Sot, Shqipëria merr Presidencën e Këshillit të Evropës
Sot, Shqipëria mban në duart e saj çelësin e presidencës së radhës së KiE-së. Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto është i pari përfaqësues i shtetit shqiptar që do të ketë nderin, por edhe përgjegjësinë e madhe për të kryesuar këtë organizatë për gjashtë muaj me radhë. Pra, gjatë periudhës maj – nëntor 2012 Shqipëria do të kryesojë Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës, pas gati 17 vitesh anëtarësimi në këtë organizatë të rëndësishme pan-evropiane. Në vijim të propozimit shqiptar dhe me mbështetje të autoriteteve më të larta të KiE-së është rënë dakord për krijimin e një trojke Presidencash të Komitetit të Ministrave: Ukrainë, Britani e Madhe dhe Shqipëri. Qëllimi i krijimit të Trojkës, është bashkërendimi i punës së tre kryesive për përcaktimin e prioriteteve të përbashkëta, me qëllim sigurimin e vazhdimësisë së punës për arritjen e objektivave substanciale. Që më 7 nëntor 2011, në Strasburg, gjatë Sesionit të Komitetit të Ministrave të KiE-së kur u bë kalimi i presidencave nga Ukraina tek Britania e Madhe, në cilësinë e kryetarit të ardhshëm të Komitetit të Ministrave, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto shprehu vullnetin dhe angazhimin e Kryesisë së ardhshme shqiptare, për të dhënë kontributin e saj konkret në promovimin e vlerave themelore, si dhe në realizimin e prioriteteve kryesore të veprimtarisë së Këshillit të Evropës. Marrja e presidencës së KiE-së nga Shqipëria pas afro 17 vitesh anëtarësimi në këtë organizatë, është në një moment historik për Shqipërinë dhe do të shënojë një kontribut të rëndësishëm të vendit tonë drejt vlerave evropiane. Kjo ngjarje me peshë jo të pakët në historinë e politikës dhe diplomacisë shqiptare qëndron plot dinjitet në këtë 100 vjetor të shenjtë të shpalljes së pavarësisë së vendit tonë. Shqipëria tashmë e ka bërë të qartë që do të ketë një angazhim maksimal në dhënien e kontributit të vet konkret në promovimin e vlerave themelore, si dhe në realizimin e prioriteteve kryesore të veprimtarisë së Këshillit të Evropës. Që në momentet e para të qenit pjesë e organizatës së Këshillit të Evropës, Shqipëria ka qenë përfituese në shumë drejtime të punës dhe veprimtarisë së saj, por tashmë është radhë që përmes një angazhimi akoma edhe më të madh pas Shqipërisë të jetë Kosova ajo që duhet të jetë përfituese e kësaj mbështetjeje dhe ndihme për të ofruar një perspektive evropiane për të gjithë qytetarët që jetojnë atje.
Në agjendën e saj tashmë Shqipëria i ka të qarta dhe të mirëpërcaktuara prioritetet dhe objektivat e Kryesisë shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës. Shqipëria do të synojë që të promovojë një shoqëri demokratike të qëndrueshme bazuar në raportin e hartuar nga Personat e Shquar “Të jetojmë së bashku-të harmonizojmë diversitetin dhe lirinë në Evropën e shekullit të 21-të”. Askush nuk mund ta mohojë që bashkëjetesa paqësore në gjirin e shoqërive evropiane çdo ditë është në valën e kërcënimit nga rreziqe të shumta të cilat synojnë cenimin e stabilitetit dhe sigurisë së shoqërive ku ne jetojmë. Në mënyrë të vazhdueshme Shqipëria ka qenë pjesë ndarëse e këtyre shqetësimeve. Ajo është angazhuar maksimalisht që të jetë mbështetëse e plotë e përpjekjeve të Sekretarit të Përgjithshëm dhe të Personave të Shquar si dhe punën e kryesive paraardhëse për vënien në jetë të disa prej rekomandimeve të rëndësishme të raportit si: roli i dialogut kulturor, edukimit dhe rinisë, promovimi i dimensionit fetar dhe dialogut ndërkulturor parandalimi i krimeve kundër njerëzimit dhe trasmetimi i memories së Holokaustit, të mbështetim aspiratat demokratike dhe lëvizjet popullore në vendet e Afrikës së Veriut dhe të Mesdheut duke fuqizuar dialogun dhe bashkëpunimin e organizatës me to.
