E Shtunë, 31 Tetor 2026

10 arsye për Europën

23-05-2012 / Nga Dominique Moisi

Shumë tani besojnë se Euro nuk do t’i mbijetojë dot një klase politike të dështuar në Greqi apo nivelit të përshkallëzuar të papunësisë në Spanjë: edhe disa muaj, thonë ata, dhe kolapsi i papërmbajtshëm i Bashkimit Evropian do të fillojë.
Profeci të errëta janë shpesh të gabuara, por ato gjithashtu mund të bëhet vetë-plotësuese.
Le të jemi të sinqertë: të bësh “Kasandrën” në ditët e sotme nuk është vetëm joshëse në një botë mediash ku "lajmi i mirë nuk është lajm", por në fakt duket më e justifikuar se kurrë. Për BE-në, situata nuk ka qenë kurrë më serioze se kaq.
Është pikërisht në këtë moment kritik që është thelbësore për të ri-injektuar shpresë dhe, mbi të gjitha, për t’i dhënë një kuptim  të përbashkët gjithë këtij ekuacioni. Pra ja ku janë dhjetë arsye për të besuar tek Evropa - dhjetë argumente racionale për të bindur analistët pesimistë dhe investitorët e brengosur, se është shumë herët për të varrosur euron dhe BE-në.
Arsyeja e parë që të jep shpresë është se po kthehet në Evropë aftësia politike, edhe në qoftë se në doza homeopatike. Është shumë herët për të parashikuar impaktin e zgjedhjes së François Hollande-s si President i Francës. Por, në Itali, një njeri, Mario Monti, tashmë po bën një ndryshim.
Sigurisht, Monti, nuk u zgjodh nga populli dhe pozita e tij është e brishtë dhe tashmë e kontestuar, por ka thuajse një  konsensus pozitiv që e ka lejuar atë
të nisë në  kohë të vonuar reformat strukturore. Është shumë herët për të thënë se sa kohë ky konsensus do të zgjasë dhe çfarë ndryshimesh do të sjellë. Por Italia, një vend që nën qeverisjen e kavalierit Silvio Berluskoni ishte një burim  dëshpërimi, është kthyer në një burim të vërtetë, edhe pse  i brishtë, optimizmi.
Një arsye e dytë për të besuar tek Evropa është që me aftësinë politike vjen
edhe përparimi në qeverisje. Monti dhe Hollande të dy kanë emëruar gra në poste kyçe ministrore. Të margjinalizuara për kaq kohë, këto gra do të sjellin oreksin për sukses nga i cili do të përfitojë e gjithë Evropa. Së treti, opinioni publik europian e ka kuptuar, më në fund, plotësisht seriozitetin e krizës. Pa kthjelltësinë e ardhur nga dëshpërimi, Monti kurrë nuk do të kishte ardhur në pushtet në Itali. Në Francë, gjithashtu, qytetarët nuk kanë iluzione. Vota e tyre për Hollande ishte një votë kundër Sarkozy, jo kundër kursimit. Ata janë të bindur, sipas sondazheve  të opinionit publik  botuar kohët e fundit -, që presidenti i tyre i ri nuk do të mbajë disa nga premtimet e tij "të zbuluara" dhe ata duket se ata e kanë pranuar këtë si të pashmangshme.
Arsyeja e katërt për të patur shpresën është e lidhur me krijimtarinë, prodhimtarinë  e Evropës. Evropa nuk është e dënuar të jetë një muze për të kaluarën e vet. Turizmi është i rëndësishëm, sigurisht, edhe nga kjo pikëpamje diversiteti i Evropës është një burim unik atraktivitetit. Por ky diversitet është gjithashtu një burim i shpikjeve të reja. Nga makinat gjermane e deri tek mallrat luksoze franceze, konkurrenca evropiane industriale nuk duhet të nënvlerësohet. Në momentin kur Evropa me të vërtetë do të besojë në vetvete, ashtu siç bën  Gjermania, dhe të kombinojë planet strategjike afat-gjata me investimet e mirë alokuara R & D, atëherë e gjitha kjo do të bëjë ndryshimin. Në të vërtetë, në fusha të caktuara të rëndësishme, Evropa ka një traditë të njohur globalisht të përsosmërisë së lidhur me një kulturë shumë të thellë të cilësisë. Burimi i pestë i optimizmit është paksa paradoksal. Ekseset nacionaliste kanë qenë të prirura për ta udhëhequr Evropën drejt luftërave katastrofike. Por kthimi i një ndjenje nacionaliste në Evropë sot krijon një ndjenjë të rivalitet dhe konkurrencës, e cili rezultoi e dobishme në rritjen e Azisë
