E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debati shterpë i Evropës - kursim vs stimul

23-05-2012 / Nga Peter Morici (FoxNews)

Samiti evropian që do të mbahet këtë javë do të paraqesë një ballafaqim mes kancelares gjermane Angela Merkel, e cila mbron masat e kursimit, dhe Presidentit francez, Francois Hollande, i cili përkrah stimujt për të nxitur rritjen ekonomike. Asnjëri prej këtyre qëndrimeve nuk është pa merita, por asnjëri syresh nuk do të zgjidhë në vetvete problemet e Greqisë apo të shteteve të tjera të Klubit të dobët Mesdhetar. Mjerisht, asnjëri prej liderëve të përfshirë, mes tyre edhe kryengritësit e majtë që me shumë gjasa do të fitojnë zgjedhjet e ardhshme në Greqi, nuk duken të gatshëm të pranojnë se çdo program i suksesshëm për të vënë Evropën përsëri në rrugë të mbarë do të kërkojë braktisjen e euros dhe rikthimin tek monedhat kombëtare. Pas prezantimit të monedhës së përbashkët në vitin 1999, rritja e produktivitetit është ngadalësuar dhe çmimet janë rritur më shumë në Evropën Jugore se në Gjermani dhe shtetet e tjera veriore par shkak si të kushteve kulturore ashtu edhe të kushteve të pandryshueshme gjeografike. Veriu dhe Gjermania kanë gëzuar tepricat në rritje tregtare në kurriz të deficiteve të shteteve jugore. Deficitet tregtare mund të nxisin papunësinë e lartë dhe të ulin vjeljen e taksave, kështu për të mbështetur punësimin dhe programet sociale në të njëjtin nivel si fqinjët veriorë, qeveria greke, italiane dhe portugeze morën më shumë borxhe nga ç’mund të mbanin. Në Spanjë, evropianoveriorët nxitën vërsuljen e fondeve të huaja në bankat spanjolle për të ndërtuar banesa dhe hotele duke blerë shtëpi të dyta dhe shtëpi pushimesh në klimën e saj me diell. Spanja aktualisht kishte teprica buxhetore të para krizës globale financiare të vitit 2008, dhe deficitet e saj tregtare erdhën si pasojë e huamarrjes bankare nga burime të huaja dhe kredidhëniet e pasigurta për pronarët e shtëpive - modeli amerikan i tejkalimit. Deficitet tregtare bënë që të gjitha shtetet e Klubit të Mesdheut të konsumonin më shumë nga ç’prodhonin ekonomitë e tyre jo-konkurruese, duke marrë borxhe në një formë apo në një tjetër, por asnjëra prej tyre nuk shfrytëzoi mundësinë të nxisë prodhimin dhe të rifitojë aftësinë për të konkurruar. Kur kriza bankare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës futi ekonominë globale në Recensionin e Madh, investitorët u bënë gjithnjë e më të vetëdijshëm që Portugalia, Italia, Greqia dhe Spanja po ndiqnin modele të gabuara ekonomike dhe që kurrë nuk do të ishin në gjendje të paguanin borxhet. Normat e huamarrjes u ngritën në qiell, duke i shtyrë qeveritë e të katër shteteve, e bashkë me to edhe bankat spanjolle, në prag të kolapsit. Në mënyrë që këto ekonomi të rikthehen përsëri tek rritja, të gjitha duhet që sikundër këshillon kancelarja gjermane Angela Merkel, të shpenzojnë më pak para në programet sociale. Evropianët sikundër edhe amerikanët po jetojnë më gjatë kështu që duhet të punojnë edhe pas moshës aktuale të pensionimit në të kundërt financat kombëtare thjesht nuk mund të funksionojnë, dhe ata duhet ta shpëtojnë veten nga nocioni se qeveria u ka borxh t’u sigurojë jetesën. Këto ekonomi po ashtu duhet të bëhen më konkurruese duke rritur eksportet, ulur importet, duke drejtuar tepricat tregtare në fitimin e eurove për të shlyer borxhet - kjo kërkon çmime dhe paga më të ulëta për atë që ata bëjnë, e vlerësuar kjo në euro. Në mungesë të monedhave kombëtare, kursimi nëpërmjet papunësisë së lartë duhet të ulë pagat dhe çmimet. Për Evropën Jugore kjo do të marrë pesë, mbase dhjetë vite papunësi në nivelin e 25-50 përqindshit - kjo nuk është thjeshtë politikisht e realizueshme. Në vitin 2008 Islanda pati një krizë bankare të ngjashme me Spanjën, por ajo ka monedhën e vet kombëtare. Islanda bëri që korona të zhvlerësohej kundrejt euros dhe pagat ranë me pothuajse 50% në krahasim me pjesën tjetër të Evropës. Shteti i dha mbështetje të vazhdueshme papunësisë dhe ndihmoi pronarët me probleme të shtëpive në mënyrë më agresive se qeveria amerikane dhe ato evropiane. Ky kombinim e bëri Islandën një vend konkurrues dhe tërheqës për investime, dhe qeveria mbështeti ekonominë e brendshme sikundër edhe sektorin e ristrukturuar privat. Pa elementët më substanciale të reformave fiskale të këshilluara nga kancelarja Merkel, Evropa Jugore nuk mund të fitojë aftësinë e të paguarit të borxheve dhe pavarësinë nga ndihma gjermane, por gjithashtu nuk mund të zhvillohet pa braktisur euron dhe disa ndihma të arsyeshme dhe të vazhdueshme për të papunët, pronarët e shtëpive dhe debitorët e tjerë privatë. Gjermania, Finlanda dhe shtetet e tjera duhet të mbështesin këtë rrugë për të mirën e tyre vetjake ? sektorët e tyre privatë janë tepër të varur nga Evropa Jugore për sa i përket klientëve. Pa braktisur euron, Evropa Jugore do të shkatërrohet dhe me vete do të marrë edhe Gjermaninë e shtetet e tjera të Evropës Veriore.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›