E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fokus/Vrasjet, kjo plagë e pambyllur

23-05-2012 / Nga Skënder Mulliqi

Kontinenti i vjetër po përballët me krizën globale. Valët e kësaj krize sigurisht se bëhen me të theksuara në vendet në tranzicion, siç është edhe Kosova. Po thuaj çdo gjë ka lidhshmëri të fortë me bazën ekonomike. Nëse një shtet përballet me krizë të madhe ekonomike, atëherë edhe mirëqenia nuk mund të jetë e mirë. Kosova si  shteti më i ri në kontinent, natyrisht se ka probleme  të mëdha në të gjitha fushat e jetës. Kur rëndohet gjendja sociale-ekonomike, atëherë bëhen shumë më të theksuara fjalët: vrasje, gjakmarrje, vjedhje, drogë, trafik, pronë, të cilat pamëshirshëm godasin mendjen e secilit. Jetojmë në pasiguri dhe frikë se si do t’ia dalim mbanë. Krizat ekonomike dhe krizat politike në të shumtën e rasteve i sjellin njerëzit në krye të strukturave shtetërore me keqqeverisjen e tyre. Kur t’i shkelet e drejta tjetrit, ai automatikisht privohet nga mirëqenia, privohet nga e drejta e Zotit për të jetuar pa fajin e tij. Njeriu është prej mishit dhe gjakut, dhe nuk mund të jetë indiferent karshi të keqes e cila e çon në situatë krize morale dhe depresioni po thuaj pa rrugëdalje. Njeriu mund ta shijon jetën vetëm një herë. Si qenie më e përkryer që është njeriu, kërkon më të drejtë që jetën ta shijojë i lumtur. Fatkeqësisht njeriu i këtij trolli është duke u përballur me probleme ekzistenciale, për shumë kënd jeta është bërë e padurueshme. Në Kosovën e pasluftës duhet ndarë vrasjet  të cilat ishin të motivuara politikisht e të cilat shumë na dëmtuan si popull, nga vrasjet  për motive të tjera. Kalvari i vrasjeve të fundit assesi nuk po ka të ndalur. Kriminaliteti është në rritje në vend që të ishte e kundërta. Pas dëbimit të forcave pushtuese nga Kosova, të gjithë kemi pritur harmoni, mençuri, urtësi dhe mirëkuptim pa i bërë sherr askujt. Në këtë kontekst edhe ta mbyllim plagën shekullore si janë vrasjet për gjakmarrje, por edhe vrasjeve për motive  të tjera. Kanuni si kod zakonor mijëvjeçar natyrisht se ka lënë gjurmë të thella në mentalitetin dhe jetën tonë. Natyrisht se aty ku nuk vepron sa duhet drejtësia vjen në shprehje gjuha e armëve për t’i zgjidhur vet problemet. Ky mos balancim ka bërë që të rritet edhe shumëllojshmëria e krimeve. Në Kosovë afër gjysma e popullatës nuk kanë ku ta gjejnë një vend të punës. Sidomos të rinjtë tanë kanë rënë në hall të madh. Në këtë rreth vicioz, në të shumtën e rasteve, arsyeja i lëshon vend dhunës së shfrenuar. Ne këso situata njeriu është i ngarkuar me probleme të shumta, të cilat e bëjnë nervoz dhe mezi pret të shpërthejë duke i bërë dëm të madh tjetrit. Për çfarëdo motive që bëhen vrasjet ato nuk mund të arsyetohen. Çdo problem sado i rëndë që është me durim edhe mund të zgjidhet. Vrasjet, sërish Rrafshin e Dukagjinit e kanë qitë në krye të kronikave të zeza. Që nga janari e deri me sot në Dukagjin janë privuar nga jeta për motive të ndryshme 10 persona, është mjaft e vështirë kur dëgjon shpesh në radio, shikon në televizion dhe lexon në gazeta për vrasjet të cilat ushtrojnë presion mbi psikën tonë, e sidomos ndikojnë negativisht tek gjeneratat e reja. Këto akte të dhunës lënë gjurmë të pashlyeshme që vështirë është të harrohen. Nëse dhuna shpeshtohet, atëherë kjo mund të shndërrohet ne diçka të keqe e cila kërkon kohë dhe mund të madh që plagët të shndërrohen. Ne këtë botë ka vend për të gjithë, por lypset vullnet i mirë i të gjithëve e posaçerisht i strukturave shtetërore që kjo plagë shekullore mos të ketë vend në shoqërinë tonë. Çdo vrasje tërheq pas veti reperkusione të mëdha. Problem ne vete është gjakmarrja. Shumë familje janë të detyruara të mbesin të ngujuara me vite të tëra nga frika për hakmarrje. Shumë pak deri me sot kemi parë dhe dëgjuar se njerëzit e pushtetit të kenë marrë ndonjë nismë që t’i zbusin hasmeritë e familjeve të përfshira në konflikt. Problemi zgjidhet kur ballafaqohesh me te, e jo duke e fshehur thelbin e problemit ose duke e anashkaluar tërësisht ate. Të gjitha hasmeritë e vështirësojnë edhe funksionimin e një shoqërie dhe ndikojnë edhe në prosperitetin e një vendi. Plaga e gjakmarrjes shumë ishte sanuar para luftës nga shumë veprimtarë tanë. Te Verrat e Llukës u falën shumë gjaqe dhe plagë. Pa dyshim së ky log i pajtimit i hapi shpresat që kjo plagë shekullore më në fund do të mbyllet, dhe padyshim së ishte edhe një fitore madhore karshi pushtuesit shekullore serbo-sllavë. Por, pas luftës jemi dëshmitarë të shumë vrasjeve të reja. Me funksionimin e shtetit ligjor sigurisht që më shumë më pak do të kishim vrasje. Këto vrasje për çfarëdo motivesh qofshin ato, ngadalësojnë proceset në rrugën e Kosovës   edhe drejtë Evropës. Nga varfëria shumë kush ka vendosur që t’ia marrë të drejtën vetës për të jetuar, e të tilla raste sa vijnë e po shpeshtohen, e që dikur jo fort larg fenomeni i vetëvrasjeve ishte dukuri e huaj për shqiptarët. Për familjet ku ndodhim vetëvrasjet është një traumë e vërtetë. Vetëm duke e përmirësuar mirëqenien për të gjithë mund ta mundim edhe dhunën. Vetëm duke punuar për shtetin në të cilin vjen në shprehje sundimi i rendit dhe ligjit, do ta mundim këtë të keqe të madhe. Vetëm më një zhvillim më të hovshëm ekonomik ngjallën shpresat për një të ardhme më të mirë. Duke e mundur mendësinë e vjetër të trashëguar nga e kaluara e hidhur shumë do të flakën edhe vrasjet. Nuk ka shoqëri të prosperuar dhe demokratike pa autoritet shtetëror. Kur gjithçka funksionon ashtu si duhet atëherë sigurisht se edhe për fenomenin e vrasjeve do të dëgjohet, shikohet dhe shkruhet shumë më pak...

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›