Fokus/Zëdhënësi i 36-të i Jorgos i gënjen të ftuarit me bukë në gojë
Emërimi është në vetvete qesharak dhe ka vlerë qesharake (36 veta sipas një koncepti gjeografik), por standardi i tij, braktisja e socialistëve dhe izolimi ndërkombëtar e kanë çuar Edi Ramën në një keqpërdorim të tillë. Edhe të ftuarit e “darkës së gabuar” s’kanë qenë shumë të informuar për paliaçatën, prandaj edhe duket se i kanë qëndruar farsës, paçka se s’kanë qenë të detyruar
“Çdo dokument që prodhon qeverisja duhet të jetë i hapur për publikun dhe ju garantoj se në 23 qershor do të mbarojë epoka e shkresave që sot e gjithë ditën i mbahen të fshehura jo vetëm publikut, por deri dhe deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë”
Për ndokënd, kjo frazë mund të duket normale, e artikuluar në një situatë normale. Por, kur merret vesh se kjo frazë e stërzgjatur është artikuluar prej Edi Ramës, e sigurt, për të gjithë është një gënjeshtër e madhe.
E mbani mend Edi Ramën në kohën e qeverisjes prej tij të bashkisë së Tiranës...?!
Por, që të keni parë e lexuar ndonjë dokument të nënshkruar prej tij (në kuadrin e transparencës) e mban mend ndokush....?!
Sigurisht që askush s’mban mend një gjë të tillë....
Por e sigurt është se të gjithë e mbajnë mend se kur ai ishte kryetar bashkie, kur ishin, jo publiku, por parlament e prokuroria që i kërkonin hetim dhe transparencë, ai “i gozhdonte” me policët e tij bashkiakë në hyrje të bashkisë duke mos i lejuar të njiheshin me dokumentet e firmosura prej tij..., apo..., apo... edhe kur ishte i detyruar të paraqitje para ndonjë komisioni parlamentar hetimor merrte një megafon me vete dhe nën ison e gardistëve, këndonte në zyrat e Kuvendit...
E pra ky Edi Rama, “premton” tashmë transparencë...
Më e rëndë, por jo më e besueshme, situata bëhet kur këtë artikulim Edi Rama, i 36-shti nënkryetar i PSE-së, e adreson në prezencë të “shefit” të tij në PSE, të vetmit Sekretar të Përgjithshëm të kësaj internacionale të majtë...
... Pa llogaritur të ftuarit e tjerë...
Premtimi qesharak i Edi Ramës, për momentin dhe vendin e artikuluar prej tij, ishte thjesht dhe vetëm konfirmim i emërimit të tij, si nënkryetari i 36-të qesharak i PSE-së.
Janë standardi i tij, braktisja e socialistëve dhe izolimi ndërkombëtar, që e kanë çuar në një keqpërdorim të tillë Edi Ramën. Për pasojë, edhe të ftuarit s’kanë qenë shumë të informuar për paliaçatën e tij, prandaj edhe duket se i kanë qëndruar farsës, paçka se s’kanë qenë të detyruar..., të besonin jo e jo, por as të dëgjonin “premtimin” e tij për transparencë...