E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një refleksion i shkurtër mbi samitin e NATO-s, në Çikago

23-05-2012 / Nga Lavdrim Lita

Në samitin e Çikagos, 20-21 maj, përpos miratimit të 25 projekteve të përbashkëta janë marrë tre vendime shumë të rëndësishme: së pari për të ardhmen e prezencës ushtarake në Afganistan; së dyti për kapacitetet që duhet të këtë instrumenti ushtarak i NATO-s në 2020; së treti për partneritetin në nivel botëror, pra, bashkëpunim mes vendeve të ndryshme për të përballuar sfidat e sigurisë së shekullit XXI.
Përsa i përket Afganistanit, edhe një herë u ritheksua angazhimi për të kompletuar tërheqjen e trupave brenda fundit të 2014, datë të cilën presidenti i SHBA-ve e kishte përcaktuar dhe më parë. Deri këto asgjë e re, përpos detajimi të tablosë me përcaktimin e etapave që duhen arritur për një tranzicion të plotë dhe përgatitje  për marrjen e përgjegjësisë nga ana e forcave të sigurisë afgane.  Por pas 2014, nuk është lëvizje “të gjithë në shtëpi”. Në kërkesë të qeverisë Afgane dhe implementimin të një exit-strategy nga ana e Aleancës, do të qëndrojnë vetëm forcat e nevojshme për të çuar përpara stërvitjen dhe këshillimin e nomenklaturës ushtarake afgane, pa u angazhuar në misione luftarake.
Ndërkohë angazhimi financiar për Afganistanin është nënvizuar nga vetë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, që tha: “jemi në rrugën e duhur për të mbërritur në objektivin e 4 miliardë dollarë në vit për të financuar forcat e sigurisë afgane, dhe kjo është një fakt pozitiv”.
Përsa i përket kapaciteteve të instrumentit ushtarak të projektuar për 2020, në komunikatën e aprovuar nga Shefat e Qeverive të Aleancës është theksuar, përtej frazave të zakonshme dhe vijimit të objektivave, mbi të gjitha “ deklarata e aprovimit të një kapaciteti ad Interim të Mbrojtjes kundër raketave balistike që do të çojë në implementimin e një sistemi të Mbrojtjes Balistike, që do të jetë në gjendje për të mbrojtur territoret e NATO-s, popujt dhe forcat përballë një kërcënimi në rritje, për shkak, të përhapjes së raketave balistike, të bazuar në parimin e pandashmërisë dhe solidaritetit të NATO-s, të ndarjes së barabartë të risqeve dhe të barrës (sidomos ekonomike), duke pasur parasysh nivelin e kërcënimit të ardhur nga teknika dhe ekonomia”.
Sigurisht ka shumë aspekte të tjera që mund dhe duhet të peshohen dhe të zbërthehen në refleksione, por të ndalemi tek një pikë. NATO po çon përpara një ëndërr të vjetër të “mbrojtjes së yjeve” të presidentit të SHBA-ve, Ronald Regan. Kjo ide është zgjeruar jo vetëm për Amerikën, por dhe për të gjitha vendet e NATO-s, Mbrojta balistike për të gjithë zonën Euro-Atlantike (citohet, parimi i pandashmërisë dhe solidaritetit). Sigurisht është një projekt ambicioz dhe i kushtueshëm, prandaj kërkohet ndarja e përbashkët e kostos nga aleatët (pra, ndarjen e barabartë të risqeve dhe barrës).
Gjithashtu liderët e Aleancës ranë dakord se NATO: “Të implementojmë një kulturë të re bashkëpunimi, kështu që kombet do të mund të arrijnë së bashku atë që nuk arrijnë dot të vetëm. Ne e zbatuam atë në praktikë duke rënë dakord mbi projekte të cilat do të na krijojnë kapacitetet e nevojshme, me një çmim të cilin mund ta përballojmë,” siç tha Sekretari i Përgjithshëm, Anders Fogh Rasmussen, pas sesionit final të samitit.
NATO demonstroi se ka kapacitet të lidhë forcat si dhe të menaxhojë projektet shumëkombëshe. Kjo është një nga pikat e saj të forta. Përsa i përket partneritetit, NATO po tregohet më fleksibël me partnerët, brenda dhe përtej lidhjeve ekzistuese, për të adresuar sfidat globale. Çikago ishte  një mundësi e kapur për aleatët në zgjerimin e rrjeteve të tyre të partneritetit dhe në thellimin e marrëdhënieve në një kohë kur bashkëpunimi nuk konsiderohet më si një luks, por një domosdoshmëri.
Sidoqoftë ky ishte një ndër samitet më të mëdha në historinë e Aleancës, duke qenë se së bashku me aleatët, organizatat ndërkombëtare dhe vendet partnere të ftuara, numri i vendeve pjesëmarrëse arrin në 60. Përveç të tjerash, organizimi i këtij Samiti në SHBA-të, ishte një mënyrë për të përcjellë mesazhin simbolik të rëndësisë që ka lidhja trans-atlantike e SHBA-ve me Europën, dhe veçanërisht me NATO-n.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›