dje. Koreanët, kinezët, dhe Tajvanezët dëshironin të ishin po aq të suksesshëm sa edhe Japonia. Në të njëjtën mënyrë, së shpejti do të vijë momenti kur francezët do të duan të jenë po aq të suksesshëm sa gjermanët.
Arsyeja e gjashtë është e lidhur me vetë natyrën e sistemit politik të Evropës. Fjalët e famshëm të Churchillit se demokracia është sistemi më i keq politik, me përjashtim të gjithë të tjerëve, ka qenë përhapur në të gjithë kontinentin. Më shumë se 80% e qytetarëve francezë votuan në zgjedhjet presidenciale. Duke parë në televizionet e tyre, transferimin solemn, dinjitoz, paqësor dhe transparent të pushtetit nga presidenti që kishte humbur,  tek presidentit që kishin zgjedhur, qytetarët francezë vetëm mund të ndihen mirë për veten dhe të privilegjuar për të jetuar në një shtet demokratik. Europianët mund të jenë të hutuar, jo efektivë dhe të ngadalshëm për të marrë vendime, por demokracia ende përbën një mur të stabilitetit kundër pasigurive ekonomike dhe pasigurive të tjerave.
Arsyeja e shtatë për të besuar tek Evropa është e lidhur me universalizmin e  mesazhit që përçon Europa si kontinent dhe gjuhëve të saj. Pak njerëz ëndërrojnë të bëhen kinezë, apo të mësojnë gjuhën e tyre. Në të kundërt, anglishtja, spanjishtja, frëngjishtja dhe gjithnjë e më shumë, gjermanishtja po i kapërcejnë  kufijtë kombëtarë. Përtej universalizmit vjen faktori i tetë i mbështetur tek mbijetesa e BE-së: multikulturalizmi. Ai është një model i diskutueshëm, por multikulturalizmi është më shumë një burim i fuqisë, se i dobësisë. Ndërthurja e kulturave në këtë kontinent i bën njerëzit e tij më të pasur dhe jo më të varfër.
Arsyeja e nëntë për shpresë buron nga anëtarët e rinj dhe të ardhshëm të BE-së. Polonia, një vend që i takon "New Europe", po i shlyen BE legjitimitetin që kishte marrë nga Evropa gjatë tranzicionit post-komunist të saj. Dhe hyrja e Kroacisë, e ndjekur nga Mali i Zi dhe disa vende të tjera të Ballkanit, mund të kompensojnë largimin e Greqisë. Së fundi, dhe më e rëndësishmja, Europa dhe bota nuk kanë alternativë më të mirë. Kriza greke mund të jetë detyruese që Europa të lëvizë drejt integrimit më të madh, me apo pa Greqinë. Filozofi gjerman Jürgen Habermas flet për një realitet "transformues" - një fjalë e ndërlikuar për një realitet të thjeshtë: të ndarë ne mund të biem (mposhtemi), ndërsa të bashkuar, në mënyrën tonë të ndërlikuar, ne mund të përpiqemi të bëhemi "madhështor" në kuptimin më të mirë të fjalës. Investitorët, natyrisht, janë mbrojtës të “basteve” të tyre. Duke investuar në mënyrë të suksesshme vendet në zhvillim jo-demokratike, nga brishtësia e të cilave ata kanë filluar të frikësohen, disa, nga maturia, kanë filluar të rizbulojnë Europën. Ata mund të jenë ndër më të mençurit...
*Shkrim i botuar së pari ne Project-syndicate.com

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›