për të goditur disa objektiva specifikë. Nga ana tjetër, helikopterët shihen si mjete ushtarake mjaft efikase, pasi e kanë më të lehtë për të goditur objektiva që ndodhen në brendësi të qendrave urbane, pa shkaktuar viktima civile. Zëdhënësi ushtarak, Thierry Burkhard, nuk pranoi të konfirmojë raportin, por tha se anija ndodhet tani në Mesdhe.  "Dymbëdhjetë helikopterë nuk janë shumë", thotë Ken Freeman, bashkëpunëtor i Institutit i Studimeve të Shërbimeve të Mbrojtjes dhe Sigurisë  "Ata priren të jenë mjaft vulnerabil, prandaj duhet të përdoren me shumë kujdes... Ju ndoshta mund të mendoni se kjo është një shenjë që ju bën të aludoni se njerëzit(NATO) nuk dinë çfarë të bëjnë. Por mund t’iu them se kjo, është një gjë më e mirë sesa të qenit ulur në një tavolinë duke mos bërë asgjë”. Shumë anëtarë të NATO-s nuk pranojnë të shkojnë përtej zbatimit të mandati të Këshilli të Sigurimit për “Zonën e Ndalim-Fluturimit”.  Zëdhënësi i  Ministrisë së Mbrojtjes britanike tha se "nuk ka asnjë plan për të dërguar helikopterë ushtarakë në Libi". Duke folur në Bruksel, ministri i Jashtëm britanik, William Hague, u tha gazetarëve se ishte dakord me Francë dhe vendet e tjera, se duhet intensifikuar presioni ushtarak, ekonomik dhe diplomatik mbi regjimin e Gadafi. Por ai nuk pranoi të pohonte se Britania ka planifikuar që t’u bashkohet vendeve si Franca për dërgimin e helikopterëve në Libi. Megjithatë, në Mesdhe ndodhet luftanija më e madhe e Britanisë, HMS Oqeani, e ngarkuar me helikopter Apash, e cila pret vetëm një “OK” për të nisur një sulm me këta helikopterë, të cilët përbëjnë një risi(nëse përdoren) për operacioni ushtarak të NATO-s në Libi.
             Pas takimit me përfaqësuesit e regjimit të Gadafit, Rusia pret kryengritësit e Libisë/Ministri i i jashtëm rus, Sergei Lavrov pritet të takojë përfaqësuesit e kryengritësve të Libisë, në më pak se një javë pasi që Rusia priti aleatët e ngushtë të liderit libian Muhamed Gadafit. Lavrov tha se do të zhvillojë takime me përfaqësuesin e Këshillit Kombëtar Tranzitor, Abdel-Rahman Shalgam, ish i dërguar i Tripolit në OKB, i cili i ka shkëputur lidhjet me qeverinë e Gadafit. Rusia tha se nuk dëshiron të luajë rolin e ndërmjetësit zyrtar në konfliktin e Libisë, por Lavrovi përsëriti thirrjet e Rusisë për dialog politik. Rusia ka kritikuar fushatën ajrore të udhëhequr nga Perëndimi në Libi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›