“Dialogu ndërkulturor është një element kyç i bashkëjetesës paqësore të shoqërive tona. Shqipëria beson fort se një dialog i bazuar në respektin e përbashkët përbën një mjet thelbësor për përmirësimin e marrëdhënieve në mes njerëzve dhe vendeve. Shqipëria si një faktor paqësor dhe stabilizues në rajon, me një traditë të gjatë harmonike, bashkëjetesë multi fetare, ka shumë për të ofruar në këtë drejtim”, ka pohuar z.Haxhinasto në kuadër të marrjes së presidencës së KiE-së nga Mbretëria e Bashkuar.
Duke shqyrtuar prioritetet dhe objektivat të bie në sy ajo e forcimit të demokracisë në nivel lokal dhe rajonal. Në këtë kuadër Shqipëria ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë forcimin e procesit demokratik në nivel lokal e rajonal si dhe propozimet për një bashkëpunim të ngushtë tematik me një agjendë të përbashkët midis sektorit ndërqeveritar, Kongresit te Autoriteteve Lokale e Rajonale dhe Asamblesë Parlamentare siç janë theksuar dhe në Konferencën e Kievit dhe në Raportin Chavez.
Madje, Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, në kuadër të marrjes së kësaj presidence do të deklaronte se kjo është një mundësi epokale për vendin, pasi vendi mund të kryesojë presidencën pas disa dekadash. Sipas tij Ministria e Brendshme në këtë rast është jashtëzakonisht e interesuar që të ketë suksesin maksimal, ajo që quhet presidenca e Shqipërisë në Këshillin e Europës, ku demokracia lokale është një nga shtyllat kryesore të KiE-së dhe si e tillë, e kthen ministrinë në një qendër epokale, në një nga shtyllat e rëndësishme të presidencës shqiptare. Për Ponin, Shqipëria ka arritje të rëndësishme veçanërisht në qeverisjen lokale.
Në qendër të punës së presidencës shqiptare do të jetë vazhdimi i reformës politike të Këshillit të Evropës me synimin shndërrimin e kësaj organizate në një aktor të fuqishëm politik dhe rritjen e vizibilitetit të saj përtej kufijve të hapësirës evropiane si dhe ai i reformës për të ardhmen e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut si një prioritet afatgjatë i organizatës. Kryesia shqiptare do të kontribuojë veçanërisht në zbatimin e njërit prej rekomandimeve shumë të rëndësishme të Konferencave të Interlaken-it , Izmirit dhe Brighton-it për “garantimin e efikasitetit afatgjatë të sistemit të konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe përmirësimin e zbatimit të saj në nivel kombëtar.”
Pjesë përbërëse e prioriteteve dhe objektivave të punës së palës shqiptare do të jetë ajo e mbrojtjes dhe respektimi i të drejtave të njeriut me fokus: promovimin e barazisë gjinore dhe luftës kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të fëmijëve. Shqipëria në mënyrë të vazhdueshme përmes politikave të saj ka treguar se sa e rëndësishme është forcimi i bashkëpunimit me partnerët më të rëndësishëm ndërkombëtar si Bashkimi Evropian, OSBE etj. Ajo edhe përmes kësaj presidence do të ketë në optikën e saj pikërisht forcimin e mëtejshme të tyre Si vend i vlerësuar për rolin stabilizues dhe të moderuar në rajon Shqipëria do të mbetet e angazhuar gjatë kryesisë së saj për promovimin e bashkëpunimit rajonal duke kontribuar për integrimin më të madh midis vendeve të rajonit dhe për të avancimin e rajonit në drejtim të integrimit evropian.
Promovimi i vlerave të Këshillit të Evropës dhe edukimi i brezave të rinj do të jetë në themel të Kryesisë shqiptare të Komitetit të Ministrave. Në këtë epokë zhvillimesh intensive dhe shumë të ndërlikuar plot komplekse dhe konflikte, padyshim që merr një rëndësi të veçantë edukimi dhe mësimi i brezave të rinj si të jetojnë së bashku në paqe dhe harmoni në gjirin e shoqërive evropiane multikulutore. Ndaj kryesia shqiptare do të udhëhiqet nga motoja “Të bashkuar në diversitet”.