E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fond 50 milionë euro për 3 segmente hekurudhore

29/05/2009  Investimi nga KE-ja. Ndërhyrje në infrastrukturë dhe sinjalistikë

Pritet të shemben dhjetëra shtëpi buzë traseve deri në 100 m larg

DURRES- Brukseli ka vendosur të mbështesë me fonde në shuma të konsideruara Hekurudhën Shqiptare. Reformat e tre viteve të fundit, të cilat kanë të bëjnë me parcelizimin e saj nisur nga logjika e kërkesës dhe ofertës në tregun vendës e të huaj kanë bindur organizmat ndërkombëtare në vizonin e ri të hekurudhës. Komisioni Evropian ka marrë përsipër të kryejë vetë fizibilitetin e hekurudhës dhe kjo ka hapur dritën jeshile për HSH, e cila tashmë ka të gjitha shanset për të marrë kredi dhe të mbështetet me projekte. Drejtori i HSH, Zamir Ramadani, ka pohuar se brenda vitit tjetër hekurudha do të përfitojë 50 milionë euro. “Janë projekte që do të shtrohen në rehabilitimin e plotë të infrastrukturës hekurudhore dhe të sinjalistikës”,-bëri të qartë Ramadani. Përfitues të fondit që do të dalë nga KE-ja do të jenë fillimisht projektet për ndërtimin sipas standardeve ndërkombëtare të tri linjave. “Rehabilitimi i rrjetit hekurudhor dhe ribërja nga e para e sistemit të orientimit horizontal e vertikal do të jenë linjat Durrës-Tiranë, Vorë-Rrogozhinë dhe Rrogozhinë-Elbasan”,-ka deklaruar drejtori Ramadani. Shuma në fjalë do të zgjidhë përfundimisht shumë çështje të mbartura vit pas viti. Ndryshimi i parametrave do të synojë drejt cilësisë së shërbimit, besueshmërisë së shërbimit dhe garancisë së linjave dhe të udhëtarëve e mallrave në transport. Zonat e populluara buzë traseve do të “izolohen” nga zona e kuqe e hekurudhës. Janë dhjetëra shtëpia, objekte të ndryshme, lokale shërbimi do të jenë pjesë e procesit të rrënimit. “Investime të cilat realizohen me fondet e KE-së do të mbikëqyren nga specialistë të huaj, ka thënë Ramadani, dhe kjo do të pasohet me respektimin e Kodit të Hekurudhës pa asnjë mëdyshje”. Trenat nuk do të komunikojnë më në mënyrë mekanike për të mësuar gjendjen e linjave në vijim, por me sistem elektronik. Trasetë e hekurta janë shtrirë në afro 80 komuna e bashki nga Hani Hotit deri në skajin jugor në Pogradec. Më të prekur nga investimi do të jenë ato objekte që janë ndërtuar në rrëzë të traseve duke mos respektuar zonën e kuqe deri në 25 m. Por investimet do të prekin edhe objekte që janë deri në 100 m larg hekurudhës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›